Hera e fundit kur Komiteti Teknik i Ekspertëve u mblodh për vlerësimin e situatës dhe masat antiCovid ishte në 5 maj, ku u vendos hapja e pjesshme e auditorëve të universiteteve dhe heqja e karantinës së detyruar dyjavore për qytetarët që hynin në Shqipëri nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut.
Masat e tjera, si ndalimi i qarkullimit nga ora 22:00 deri në orën 06:00, mbetën të pandryshuara së paku deri në mbledhjen e radhës që do të duhej të mbahej në datën 20 maj. Por edhe pse kanë kaluar 5 ditë, Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk është mbledhur për të vlerësuar situatën. Kjo do të thotë që përgjatë këtij harku kohor, pra nga data 20 deri në datën 25 maj, nuk ka qenë në fuqi asnjë masë shtrënguese, duke qenë se Gjykata Kushtetuese “detyroi” qeverinë të përcaktonte afate.
Afati i masave në fuqi ishte për një periudhë 2- javore. Kjo gjë përcaktohet në urdhrin e ministres Manastirliu nr. 183/3, datë 5.5 2021, në të cilin përcaktohet “Në pikën 1 të urdhrit togfjalëshi ‘deri në datën 6.5.2021 zëvendësohet me togfjalëshin ‘deri në datën 20.5.2021’”. Nga Elbasani, ministrja u shpreh se këto dy ditë do të vlerësohet lehtësimi i masave aktuale. “Komiteti Teknik i Ekspertëve është duke vlerësuar në dinamikë situatën. Besojmë që brenda dy ditëve të ardhshme do të kemi një mbledhje të Komitetit Teknik të Ekspertëve, të cilët janë duke shqyrtuar masat. Po mendohet një rivlerësim në kuadër të lehtësimit, por do të jetë gjithmonë një rihapje e kontrolluar, graduale. Pra do të ecim me një gradualitet edhe për sa i përket lehtësimit të masave që aktualisht kemi të përcaktuara”, tha Manastirliu.
SPITALET
Nga ana tjetër, përmirësimi i situatës në spitale ka bërë që të mbyllen pavijonet e dedikuara për trajtimin e të infektuarve me COVID. “Mbyllja e pavijoneve në spitalet rajonale rikthen në një situatë normaliteti këto spitale dhe flasim këtu për Spitalin Rajonal të Elbasanit, i cili sot nuk ka më pacientë të shtruar. Rastet të cilat do të vijnë të triazhohen në Spitalin e Elbasanit do të referohen në Spitalin Covid 1 në Tiranë. Ashtu sikurse është në proces mbylljeje edhe pavijoni i infektivit në Spitalin Rajonal të Durrësit dhe ai në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Këto ishin tri spitalet apo tri pavijonet në tri spitalet rajonale që iu përgjigjën skenarit të dytë”, shtoi ministrja.
Prej kohësh po diskutohet edhe mundësia e mbylljes së Sanatoriumit apo Spitalit Covid 2, një fakt të cilin e pohoi një ditë më parë edhe Manastirliu kur tha se po vlerësohet mundësia e trajtimit të pacientëve në një spital Covid, nisur nga shifrat e ulëta të shtrimeve. “Ne sot jemi në një situatë shumë të kontrolluar epidemiologjike, ku fakti që jemi duke mbyllur pavijonet në spitalet rajonale dhe jemi duke vlerësuar edhe mundësinë për të përqendruar rastet e pacientëve në një spital të vetëm, duke qenë se kemi pak numra, tregon që jemi në momentin për të riparë masat aktuale që janë aktualisht të vendosura”.
RASTET
Lidhur me situatën epidemiologjike, në 24 orët e fundit janë kryer më shumë se 3 mijë testime, nga ku kanë rezultuar të prekur vetëm 14 persona. “Janë kryer 3366 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 14 qytetarë. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 2 raste në Tiranë, Malësi e Madhe, Memaliaj, Skrapar, 1 rast në Shkodër, Durrës, Fier, Devoll, Tropojë, Përrenjas”, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë. Rënie ka pësuar po ashtu edhe numri i të infektuarve aktivë. Në përfundim të 14 ditëve në listën e të shëruarve janë përfshirë edhe 81 qytetarë të tjerë, duke e çuar në këtë mënyrë në 875 numrin e personave që vijojnë të jenë aktivë. Të martën janë raportuar 2 humbje jete si pasojë e koronavirusit, ndërsa në spital prej më shumë se një javë nuk janë raportuar pacientë në intubim, ndërsa numri i të shtruarve ka zbritur në 43 pacientë. “Aktualisht në spitalet COVID po trajtohen 43 pacientë, nga të cilët 5 pacientë janë në terapi intensive. Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, betejën me COVID-19 nuk e kanë fituar dy qytetarë: 1 qytetar nga Tirana dhe 1 qytetar nga Durrësi, të moshave 69 dhe 74 vjeç”, kanë bërë me dije autoritetet.