Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq në një intervistë për EuroNews Serbia ka folur lidhur me propozimin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ia ka bërë për zëvendësimin e Veljko Odaloviqit nga komisioni qeveritar serb për të pagjeturit, raporton Gazeta Express.
Vuçiq ka thënë se askush s’mund të përzihet në punët e një shteti sovran, madje edhe nëse ShBA-ja ia kërkon ta zëvendësojë atë.
“Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës na kërkojnë ta bëjmë atë, ne, si një shtet sovran, i pavarur dhe i përgjegjshëm, nuk duhet ta pranojmë atë, dhe nuk e pyesim Prishtinën për këtë, për shumë arsye. Pra, edhe me ato mesazhe poshtërimi në të cilat dikush do të na mësojë demokracinë dhe do të na japë predikime dhe ligjërata se kush duhet të jemi në cilin vend, atëherë asnjë prej tyre nuk duhet të jetë në asnjë nga vendet e tyre. Rrini në tuajat, le të bëjmë gjërat tona. Le të bëjmë gjithçka që mundemi për njerëzit e zhdukur, të gjejmë një zgjidhje, të gërmojmë ato kufoma”, ka thënë Vuçiq.
Kryeministri Kurti i kishte prezantuar Vuçiqit katër propozime në takimin e Brukselit, ku një ndër to ishte edhe zëvendësimi i Veljko Odaloviqit.
1. Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në.
2. Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty.
3. Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.
4. Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq./GAZETAEXPRESS