MENU
klinika

Kosovë-Serbi

Përfundon takimi në Bruksel, asnjë përparim në dialog

07.07.2021 - 20:34

Në Bruksel ka përfunduar takimi mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga BE-ja, por përveç diskutimeve për dallimet që kanë palët, asnjë vendim nuk është arritur.

Në përfundim të bisedimeve, të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për moszbatim të marrëveshjeve të kaluara në kuadër të dialogut.

Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i ngarkuar me çështjen e dialogut, tha se në takim është diskutuar për marrëveshjet e arritura deri tani në kuadër të dialogut dhe për vërejtjet që kanë palët në lidhje me zbatimin e tyre.

“Ne kemi parashtruar ato vërejtje për marrëveshjet në lidhje me hapat e deritanishëm të Serbisë, përshembull për marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit, njohjen e diplomave, lirinë e lëvizjes, pastaj marrëveshjen e fusnotës, pasi kemi parë që pala serbe nuk i ka përmbushur obligimet e saj”, tha Bislimi.

Ndërsa drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, njëherësh udhëheqës i delegacionit serb, tha se pala e Prishtinës asnjëherë gjatë bisedimeve nuk e përmendi çështjen e të zhdukurve ose formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

“Ne u kemi thënë atyre se Asociacioni është kusht mbi kushtet nëse duam të ecim tutje. Asociacioni nënkupton realizimin e të gjitha të drejtave të qytetarëve serbë, sepse incidente të shumta janë vetëm provë se sa i nevojshëm është formimi i tij”, tha Petkoviq.

Ai pretendoi se pala serbe ka përmbushur pothuajse të gjitha marrëveshjet në kuadër të dialogut dhe se ankesat e delegacionit të Kosovës kishin të bënin kryesisht me çështje teknike të zbatimit të tyre.

I dërguari i posaçëm i BE-së për çështjen e dialogut, Mirosllav Lajçak, i quajti përmbajtësore diskutimet. Ai fillimisht kishte zhvilluar takime të veçanta me të dyja delegacionet – të martën me të Kosovës dhe të mërkurën me të Serbisë – ndërsa më pas është mbajtur takimi tre-palësh mes tij dhe zyrtarëve nga të dyja delegacionet.

“Diskutimet të gjerë për elementet e dialogut, marrëveshjet e kaluara, çështjet aktuale dhe hapat e ardhshëm në drejtim të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Lajçak përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

Bisedimet e sotme mes delegacioneve negociuese janë të parat në këtë nivel që nga takimi i parë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 15 qershor.

Më herët ishte thënë se delegacionet do të përgatisin edhe mbajtjen e takimit të ardhshëm mes dy liderëve, i paraparë për në fund të muajit korrik, por zëvëndëskryeministri Bislimi tha se për këtë çështje do të diskutohet gjatë javës së ardhshme në formën online.

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, ka nisur në vitin 2011, si dialog për çështje teknike, për të evoluuar më pas në dialog të nivelit politik.

Palët nuk po arrijnë pajtim në pothuajse asgjë.

Derisa Kosova ia përmend Serbisë disa ngecje në zbatimin e një sërë marrëveshjeve, pala serbe insiston më së shumti në themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është arritur në kuadër të dialogut të Brukselit, në vitin 2013, e cila marrëveshje është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Në vitin 2015, sërish është arritur një marrëveshje shtesë lidhur me formimin e Asociacionin, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte vlerësuar që shumë pika të kësaj marrëveshje nuk ishin në harmoni me Kushtetutën e vendit.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me pyetjen se a ka ajo ndonjë propozim për zgjidhjen e çështjes së Asociacionit, të cilën do ta parashtrojë në dialog me Serbinë, ashtu siç ka kërkuar Bashkimi Evropian. Por, nuk ka pranuar përgjigje.

Të hënën, më 5 korrik, Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Mathew Palmer, në një intervistë për Rtv 21, ka thënë se Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është obligim të cilin e kanë marrë institucionet e Kosovës dhe duhet ta zbatojnë. Ai ka theksuar që “ekzistojnë mekanizma përmes të cilave Kosova mund të zgjidhë këtë çështje në përputhje me Kushtetutën e vet”.

Arsim Bajrami, profesor i të Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Prishtinës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se “pala kosovare, paraprakisht do të duhej që derisa të vendoset në tavolinë çështja e Asociacionit, t’i kryejë detyrimet në raport me Asociacionin. Ta rishikojë statutin, ta harmonizojë sipas gjetjeve të Gjykatës Kushtetutese, ta dekretojë dhe me atë version të rishikuar, të shkojë në bisedimet finale”.

Më herët, James Ker-Lindsay, profesor në Shkollën për Ekonomi dhe Shkenca Politike të Londrës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Kosovës dhe Serbisë i duhet një marrëveshje përfundimtare dhe jo vazhdim i dialogut në formatin e Bashkimit Evropian.

“Çështja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po bëhet sikurse Qipro. Unë e kam parë se çfarë ka ndodhur me dialogun në Qipro. Është humbje kohe, ata po zhvillojnë dialog qe 50 vjet. Juve ju duhet një marrëveshje përfundimtare. Ju duhet një ujdi gjithëpërfshirëse, sepse në Qipro kanë provuar kështu, me disa masa të ndërtimit të besimit, por gjithmonë kanë pasur mosmarrëveshje”, ka thënë ai. /REL/

Dhjetëra sinjalizime për korrupsion dhe shpërdorim detyre

REL: Kurti erdhi në pushtet me premtimin për “duar të pastra”, por…

Nënshkrimi i marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës

Albin Kurti: Kur bëhemi bashkë, edhe punët janë më të mira

Rindezja e konfliktit me Kosovën dhe rindërtimi i qeverisë

Vuçiç po përpiqet të largojë vëmendjen nga protestat