Presidenti i Republikës, Ilir Meta thotë se fenomeni i rrezikshëm i kapjes së shtetit është një komplot kundër demokracisë dhe kontrollit të qytetarëve ndaj institucioneve.
Në një postim në Facebook, Kreu i Shtetit teksa i referohet një studimi ndërkombëtar, shkruan se “Fenomeni i “korrupsionit legjislativ” është kthyer në mjetin e ri të mbulimit të përfitimeve klienteliste të fondeve dhe pasurisë publike, ku për çdo përfitim të dhuruar, Kuvendi njëpartiak ka miratuar një ligj me porosi, për ta ligjëruar.”
Presidenti Ilir Meta thotë se është koha të angazhohemi të gjithë për t’i dhënë fund kapjes së shtetit dhe pandëshkueshmërisë.
Reagimi i Presidentit Meta
Fenomeni i rrezikshëm i kapjes së shtetit është një komplot kundër demokracisë dhe kontrollit të qytetarëve ndaj institucioneve.
Studimi i publikuar së fundmi nga Lidershipi për Integritet dhe Zhvillim në Vendet e Europës Juglindore (SELDI) “Për rreziqet e kapjes së shtetit dhe reformat e politikave në Ballkanin Perëndimor 2020” tregon se Shqipëria zë vendin e parë në rajon sa i takon presionit në rritje të kapjes së shtetit nga biznesi.
Raporti bën me dije se “biznesi dhe institucionet publike në Shqipëri kanë predispozitë të lartë në raport me vendet e tjera të Ballkanit për të përdorur funksionet publike që nga shërbimet, deri të ligjet në favor të interesave të grupeve të caktuara”. Gjithashtu evidentohet se “përdorimi i enteve publike jo vetëm për të përfituar, por edhe si mjet ose armë kundër konkurrentëve është përdorimi më i madh i kapjes së shtetit”.
Ky studim me konkluzione thellësisht negative konfirmon qëndrimet e vazhdueshme publike, që kam shprehur edhe me dekrete, në mbrojtje të sovranitetit, Kushtetutës, parimit të ndarjes së pushteteve dhe të konkurrencës së lirë.
Fenomeni i “korrupsionit legjislativ” është kthyer në mjetin e ri të mbulimit të përfitimeve klienteliste të fondeve dhe pasurisë publike, ku për çdo përfitim të dhuruar, Kuvendi njëpartiak ka miratuar një ligj me porosi, për ta ligjëruar.
Me rastin edhe të Ditës Kombëtare të Drejtësisë është koha të angazhohemi të gjithë për t’i dhënë fund kapjes së shtetit dhe pandëshkueshmërisë.