Tri javë pas zgjedhjeve të 25 prillit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka thirrur në një mbledhje urgjente ditën e diel kryesinë e selisë blu dhe Këshillin Kombëtar.
Ndryshe nga praktika e mëparshme, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bradhi, nuk i ka njoftuar anëtarët e kryesisë në grup, por përmes mesazheve individuale. Ditën e diel, datë 16 maj 2021, ora 17:00, do të zhvillohet mbledhje e kryesisë së Partisë, me rend dite: “Diskutime dhe vendimmarrje sipas Statutit për proceset politike pas situatës së krijuar me masakrën elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit”.
Më pas, në orën 19:00, me të njëjtin rend dite, do të zhvillohet mbledhja e Këshillit Kombëtar. Mbledhjet do të zhvillohet në selinë e Partisë, në sallën e Grupit Parlamentar, kati II. Ju lutem merrni masat për pjesëmarrjen tuaj! Me respekt, sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi”, thuhet në mesazhin që ka mbërritur në anëtarët e kryesisë së PD-së.
PRAPASKENAT
Gazeta “Panorama.al” ka mësuar se në mbledhjen e parë të kryesisë së PD-së pas zgjedhjeve të 25 prillit, ku PD-ja ndonëse rikuperoi 16 mandate në krahasim me zgjedhjet pararendëse, nuk arriti që të ndryshonte pushtetin, do të analizohet rezultati i zgjedhjeve në çdo qark.
Në këtë mbledhje do t’u jepet mundësia secilit prej anëtarëve të kryesisë që të paraqesin verbalisht analizën e rezultatit të çdo qarku. Pas ezaurimit të kësaj pike të diskutimit, pritet që kryetari i PD-së të hedh në diskutim dhe propozim shpalljen e zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike.
Sipas Statutit të PD-së mandati i kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha përfundon në korrik të këtij viti, por mësohet se kryedemokrati Basha do të propozojë që zgjedhjet të mbahen edhe më herët. Një ide që është diskutuar në selinë blu është që procesi zgjedhor brenda selisë blu të përfundojë brenda 20 qershorit të këtij viti, megjithatë do të jetë kryesia dhe Këshilli Kombëtar i PD-së që do të mblidhet po të dielën vetëm dy orë pas mbledhjes së kryesisë.
Vlen të theksojmë se, vetëm dy ditë më parë kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka takuar kryetarin e Komisionit të Zgjedhjeve në Partinë Demokratike, Jemin Gjana.
Mësohet se tematika kryesore e diskutimit midis të dyve ka qenë procesi zgjedhor i brendshëm në të cilin duhet të futet selia blu. Ndërkohë, pritet që zgjedhje të mos ketë vetëm për kryetarin e Partisë, por edhe për anëtarët e kryesisë.
Mbledhja e ditës së diel do të shënojë edhe një moment tjetër në PD. Lulzim Basha do të përballet për herë të parë me dy kritikët e tij që kanë dal publikisht pas zgjedhjeve të 25 prillit. Fatbardh Kadillin, anëtarin e kryesisë së PD-së dhe Bujar Nishanin, i cili aktualisht është kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së.