MENU
klinika

Çfarë rrezikon ai?

Donald Trump në rrezik financiar dhe politik

29.06.2021 - 16:13

Prokurorët e Nju Jorkut së shpejti mund të ngrenë padi kundër Organizatës së Trump, për shkak të përfitimeve që mund t’i ketë sjellë drejtuesve të lartë, raporton “The Guardian”.

Presidenti i 45-të i SHBA, nuk pritet të akuzohet personalisht, por drama ligjore mund të falimentojë kompaninë e tij duke dëmtuar marrëdhëniet e saj me bankat dhe partnerët e tjerë të biznesit, si dhe duke turbulluar rikthimin e tij politik.

Ron Fischetti, një avokat i Organizatës Trump, zhvilloi një takim virtual me prokurorët të enjten e kaluar, që zgjati rreth 90 minuta, si një përpjekje që ata të heqin dorë nga ngritja e padisë.

“Akuzat janë absolutisht të ashpra dhe të pashembullta, nëse ato paraqiten vërtet,”- i tha Fischetti të premten “Associated Press “(AP) .

Fischetti dhe kolegët e tij kishin kohë deri të hënën për të bërë argumentet e tyre të fundit kundër akuzave të ngritura, sipas një raporti të “Washington Post”.

Hetimi për një kohë të gjatë nga Cyrus Vance, avokati i rrethit Manhattan, filloi pasi ish-avokati i Trump, Michael Cohen, para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 pagoi me para dy gra që të heshtnin, sepse pretendonin se kishin kryer marrëdhënie seksuale me Trump.

Tani fokusi është tek Allen Weisselberg ,73 vjeç, zyrtari kryesor financiar i Organizatës Trump, konglomerati privat i pasurive të patundshme. Prokurorët po shqyrtojnë përdorimin e një apartamenti “Trump” nga djali i tij, Barry, me pak ose pa kosto, makinat me qira për familjen dhe pagesat për shkollimin e nipërve dhe mbesave të Weisselberg.

Dhurata dhe përfitime të tilla vlejnë dhjetëra ose qindra mijëra dollarë.

Trump, i mundur nga Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit të kaluar, ka kohë që kërkon të hedhë poshtë hetimin që e cilëson si një “gjueti shtrigash”.

Trump u kthye në tubimet e fushatës të shtunën, synon të përfshihet në zgjedhjet afatmesme të vitit 2022 dhe mund të kandidojë përsëri për president në 2024. Por ka shenja që dyert për të po mbyllen.

Vance ka kontrolluar të dhënat e taksave të Trump, dokumentet dhe intervistat e dëshmitarëve, përfshirë personat e brendshëm të Trump dhe drejtuesit e kompanisë. Një juri e madhe u vu në provë kohët e fundit për të parë provat.

Zyra e James ka qenë duke shqyrtuar nëse Organizata Trump ka fryrë vlerat e disa pronave për të marrë kushte më të mira për huatë dhe ka ulur vlerat e tyre për të marrë zbritje të taksës së pasurisë.

Të dhënat e gjykatës tregojnë disa mbivendosje midis hetimeve të Vance dhe James, përfshirë interesin e tyre për “Seven Springs”, një pasuri me sipërfaqe 212 hektarë jashtë Manhattan që Trump bleu në 1995.

James po shqyrton një zbritje të taksës prej 21.1 milion dollarë të marrë kur Trump ra dakord të mos e zhvillonte pronën, pasi kundërshtimi nga vendasit prishi planin e tij për të ndërtuar një fushë golfi dhe plani i veçantë për të ndërtuar një shtëpi luksoze mbeti në sirtar.

Trump ka denoncuar të dy hetimet. Në një deklaratë të lëshuar të hënën, ai pretendoi se çështja ishte një zgjatim i “gjuetisë së shtrigave” të demokratëve kundër tij.

“Ata do të bëjnë gjithçka për të ndaluar lëvizjen MAGA (dhe mua)“,- tha ai, duke iu referuar parullës së fushatës “Make America Great Again” dhe duke këmbëngulur se Organizata Trump thjesht kishte bërë “gjëra që janë praktikë standarde në të gjithë komunitetin e biznesit të SHBA-së, dhe në asnjë mënyrë nuk kishte bërë ndonjë krim”.

Humbja e pushtetit të Trump në Uashington tani privon atë, familjen dhe kompaninë e tij nga mbrojtjet ligjore që gëzonte gjatë kohës që ishte në Shtëpinë e Bardhë.

Gjithashtu, edhe ndaj Ivankës mund të ngrihen padi penale.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Senatorët janë pro gjykimit, ndërsa ish-presidenti kërkon shfajësim

‘Gjyqi ndaj Trump është kushtetues’