MENU
klinika

Ceremonia

Anëtarësimi në Këshillin e Sigurimit, Xhaçka: Shqipëria sot ka çfarë t’i tregojë botës

06.07.2021 - 20:24

Është zhvilluar këtë të martë pritja zyrtarë në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin Sigurimit.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, akademikë, ministra e ish-ministra të Jashtëm.

Ceremonia nisi me fjalën e Ministres së Jashtme Olta Xhaçka e cila ka vlerësoi anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit.

Gjithashtu gjatë fjalës së saj Xhaçka theksoi se rezultati në Asamblenë e Përgjithshme ishte një kurorëzim i një punë shumë afatgjatë.

“Është një mundësi për të gjithë shqiptarët për të çuar përpara interesat tona kombëtare. Ne shkojmë në Këshillin e Sigurimit me këmbë në tokë, me besimin tek fuqia e ideve. Shqipëria sot ka çfarë t’i tregojë botës”, tha Xhaçka.

Fjala e plotë e ministres Olta Xhaçka:

Ky është vërtet një moment historik për Shqipërinë! Kanë kaluar plot 65 vjet që kur Shqipëria u bë anëtare e Kombeve të Bashkuara, e vetëm sot, në vitin 2021 kemi fituar më në fund të drejtën të ulemi në forumin më të lartë të vendimmarrjes globale.

Është një arritje për të cilën është punuar shumë, për thuajse një dekadë.

Por më lejoni, që të jem sot e anshme në falënderimet e mia, dhe t’ju shpreh të parëve mirënjohjen për këtë arritje diplomatëve dhe përfaqësuesve të shërbimit të jashtëm shqiptar! Sepse janë ata, që më shumë se kushdo tjetër, jo thjesht kanë punuar, por kanë jetuar me këtë projekt që realisht shënon një arritje të paprecedentë për Shqipërinë.

Siç e dini në 11 qershor Asambleja e Përgjithshme e OKB votoi me 175 vota për të mbështetur kandidaturën e Shqipërisë.

Unë dua të falënderoj të gjithë vendet që na mbështetën, kudo në botë. Por përfitoj nga ky rast, për të falënderuar në mënyrë të veçantë përfaqësuesit e Grupit të Europës Lindore në OKB, për mundësinë që i dhanë Shqipërisë të jetë kandidatura e këtij grupi në Këshillin e Sigurimit.

Në vigjilje të seancës së Asamblesë së Përgjithshme ishim ulur me laps e letër në dorë me ekipin e diplomatëve tanë, duke bërë llogaritë sesa vota na duheshin, sa vota kishim të garantuara, me sa vende kishim marrëveshje reciproke për mbështetje.

Por as në versionet më optimiste nuk kishim menduar që Shqipëria do të merrte një mbështetje kaq masive. 175 vota ishin shumë më tepër sesa na duheshin dhe shumë më tepër sesa kishim guxuar të shpresonim. Të gjithë ne kemi deri diku prirjen të mos kënaqemi me rezultatet e punës tonë. Të kërkojmë më shumë. Të jemi kritikë. Por kjo mbështetje ishte edhe për njeriun më skeptik e më kërkues, një provë e qartë dhe e pakundërshtueshme, e atij transformimi të jashtëzakonshëm që ka pësuar imazhi i Shqipërisë në sytë e botës.

Ishte prova që ne shihemi sot si një vend serioz, si një vend që kontribuon për sigurinë, paqen e stabilitetin në rajon e më gjerë. Ne shihemi sot si një vend që ka pjekurinë dhe kapacitetet e duhura për të kontribuar në diskutimet për çështjet më të mprehta që shqetësojnë sot botën, në forumin më të lartë vendimmarrës të globit.

Ajo votë në Asamblenë e Përgjithshme ishte një moment emocionues, një moment krenarie krejtësisht të justifikuar për këtë arritje historike. Por, ishte po aq edhe një moment reflektimi.

Sepse, në një vend ku shpeshherë na duket sikur çdo gjë duhet ta fillojmë nga pika 0, ku shpesh është e vështirë të bësh plane afatgjata, ja ku është një rast, kur kemi punuar të tërë, duke bërë secili punën e vetë për t’ia kaluar pastaj stafetën pasardhësit, në emër të një kauze të rëndësishme dhe kemi marrë një rezultat kaq të jashtëzakonshëm.

Dhe dua ta them pa asnjë hezitim, që edhe pse në atë seancë të Asamblesë së Përgjithshme isha unë dhe një ekip i caktuar si përfaqësues të Shqipërisë, asnjë nga ne nuk kishte për asnjë moment ndonjë dyshim që prania jonë në atë seancë vinte si kurorëzim i një pune shumë më afatgjatë sesa karrierat apo mandatet tona personale.

E vërteta është që mandati i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit është një fitore e krejt shqiptarëve. Është një mundësi e jashtëzakonshme për të gjithë shqiptarët, për të çuar përpara interesat tona kombëtare. Ne shkojmë në Këshillin e Sigurimit me një agjendë të qartë prioritetesh. Sigurisht që shkojmë në Këshillin e Sigurimit me këmbë në tokë, të vetëdijshëm për mundësitë modeste që ka një vend i përmasave të Shqipërisë për të ndikuar politikat globale. Por ama, shkojmë atje me një besim të madh tek fuqia e ideve dhe tek fuqia e modelit që përfaqëson sot Shqipëria.

Shqipëria sot ka çfarë t’i tregojë botës dhe bota sot ka çfarë mëson nga Shqipëria. Mund të mësojë nga ne sesi një shoqëri bëhet më e mirë duke ju dhënë më shumë hapësirë grave e vajzave. Mund të mësojë nga modeli ynë unik i vëllazërisë fetare në një kohë kur feja është kthyer gjithmonë e më shumë në një faktor përçarje e konflikti.

Mund të mësojë nga eksperienca jonë dhe e rajonit tonë për rëndësinë që ka respekti për të drejtat e njeriut e sesi angazhimi i vendosur ndërkombëtar në emër të këtyre të drejtave mund të sjellë paqe e zhvillim edhe në rajone që për shekuj kanë parë vetëm konflikt e luftë.

Mandati i Shqipërisë ju takon të gjithë shqiptarëve, prandaj ne hapëm thirrjen Bashkohu me Ekipin e Endrrave, si një mënyrë për të ndërtuar një skuadër që do të përfaqësojë Shqipërinë në Këshillin e Sigurimit, e cila të ofrojë kombinimin më të mirë mes diplomatëve më të zotë e më profesionistë që ka sot Shërbimi i Jashtëm shqiptar, dhe djemve e vajzave e burrave e grave më të talentuara nga jashtë sistemit. Na duhet realisht të dërgojmë në Nju Jork vetëm më të mirët, për t’u përfaqësuar në mënyrë sa më dinjitoze në këtë mandat historik për të gjithë ne. Në ditët në vijim ne do të zhvillojmë intervistat me të gjithë aplikuesit, intervista që do të jenë të hapura e transparente për publikun, dhe shumë shpejt Ekipi ynë i ëndrrave do të marrë formën e tij finale.

E lashë për në fund, por e lashë për në fund sepse doja t’i jepja rëndësinë dhe peshën që i takon këtij falënderimi. I cili shkon për Kryeministrin Edi Rama të cilit sot përpara se t’i kaloj fjalën dua t’i njoh një meritë shumë të madhe.

Të kandidosh për një mandat në Këshillin e Sigurimit dhe të besosh realisht që ke një mundësi për t’u bërë anëtar i Këshillit të Sigurimit, pra, që mund të bësh gjithçka duhet për të fituar mbështetjen e botës për këtë ambicie, janë dy gjëra shumë të ndryshme.

Edi Rama besoi tek kjo mundësi, edhe kur një gjë e tillë dukej jorealiste. Dhe mbi të gjitha, ai bëri gjithçka, për të modernizuar e europianizuar Shqipërinë duke e kthyer në një partner të besueshëm e që di të prezantohet me dinjitet në arenën ndërkombëtare, por edhe për të transformuar politikën e jashtme dhe bashkë me të rolin e Shqipërisë në botë, si një vend që eksporton stabilitet e siguri, si një vend që mund të marrë pjesë denjësisht edhe në forumet më të larta të vendimmarrjes rajonale apo globale duke kontribuar aty me ide e zgjidhje konkrete.  

Për të arritur këtë fitore sot, kanë punuar shumë e shumë shqiptarë e shqiptare, por pa këtë besim, pa këtë vizion e pa këtë punë, unë nuk besoj që sot do të kishim pasur arsye për të festuar. Jam e bindur, që me të njëjtën frymë e të njëjtin vizion do t’ia dalim që ta kthejmë mandatin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në një histori suksesi e burim krenarie për të gjithë shqiptarët.