MENU
klinika

Kush votoi kundër Agron Shehajt dhe Edith Harxhit!

Mungoi Lulzim Basha/ U përjashtuan 5 kandidatë, zbardhet debati i plotë në Kryesinë e PD!

24.05.2021 - 15:56

 Kryesia e Partisë Demokratike miratoi dje listën përfundimtare të kandidatëve për kryetar të Partisë Demokratike. Në mbledhjen e kryesisë dje mungoi kryedemokrati Basha, i cili u largua nga selia menjëherë sapo mbërritën në seli anëtarët e Kryesisë, duke e konsideruar konflikt interesi. Në sekretarinë e Komisionit Zgjedhor kishin mbërritur 9 kandidatura, por 4 prej tyre u skualifikuan automatikisht, pasi nuk përmbushnin një nga kriteret: të jesh anëtar i PD-së. Emrat kandidatëve të përjashtuar janë Admir Mulaj, Edmond Vrapi, Marjan Jashanllari, Sabri Hoxha.

Ndërkohë, debate pati për kandidatin Ibsen Elezi. Ky i fundit u atakua nga demokratët si një person që vazhdimisht ka sulmuar PD-në dhe ka qenë pjesë e fushatave denigruese ndaj PD-së. Në fund mbetën vetëm kandidatët Lulzim Basha, Fatbardh Kadilli, Edit Harxhi dhe Agron Shehaj, që u regjistrua ditën e fundit. Edhe për këta kandidatë ka pasur kundërshtime të ndryshme. Ndërsa kur u hodhën në votim, vetëm Basha dhe Kadilli u miratuan me vota unanime, ndërsa për Edit Harxhin pati katër abstenime. Kreshnik Çollaku, Endri Hasa, Ivi Kaso dhe Eno Bozdo mësohet se kanë abstenuar.

Më shumë abstenime ka pasur për kandidaturën e Agron Shehajt. Për këtë kanë abstenuar Kreshnik Çollaku, Enno Bozdo, Edi Paloka, Jorida Tabaku dhe Ina Zhupa. Ndërkohë, sipas burimeve të gazetës “Panorama.al”, nga Kryesia e PD-së debate ka pasur edhe për axhendën e fushatës. Kryesia e PD-së ka qenë kundër idesë së hedhur nga Fatbardh Kadilli që fushata të ishte e njëjtë për të gjithë. Pra, të 4 kandidatët të bënin debat përballë anëtarëve në 12 qarqet dhe në 3 prej tyre të ketë edhe praninë e mediave.

Kjo ide është hedhur poshtë me argumentimin se secili ka skemën e tij për të bërë fushatë dhe detyrimi i vetëm është që të krijohen kushtet për garë të barabartë. Ndërsa debati tjetër ka qenë për listat e zgjedhësve. Udhëzimi i PD-së cakton që lista të dalë jo më vonë se 5 ditë para zgjedhësve, por sipas Kadillit, listat i ka Basha dhe Agron Shehaj. Kjo akuzë është mohuar nga Gazment Bardhi, i cili tha se tashmë u ka hequr aksesin edhe kryetarëve të degëve.

DEBATI I PLOTE

Gazment Bardhi: Do të nisim diskutimet në parim apo do të flasim për kandidatët? Në listë, 4 prej kandidatëve nuk janë anëtarë të Partisë Demokratike, kështu që janë automatikisht të skualifikuar nga Gara

Enkelejd Alibeaj: Por ne nuk duhet që të jemi përjashtues. Mbase ata janë simpatizantë të Partisë Demokratike dhe kanë idealet e tyre.

Gazment Bardhi: Janë kontrolluar dhe nuk janë as anëtarë te lista aktive dhe tek ajo joaktive. Nuk janë simpatizantë. Le ta hedhim në votim (4 kandidatët skualifikohen me votë unanime)

DISKUTIMI MBI KANDIDATURAT E TJERA

Kreshnik Çollaku: Unë mendoj se duhet të jetë në garë Basha, Kadilli dhe Harxhi. Nuk mendoj se ka vend për persona të cilët mendojnë më shumë për promovimin e tyre politik. Nuk mund t’i japim zë një njeriu për marketing politik. Duhet që të ketë platformë, duhet të ketë ide. Ibseni ka dashur gjithmonë të shkatërrojë PD-në, duke e sulmuar nga matanë gardhit.

Enno Bozdo: Unë nuk jam dakord që në garë të jetë Edit Harxhi, sepse nuk ka ndonjë kontribut të veçantë në garë.

Albana Vokshi: Përse të mos jetë Agroni dhe Editi? Ne jemi Partia Demokratike dhe jemi të hapur. Nuk duhet që të krijojmë armiq kot.

Gazment Bardhi: Ok, atëherë do të mbajmë vetëm këtë short: listën me 4 kandidatët.

Florion Mima: Kjo mbase është mbledhja e fundit që unë marr pjesë. Nuk kam asnjë interes. Por unë mendoj që në garë të jenë që të 4 kandidatët e le të fitojë ai që ka më shumë mbështetje nga anëtarësia.

Jorida Tabaku: Parimisht jam dakord që të jetë lista me 4 kandidatët. Por ne nuk mund të vendosim kandidatë njerëz që kanë momentet e lavdisë në TV. Cilësia e kësaj gare do të tregojë cilësinë e partisë nesër dhe ne duhet te sigurohemi që ka gjithëpërfshirje.

Dhurata Çupi: Edhe unë mendoj se duhet t’i përfshijmë të 4 në garë. Nëse në mesin e tyre ka pasur njerëz që kanë hedhur gurë ndaj PD-së, ne duhet t’u tregojmë të kundërtën. Ndaj, mendoj se duhet të jenë të 4 në garë. Duhet të jemi parimorë.

Jemin Gjana: Nëse bazohemi në historikun e garës në Partinë Demokratike, atëherë mund të them se në garën e PD-së ka pasur kryesisht nga dy kandidatë. Madje ka pasur raste edhe me 1, por ne nuk do ta bëjmë si historia e Maqo Lakrorit.

Enkelejd Alibeaj: Për mua 3 kandidatura janë ok. Editi edhe pse s’ka bërë shumë për Partinë Demokratike, mendoj se në Këshillin Kombëtar nuk ka qenë penguese, ka votuar. Nuk mendoj se duhet ta përjashtojmë.

Grida Duma: Kjo kryesi ka detyrë jo të gjykojë sjelljet e askujt, por të shqyrtojë kriteret dhe një seriozitet të staturës së kandidatëve. Çka do të thotë, statura e tyre duhet të ketë një minimum të figurës publike kombëtare, veç kritereve konkrete të tjera.

Gazment Bardhi: Ok, atëherë le të hedhim në votim 4 kandidaturat. Nuk marrin pjesë në votim Fatbardh Kadilli dhe anëtarët e komisionit (Albana, Belind Këlliçi)

Gazment Bardhi: Lulzim Basha? (Kryesia miraton me votë unanime)

Gazment Bardhi: Fatbardh Kadilli? (Kryesia miraton me votë unanime)

Gazment Bardhi: Edit Harxhi? (Miratohet. Abstenojnë Kreshnik Çollaku, Endri Hasa, Enno Bozdo, Ivi Kaso).

Gazment Bardhi: Agron Shehaj? (Miratohet. Abstenojnë Kreshnik Çollaku, Edi Paloka, Enno Bozdo, Ivi Kaso, Ina Zhupa, Jorida Tabaku)

FUSHATA

Fatbardh Kadilli: Unë mendoj se në fushatë duhet që në 12 qarqe të jenë të gjithë kandidatët bashkë dhe të diskutojnë në takimet. Të ketë një debat publik. Madje në tri nga këto takime të ketë edhe prezencën e mediave. Organizimi të bëhet nga struktura, nga Kryesia dhe të kenë një axhendë të gjithë kandidatët.

Enno Bozdo: Absolutisht, e mbështes këtë ide. Duhet që të kenë një axhendë të gjithë kandidatët.

Jemin Gjana: Nuk ka pse të ketë një axhendë për të gjithë. Secili e ka menduar vetë se si do ta zhvillojë fushatën e tij. Ne do t’u krijojmë mundësinë e fushatës për të gjithë njësoj. Çfarë do të ketë një kandidat, do t’i ketë edhe tjetri.

Edmon Spaho: Ke një orë që ankohesh. Audienca e zgjedh vetë se kë duhet të dëgjojë. Nuk duhet ta caktojmë neve.

Fatbardh Kadilli: Nuk po kërkoj këtë.

Dhurata Çupi: Kemi një orë që mblidhemi dhe diskutojmë vetëm për këtë temë, ndërsa nga deklaratat tuaja rezulton se nuk ke besim te Kryesia. Nuk e kuptoj si mund të bëhet fushata për të gjithë njësoj. Secili ka strategjinë e tij, ka mënyrën e tij se si do të prezantojë platformën e tij. Propozimi hidhet në votim dhe rrëzohet (votojnë pro Enno Bozdo dhe Ivi Kaso)

LISTA E ZGJEDHËSVE

Fatbardh Kadilli: Ne, kandidatët, duhet të kemi në dispozicion listën e votuesve. Këtë listë e ka Agron Shehaj dhe Lulzim Basha. Agron Shehaj u dërgon mesazh për ditëlindje anëtarëve të PD-së.

Gazment Bardhi: Nuk e ka asnjëri prej kandidatëve as listën e madhe të anëtarësisë dhe as listën prej 75 mijë anëtarësh aktivë. Mund të ketë vetëm ata të njësisë së vet.

Grida Duma: Edhe ju mund ta keni, sepse keni qenë sekretar i burimeve njerëzore.

Fatbardh Kadilli: Jo, nuk e kam.

Gazment Bardhi: Nuk e ka asnjëri dhe nuk mund ta ketë, sepse ka të dhëna personale të atyre. Madje unë tani kam hequr aksesin nga regjistri elektronik edhe të kryetarëve të degëve në rrethe./panorama

 

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!