MENU
klinika

"Vuçiç pengesë për arritjen e marrëveshjes"

Kurti: Nuk paguaj asgjë për njohjen nga Serbia

13.07.2021 - 15:18

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti  së fundmi është shprehur se se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është bërë pengesë për marrëveshjen përfundimtare që synohet të arrihet mes dy vendeve, pas deklaratave se ai kurrë nuk do ta nënshkruajë njohjen e Kosovës si shtet të pavarur.

Kurti në një intervistë të dhënë për “European Western Balkans” ka thënë se Kosova po forcohet dhe se më parë janë bërë shumë koncesione për ta marrë njohjen nga Serbia.

Ne po e forcojmë shtetin e Kosovës. Kosova po bëhet histori suksesi. Dhe taktika e vjetër e sallamit – çfarë më jepni për njohjen e cila nuk do të ndodhë kurrë nuk do të funksionojë. Presidenti i Serbisë tha se ai kurrë nuk do ta njohë Kosovën. Me këtë qasje, ai e ka vënë veten si pengesë të marrëveshjes, sepse të gjitha koncesionet e mëparshme nga paraardhësit e mi i janë dhënë Serbisë në dritën e njohjes në të ardhmen, për të cilën ai tha se nuk do të ndodhë kurrë”, ka thënë Kurti.

Ai tha se Kosova duhet të vazhdojë dhe të mos e pres njohjen nga Serbia. Kreu i qeverisë kosovare tha se për 13 vjet, populli i Kosovës ka jetuar pa njohjen nga Serbia dhe se ai nuk do të paguajë asgjë për ta arritur këtë.

Sigurisht, unë do të preferoja që Serbia ta njohë Kosovën, por nëse Serbia nuk e dëshiron atë, ne duhet të vazhdojmë të jetojmë pa atë njohje. Unë nuk jam duke planifikuar të zëvendësojë varësinë e kaluar të Kosovës nga Serbia me varësinë e re të Kosovës nga njohja e Serbisë për vendin tonë të pavarur. Pra, për 13 vjet ne kemi jetuar pa njohjen e Serbisë. Do të ishte mirë nëse Serbia na njeh, por unë nuk do të paguaj për këtë, as me territorin e Kosovës, as me funksionalitetin e shtetit tonë. Kosova është e pavarur. 26 nga 30 vendet e NATO-s e kanë njohur atë, 22 nga 27 vendet anëtare të BE-së e njohën Kosovën. Rusia dhe Kina nuk na njohin, por SHBA-ja, Franca dhe Britania e Madhe në Këshillin e Sigurimit na njohin. Ne do të duhet të vazhdojmë tutje”,  është shprehur ndër të tjera ai.

Sipas tij, në Kosovë nuk ka probleme ndër-etnike. Ai tha se në thelb, serbët në Kosovë janë nën presion nga Beogradi.

Ne jemi qeveri paqësore dhe do të kujdesemi për të gjithë qytetarët e Kosovës. Në Kosovë nuk ka probleme ndër-etnike. Në të vërtetë, ju keni serbë në Kosovë që ankohen për presionin nga Serbia. Kur isha kryeministër për herë të parë, unë e emërova Aleksandër Stankoviqin nga Ranillugu si këshilltar timin, por pas dy orësh, ai dha dorëheqje për shkak të presionit nga strukturat e Beogradit. Në thelb, serbët e Kosovës janë nën presion nga Beogradi. Ne duam t’i ndihmojmë gjithashtu. Sepse, siç e dini, pothuajse 100% janë të detyruar të votojnë vetëm për një parti, e cila është nën kontroll dhe financohet nga Beogradi, dhe kjo është me të vërtetë trishtuese. Unë mendoj se duhet të ketë pluralizëm demokratik dhe jo homogjenizim nacionalist”, deklaroi kryeministri i Kosovës.

Kurti përmendi edhe liturgjinë e mbajtur në kishën ortodokse në oborrin e kampusit të Universitetit të Prishtinës, duke e cilësuar si liturgji politike.

Ne i trajtojmë të gjitha incidentet, por gjithashtu nuk është mirë që në një kishë e cila nuk është përfunduar sepse ata nuk kanë arritur ta bëjnë atë, pasi ishte gjatë periudhës së Millosheviqit në kampusin universitar, një kishë gjysmë e përfunduar, të vijnë për të bërë liturgji politike. Nuk është mirë. Pa kërkuar leje. Sepse, edhe sipas marrëveshjes së Brukselit, sa herë që vini, duhet të kërkoni leje. Millosheviqi shpronësonte territorin e kampusit universitar, dhe gjithashtu ndërmarrje dhe prona në pronësi publike për ta ndërtuar kishën. Instrumentalizimi i kishës nga Millosheviqi është diçka që ne duhet ta dënojmë dhe jo ta kthejmë atë në liturgji politike”, tha ai.

Kjo, beson Kurti, ka rrënjë politike dhe është bërë për interes të dikujt.

Dhjetëra sinjalizime për korrupsion dhe shpërdorim detyre

REL: Kurti erdhi në pushtet me premtimin për “duar të pastra”, por…

Nënshkrimi i marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës

Albin Kurti: Kur bëhemi bashkë, edhe punët janë më të mira

Rindezja e konfliktit me Kosovën dhe rindërtimi i qeverisë

Vuçiç po përpiqet të largojë vëmendjen nga protestat