Nga 1 korriku, mënyra se si do të funksionojë tregu i sigurimeve të detyrueshme të automjeteve do të ndryshojë.
Ervin Mete, drejtor i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare thotë se me hyrjen në fuqi të ligjit të ri që rregullon këtë sektor, ka disa risi të cilat do të sjellin përmirësim në marrjen e dëmshpërblimit për konsumatorët: afatet shkurtohen, dhe për një pjesë të procedurave nuk duhet të jetë patjetër prezenca e policisë.
“Ligji i ri i afrohet direktivave të BE-së dhe sjell disa aspekte pozitive për konsumatorët duke shkurtuar procedurat, afatet dhe në rastin e dëmeve të vogla shmanget prezenca e policisë”.
Për herë të parë qytetarët do të kenë me vete Raportin Evropian të Aksidenteve, i cili u jep mundësi të zgjidhin me marrëveshje dëmet me vlerë deri në 30 mijë Lekë. Mete thotë se këtë raport duhet ta marrin pranë shoqërive edhe ata që kanë prerë policë para kësaj date.
“Raporti duhet të merret edhe nga drejtuesit e mjeteve që kanë tashmë të prerë një policë sigurimi. Në çdo rast vlerësimi i dëmit bëhet nga kompania e sigurimit dhe me marrëveshje nuk mund të zgjidhen dëme shëndetësore por vetëm të pronës”.
Tashmë nëse dikush do të dëmtohet nga një palë e pasiguruar, kërkesën për dëmshpërblim do ta bëjë pranë kompanisë ku është siguruar mjeti i tij, dhe më pas do të jetë kompania që do të kërkojë marrjen e shumës të Fondi i Kompensimit dhe jo qytetari.
Kjo risi për kreun e AMF-së shkurton pritjet e gjata me vite të një kategorie të dëmtuarish.
“Eleminohen pjesa më e madhe e atyre që drejtohen sot të Fondi i Kompensimit dhe shkurtohen afatet për të marrë dëmshpërblim”.
Ligji rrit me 50% limitet e përgjegjësisë për mjetet private dhe me 30% për ato në fushën e transportit publik, kjo do të ndikojë që dhe vlera e dëmshpërblimit në bazë të vlerësimit të kompanisë do të jetë më e lartë se sot.