Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë do të shpallë sot vendimin për dy ish-shefa të shërbimit të sigurimit shtetëror të Serbisë, të akuzuar për udhëheqjen e grupeve paraushtarake gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, në vitet 1990.
Jovica Stanishiq, 70 vjeç, ish-shef i shërbimit të sigurimit shtetëror të Serbisë, dhe zëvendësi i tij, Franko Simatoviq, 71 vjeç, përballen me burgim të përjetshëm.
Grupet paraushtarake, të udhëhequra nga ta, kanë përfshirë njësitë elitare, të quajtura Beretat e Kuqe dhe Tigrat e Arkanit. Të dyja njësitë dyshohet se kanë vrarë qindra njerëz.
Gjykata në Hagë ka liruar Stanishiqin dhe Simatoviqin nga akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në vitin 2013. Por, pas protestave dhe apelit të prokurorëve, gjykatësit kanë urdhëruar në vitin 2015 rigjykim të rastit kundër tyre.
Rigjykimi ka nisur në vitin 2017. Të dy të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm për krime kundër njerëzimit, të tilla si: përndjekjet, vrasjet, dëbimet dhe transferimet me forcë.
Të dy kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, i cili ka luftuar luftëra në Slloveni, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë. Millosheviq është gjykuar po ashtu në Hagë, por ka vdekur përpara se t’i shqiptohej dënimi, në vitin 2006./ Marrë nga REL