MENU
klinika

Në prag të fillimit të hetimit për sulmin

Thellohen përçarjet politike në SHBA!

27.07.2021 - 12:11

Oficerët e policisë që mbrojtën ndërtesën e Kapitolit do të jenë të parët që do të dëshmojnë në seancat e dëgjimit që fillojnë sot nën mbikqyrjen e Komisionit të Përzgjedhur të Dhomës së Përfaqësuesve për Hetimin e Sulmit të 6 janarit.

Krijimi i komisionit dhe zgjedhja e anëtarëve të tij po thellon përçarjet politike midis republikanëve dhe demokratëve.

Demokratët fillimisht propozuan një komision të pavarur bazuar në suksesin e komisionit që bëri një hetim me mbështetje të gjërë mbi sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara.

“Komisioni i pavarur do të ishte një organ me ndikim shumë më të madh”, thotë analisti politik Norm Ornstein, i cili punon në Institutin “American Enterprise”.

Një grup demokratësh dhe republikanësh në Dhomën e Përfaqësuesve dolën me një plan për një komision të pavarur. Kishte marrëveshje për shumë kërkesa të republikanëve. Komisioni parashikohej të kishte numër të barabartë të demokratëve dhe republikanëve dhe një afat deri në fundit të vitit për nxjerrjen e raportit përfundimtar. Në mes të majit, ai u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve me 252 pro dhe 175 kundër. 35 ligjvënës republikanë votuan në favor të krijimit të komisionit.

Komision i Pavarur apo Panel

Për ngritjen e një komisioni duhet miratimi nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati dhe duhet të marrë nënshkrimin e presidentit. Një komision i tillë do të kishte më shumë fuqi për të kryer hetimin.

“(Një komision i pavarur) do të kishte qenë në gjendje të merrte më shumë komptenca në lidhje me aftësinë e tij për të ftuar dëshmitarë dhe për të marrë informacion të rëndësishëm. Ata mund të kishin qenë në gjendje, për shembull, të kërkonin ndihmën e Departamentit të Drejtësisë si një komision i pavarur. Kështu kjo ka qenë rruga më e preferuar”, thotë analisti Ornstein.

Por në fund të majit, republikanët e Senatit bllokuan përpjekjen për të hedhur në votim krijimin e një komisioni, duke shuar shpresat e demokratëve.

Në fund të qershorit, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja Nancy Pelosi, hodhi propozimin për ngritjen e një komisioni të përzgjedhur në një seancë të Dhomës së Përfaqësuesve për të hetuar ngjarjet e 6 janarit.

“Ai do të funksionojë në thelb si çdo komision tjetër në Dhomën e Përfaqësuesve”, shpjegon zoti Ornstein. “Ata do të kenë autorizim për paraqitje të detyruar … dhe kjo do të thotë se ata do të kenë aftësinë të paktën në teori për të kërkuar ose detyruar paraqitjen e dëshmitarëve”.

Republikanët akuzuan demokratët se ata duan një rezultat të paracaktuar, por Dhoma e Përfaqësuesve autorizoi komisonin e ri të zgjedhur. Vetëm dy republikanë votuan në favor të kësaj mase.

Beteja për zgjedhjen e anëtarëve të komisionit

Tetë nga 13 anëtarët u emëruan nga zonja Pelosi, e cila zgjodhi shtatë demokratë dhe republikanen Liz Cheney, e cila u përjashtua nga posti i tretë më i rëndësishëm i udhëheqjes së partisë së saj në Dhomën e Përfaqësuesve për shkak të sfidës së saj të hapur ndaj pretendimit të rremë të Presidentit Trump se zgjedhjet e vitit 2020 ishin manipuluar.

“Disa nga republikanët e tjerë që janë shprehur hapur për këtë janë nën presion të madh nga partia e tyre për të mos marrë pjesë në hetim. Duhet një guxim i madh, të cilin Liz Cheney e ka treguar, për të vepruar kundër partisë suaj dhe udhëheqësit të partisë tuaj”.

Si udhëheqës i partisë së pakicës, republikani Kevin McCarthy kishte të drejtë të zgjidhte pesë anëtarë të komisionit. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja Nancy Pelosi refuzoi dy prej tyre: ligjvënësin Jim Jordan nga Ohajo dhe ligjvënësin Jim Banks nga Indiana. Jordan ka qenë një mbështetës i zëshëm i pretendimit të rremë të zotit Trump për zgjedhjet. Ligjvënësi Banks kishte thënë se ai do të përdorte postin e tij në komision për të shqyrtuar protestat për drejtësi racore të verës së kaluar. Të dy votuan për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve në Kongres.

“Ata kishin bërë deklarata dhe kishin ndërmarrë veprime që mendoj se do të ndikonin në integritetin dhe punën e komisionit”, shpjegoi Pelosi të enjten.

McCarthy u përgjigj duke thënë se “Pelosi ka krijuar një proces të rremë. Në qoftë se Kryetarja Pelosi nuk ndryshon kursin dhe nuk vendos të pesë republikanët (në komision), ne nuk do të marrim pjesë.”

McCarthy mund të jetë një dëshmitar i mundshëm i komisionit për të mësuar më shumë rreth thirrjes së tij telefonike në 6 janar me Presidentin e atëhershëm Donald Trump, në të cilën thuhet se ai iu lut presidentit që t’u kërkonte mbështetësve të tij të tërhiqeshin nga sulmi ndaj Kapitolit.

“Ai nuk dëshiron të dëshmojë dhe nuk dëshiron që të tjerët të tregojnë se ai e sfidoi (zotin) Trump dhe u kundërshtua”, shpjegon analisti Ornstein. “Dhe pastaj shtrohet pyetja nëse (Kongresi) mund të kërkojë paraqitjen me detyrim të një anëtari të tij, duke përfshirë udhëheqësin e një partie”, shtoi Ornstein.

Pelosi emëroi një republikan të dytë, ligjvënësin Adam Kinzinger, si anëtar të komisionit të hënën. Ai dhe ligjvënësja Cheney ishin republikanët e vetëm që votuan me demokratët për krijimin e komisionit për hetimin e sulmit të 6 janarit në Kapitol. McCarthy i quajti ata “Republikanë të Pelosit”.