UASHINGTON – Presidenti amerikan Joe Biden shkon në Kongres të mërkurën për t’u takuar me demokratët e Senatit pasi ligjvënësit njoftuan arritjen e një marrëveshje mbi një plan prej 3.5 trilionë dollarësh për të zgjeruar shpenzimet për kujdesin shëndetësor për të moshuarit, ndryshimet klimatike dhe programet për të ndihmuar familjet, tha udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer.
Paketa e ndihmave do të jetë “investimi më i madh për klasën e mesme në disa dekada”, tha zoti Schumer të martën. Senatori i shtetit të Virxhinias Mark Warner, një demokrat, u tha gazetarëve se plani përfshin dispozita që do të mbulojnë plotësisht koston e këtyre programeve.
Ndërsa senatori Warner nuk specifikoi se si do të paguhej kjo paketë ndihmash, Presidenti Biden ka bërë përpjekje për të rritur taksat për të pasurit dhe korporatat.
Republikanët në Kongres janë kundër rritjes së taksave. Gjatë administratës së mëparshme të Presidentit Donald Trump ata miratuan një seri uljesh taksash – përfshirë nivelin e taksave për korporatat.
Për t’u miratuar plani i tanishëm, demokratët do të kenë nevojë për mbështetjen e plotë të 50-anëtarëve të tyre në Senat. Udhëheqësit demokratë duan ta miratojnë një rezolutë për buxhetin, që do të siguronte kornizën për legjislacionin, përpara se ligjvënësit të largohen për pushimet e verës në muajin gusht.
Me republikanët që nuk pritet ta mbështesin planin, demokratët ka të ngjarë të ndjekin një procedurë të veçantë duke ia bashkangjitur planin, ligjit për buxhetin. Kjo do të lejonte që projektligji të miratohej vetëm me një shumicë të thjeshtë dhe të mos i nënshtrohej një procesi bllokues të mundshëm nga republikanët.
Një rezolutë për buxhetin do t’i lejonte demokratët ta miratonin ligjin për shpenzimet buxhetore më vonë gjatë vitit, gjithashtu me një shumicë të thjeshtë.
Paralel me këto nisma, janë duke vazhduar edhe negociata dypartiake për një paketë tjetër prej 1,2 trilionë dollarësh shpenzime në infrastrukturë për objekte të tilla si rrugët, urat, sistemet e ujit dhe interneti me shpejtësi të lartë./VOA