Tirana zyrtare ka reaguar në lidhje me tensionet e përshkallëzuar në Jerusalem. Në një reagim në rrjetet sociale, ministria e Jashtme e Shqipërisë thotë se sulmet me raketa kundër Izraelit janë të pajustifikueshme dhe rrezikojnë një përshkallëzim serioz të dhunës.
“Shqipëria është thellësisht e shqetësuar për përshkallëzimin e dhunës në Jeruzalem brenda dhe përreth Gazas. Sulmet me raketa kundër Izraelit janë të pajustifikueshme dhe rrezikojnë një përshkallëzim serioz të dhunës që do të sillte një dëm si për civilët izraelitë dhe palestinezë.
Ne u bashkohemi thirrjeve nga miqtë dhe aleatët tanë që qetësia të rikthehet dhe përshkallëzimi i mëtejshëm të shmanget”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
TENSIONET
Ministria palestineze e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza tha dje se 20 vetë, përfshirë fëmijët, kishin vdekur në sulme. Në Jerusalem, zjarri me raketa bëri që parlamenti i Izraelit të evakuohej ndërsa tingëllonin sirenat. Tensionet midis Izraelit dhe palestinezëve u intensifikuan ditët e fundit. Sundimtarët e Hamasit të Gazës kishin kërcënuar të godisnin pasi qindra palestinezë u plagosën në përleshjet me policinë izraelite në Jerusalem të hënën.