MENU
klinika

Legjenda e Kastriotit

Festa e Luleve, mbretit të vërtetë të shqiptarëve!

10.05.2021 - 12:49

         Festa e luleve në Shqipëri – Nuk ka një grua apo vajzë shqiptare që harron t’i bëjë dhuratën e saj me lule, Kastriotit – heroit kombëtar; çdo vit në fillim të Bajramit, ato ngjiten në tarracat e shtëpive dhe hedhin tufa lulesh në drejtim të tokës dhe Lindjes.

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 10 Maj 2021

Revista franceze “Mon bonheur” ka botuar, me 10 korrik 1910, një shkrim në lidhje me “festën e luleve” në Shqipëri për nder të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e sjell për publikun shqiptar:

 

Për nder të një heroi kombëtar

 

Festa e Luleve në Shqipëri

Festa e Luleve, për nder të Skënderbeut, zhvillohet në fillim të Bajramit, d.m.th. Pashkëve myslimane. Ka këtë karakter të veçantë, e festuar nga shqiptarët, të cilët janë muhamedanë (myslimanë) dhe të lidhur me Turqinë, për të festuar kujtimin dhe bëmat e heroit të madh kombëtar që çliroi Shqipërinë nga zgjedha e turqve.

Një natë para Festës së Luleve, burrat e Shqipërisë, të gjithë luftëtarë, mblidhen së bashku dhe pleqtë u tregojnë të rinjve historinë e Skënderbeut, që është përcjellë nga brezi në brez.

Emri i vërtetë i heroit është Aleksandër Gergj Kastrioti. Babai i tij ishte një nga zotërit epirotë, të cilët u nënshtruan nga Sulltan Amurati II ose Murati II; dhe ai u detyrua t’ia dorëzonte të birin pushtuesit, në shenjë besnikërie. Kastrioti u rrit si mysliman, në oborrin e Muratit. Trimëria e tij dhe gjeniu i hershëm ushtarak e mahnitën Sulltanin, aq sa ai ia besoi, kur ishte vetëm njëzet vjeç, një ushtri të fuqishme për të shkuar dhe pushtuar Serbinë. Ishte viti 1424. Por, papritmas babai i tij vdiq dhe me nxitjen e shqiptarëve, Kastrioti braktisi turqit dhe u kthye për t’u prirë shqiptarëve; në fillim, ai kishte vetëm treqind ushtarë.

Një rapsodi shumë e vjetër, tregon sesi shpiku një mënyrë për të marrë Krujën, kryeqytetin e Shqipërisë, zotëruar nga turqit. Të gjitha shtëpitë, gjatë Festës së Luleve, kumbojnë me këto tinguj heroikë.

“Djali i ri dhe i lavdishëm i Shqipërisë hyn me guxim te sekretari i tiranit.

— Çfarë dëshiron, Skënderbe i lavdishëm? thërret shërbëtori i Muratit.

— Më thërrit, Kastriot shqiptari! – tha i riu, me krenari. Tani e tutje, nuk do të kem tjetër titull dhe emër.

— Mos vallë je i dehur, për herë të parë?

— Jam i dehur nga hakmarrja dhe kam etje për liri!

— Ti je më shumë se i dehur: je i çmendur!

— Ulu qetësisht në tavolinë, o sekretar hijerëndë. Shkruaj urdhrin për guvernatorin e Krujës dhe rekomandoji, ta dorëzojë kryeqytetin e Shqipërisë në duart e mia, përndryshe do të dënohet me vdekje.

— Kurrë!

— Po, menjëherë… Ja! Ky është tehu i shpatës time në fyt. A e ndjen të ftohtin vdekjeprurës? A e di se kjo shpatë nuk heziton kurrë? Shkruaj! Shkruaj urdhrin.

Tani, me urdhrin e shkruar, Kastrioti rend me galop drejt Krujës së shtrenjtë, qytetit, nënës dhe atdheut të tij.

— Hej! guvernator! A di të lexosh?”

Në mbrëmje, Kastrioti dhe treqind shqiptarë kishin shfarosur garnizonin turk.

Kjo ndodhi në 1443. Ali Pasha erdhi, me një ushtri prej dyzet mijë burrash, për të rimarrë qytetin; pothuajse të gjithë turqit u masakruan. Disa herë vetë Sulltani e rrethoi Krujën; dhe gjithmonë Kastrioti asgjësoi ushtritë e tij. Kastrioti vdiq në 1467 dhe Shqipëria u rikthye në një anarki e cila përsëri ishte fatale për lirinë e saj.

Pasi luftëtarët kanë kaluar natën duke kënduar lavdinë e heroit kombëtar, gratë në agim ngjiten në tarracat e shtëpive. Ato mbajnë në duar shporta plot lule dhe simbolikisht i hedhin ato, si drejt tokës ashtu edhe drejt Lindjes.

Midis këngëve antike, të cilat ekzistojnë me bollëk në Shqipëri dhe Maqedoni, ka një që shpjegon këtë simbolikë poetike.

Gratë këndojnë, duke hedhur lule :

“Ti ishe i ri si trëndafilat dhe i bukur si agimi, o hero, kur ti u shfaqe fitimtar para vajzave dhe nënave të Shqipërisë, ti ishe i sinqertë si vesa dhe i fuqishëm si dielli që lind.

Ti ndriçove natën ku gjithçka ishte zhytur. Djepet dridheshin nga gëzimi, fëmijët e vegjël belbëzonin këngët e çlirimit, varret dridheshin nga shpresa.

Sot djepet gjallërojnë dhe varret janë përgjithmonë në gjumë, lule, bieni butësisht në zemrën e Shqipërisë, në zemrën e heroit!”

Nuk ka një grua apo vajzë shqiptare që harron t’i bëjë dhuratën me lule, Kastriotit. Lule vërtet bien, por ato thahen dhe, sa herë që popujt e tjerë ballkanikë ngrihen kundër turqve, shqiptarët do të radhiten përkrah shtypësit.

Megjithatë, një pasardhës i princërve të Shqipërisë po formon, atje, disa komitete sekrete për një rilindje kombëtare. A do të ketë sukses? Lulet bien dhe thahen.

 

Léon Charpentier

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Filip Shiroka – poeti i dallëndysheve

“Kombi qytetërohet me mësimin e gjuhës”

Një Skënderbe... një Garibald

“Damis, këta shqiptarët tuaj janë luanë!”


Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB