MENU
klinika

Andi Bushati

Pesë rreziqet e mandatit të tretë

26.05.2021 - 20:07

Nga Andi Bushati

Zgjedhjet e 25 prillit vërtetuan edhe njëherë, jo vetëm pamundësinë e përmbysjes së sistemit, por edhe atë të rotacionit të kukullave që janë në krye të tij. Ato flakën tej iluzionin e ndryshimit me votë të një regjimi autokratik dhe sanksionuan fillimin e letargjisë së gjatë nën sundimin e një njeriu.

Po ti shohim një e nga një, të gjithë faktorët e kontrollit dhe drejtpeshimit të pushtetit kanë tendencë që të jenë në regres.

Kështu DREJTESIA dhe propaganda rreth reformimit të së cilës që i ka shpenzuar të gjitha bateritë, nuk do të ketë shanc të ngrejë kokë. Në një piramidë autokratike do të ishte idiotësi të imagjinoje një prokurori dhe gjyqësor të pavarur.

Ata, të gjithë sëbashku, tani do të jenë të detyruar të zhveshin edhe maskën e paanësisë.

Provat e fillestare tashmë i kemi para syve. Menjëherë pas zgjedhjeve, me konfirmimin e zgjatjes së pushtetit të Ramës, kosa e ndëshkimeve po bie, ose mbi kundërshtarët politikë, ose mbi personazhet e anatameuar prej tij. Askush nuk është aq naiv që të mos i shohë të lidhura me fatin e 25 prillit sekuestrimet e pronave të gjyqtarëve të lartë, apo rihapjen e çështjes së Fatmir Mediut për Gërdecin.

Natyrisht, që të bëra në kohën e duhur, ato do të ishin të mirëseardhura, por përkimi i tyre me momentin e triumfit të rilindjes është një ogur i keq. Ai tregon se drejtësia është futur në rrugën pakthim të nënshtrimit përfundimtar ndaj politikës. Pra pikërisht në të kundërtën e asaj për të cilën u pretendua se do të reformohej.

Edhe MEDIAT nuk janë në gjendje më të mirë. E kjo nuk ka të bëjë vetëm me ndonjë tentativë të minutave të fundit për të kapur organe si AMA me sharlatanët e parlamentit të vjetër, ndërkohë që shqiptarët kanë kthyer në kuvend opozitën reale. Thelbi i nënshtrimit konsiston në heshtjen e turpshme të mediave të mëdha ndaj akuzave që rëndojnë mbi pushtetin.

Nuk është një tezë e re, por mjafton të përmendësh faktin se asnjë nga programet televizive të mbrëmjes nuk ka këllqe të bëjë temë të tij kryesore debatin (shikoni pra theshtë debatin jo investigimin e fakteve) nëse u ble vota, por vazhdojnë të merren vetëm me fatin e Bashës apo të Metës, duke dëshmuar se makineria e propagandës është vënë në funksion të shplarjes masive të trurit.

TV kryesore, pa përjashtim, janë bërë autoporlantë të mesazheve qeveritare, zërat kritikë seriozë janë gjithnjë e më të pakët dhe kudo ekziston një konsensus për të pranuar rendin aktual të gjërave. Në këto kushte, askush nuk do të guxojë më të transmetojë, kronika si ato për dasmën e Veliajt, që bëri televizioni tashmë i mbyllur Agon Channell, apo emisione si ato për skandalin e unazës së re, që sollën pezullimin e gjatë të “Të paekspozuarve”.

Një goditje të rëndë kanë marrë edhe LEVIZJET QYTETARE. 25 prilli u ka prerë krahët të gjithë atyre që mendonin se kishte vlerë të denoncoje korrupsionin dhe të militoje për ruajtjen e trashëgimisë, si në rastin e Teatrit Kombëtar.

Studentët e universiteteve që dolën në rrugë, kuksianët që shkallmuan traun e autostradës së veriut, banorët e Astirit që regjistruan një nga rezistencat më të gjata në vend, adoleshentët që dogjën dhe shkatërruan në emër të moshatarit të tyre Klodian Rasha, kanë kuptuar më në fund se angazhimi i tyre vlen shumë më pak se një thes me para që mund të harxhojnë në pak kohë Toma edhe Qifja.

Nuk do të jetë çudi që ky lloj zhvlerësimi i militantizmit qytetar të pa politizuar, do të ketë pasoja afatgjata dhe do ndikojë në pllakosjen e apatisë dhe nënshtrimit, të cilat janë të rrënjosura prej kohësh në instiktet shqiptare të mbijetesës.

Eshtë paradoksale të mendosh se edhe DIPLOMATET e vendeve kryesore të perëndimit e kanë zbehur fuqinë e tyre të arbitrit drejtëpeshues, që kanë ushtruar deri në mesin e viteve 2000. Po të shohësh deklaratat dhe qëndrimet e tyre të fundit, shqetësimi që lexohet qartë ka të bëjë me ruajtjen e stabilokracisë dhe me presionet ndaj opozitës, për pranimin e një loje nga e cila ajo ka dalë e vjedhur. Shprehjet se PD duhet të futet në parlament, të shoqëruara me mesazhet shantazhuese ndaj Berishës dhe Metës e tregojnë qartë këtë.

Dhe kjo nuk është një praktikë e re. Ata nuk janë këtu për ti rënë murit me kokë. Nuk i takon atyre të përmbysin regjimet tona. Madje praktika tregon të kundërtën. Emisarët perendimorë ishin shumë më tepër kritikë me Erdoganin, kur ai shfaqi shenjat e para të vrasjes së demokracisë, sesa janë sot. Kur nuk e shpëtojnë dot shtetin e së drejtës, ata përpiqen thjeshtë të mbajnë në këmbë fasadën e tij. Këtë po bëjnë edhe në Shqipëri në mënyrën më komike të mundshme.

Bashkë me elementët e mësipërm ka vdekur njëkohësisht edhe shpresa e korigjimit nga BRENDA PS. Natyrisht, këtu fjala nuk është për një puç pallati në radhët e rilindjes që do të kriste karrigen e Ramës. Por edhe iluzioni i disa zërave që do të përpiqeshin të thërrisnin në kufijtë e arsyes arratisjet autoritare të liderit tashmë është i kotë.

Përjashtimi i Ditmir Bushatit që guxoi të ngrinte zërin kundër ndarjes së Kosovës, apo poshtërimi i Pandeli Majkos, që një herë të vetme doli nga reshti për të mos votuar shembjen e teatrit, nuk lë më vend për dyshime. I vetmi që i rrezistoi rrufeve ndëshkuese të liderit, ishte Fatmir Xhafaj. Por me sa duket ai është përjashtimi që përforcon rregullin.

PS tani është kopeja e individëve të nënshtruar, që jo vetëm nuk ngjall asnjë shpresë, qoftë edhe për korigjime të vogla, por që sa më shumë kohë të kalojë, do të gëlojë nga klonë të erionvelizuar.

Pra 25 prilli nuk është vetëm data e mandatit të tretë. As vetëm një episod i manipulimit të zgjedhjeve dhe vjedhes së votës, nga ato që kemi parë rëndom. Ai është shumë më tepër se kaq. Ai shënon një pikë kthese. Atë kur shoqëria ka humbur pothuajse të gjitha levat e kotrollit, valvulat e shkarkimit dhe aftësinë korigjuese ndaj një regjimi që po e çon drejt humnerës. Nëse kur erdhën në pushtet, Rama dhe PS premtuan ri-lindjen e vendit dhe demokracisë, tani është momenti kur po i zhysin ato, andej nga patën dalë.

Share this…
Share on Facebook

Facebook

Tweet about this on Twitter

Twitter

Share on LinkedIn

Linkedin

Pin on Pinterest

Pinterest

 

REMOTE_ADDR:[]

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!