Raporti i fundit i Qendrës “Wilson” në Uashington që i është përkushtuar zgjidhjes së çështjes së Kosovës, mund të shënoj një valë të re të presionit ndaj Serbisë kur bëhet fjalë për çështjen e Kosovës, shkruan “Kurir”, transmeton “Bota Sot”.
Në këtë raport ndër tjera thuhet se tash krijohet rast i veçantë për zgjidhjen e një prej burimeve kryesore të tensioneve ndërshtetërore në Ballkanin perëndimor, duke u mbështetur në shumicën e re parlamentare në Prishtinë, të bazuar “në platformën e përparimit dhe luftën kundër korrupsionit”. Ndër tjera thuhet se mbështetja e ShBA-ve dhe BE-së është e domosdoshme në arritjen e qëllimit të ekzistimit të shteteve shumë etnike edhe të pavarura që do të bashkëjetojnë në këtë regjion . Sipas raportit qeveria e Kosovës është e përkushtuar në këtë, ndërsa Beogradi nuk është.
Serbisë në raport i shihet e madhe mundësimi i rritjes së ndikimit rus edhe kinez në regjion, sikurse edhe fakti se këto dy shtete Serbinë e shfrytëzojnë si mjet për rritjen e fuqisë dhe nxitjen kundër dobive që perëndimi i sjell Ballkanit. Në raport nënvizohet se përforcimi i sovranitetit të Kosovës zgjidh tensionet në Ballkan.
Lidhur me këtë raport ish-shefi i diplomacisë serbe Zhivadin Jovanoviç për “ Kurir” tha se Serbia në asnjë mënyrë nuk mund të pranojë statusin e vendit të nënshtruar, përkatësisht dikujt që i diktohet se në cilin drejtim duhet të shkojë në raportet ndërkombëtare.
“Serbia është vend i lirë evropian, që zhvillon partneritet strategjik me Rusinë dhe Kinën, gjë që nuk e ka me asnjë vend perëndimor dhe raportet ruse-serbe dhe kinezo-serbe janë raporte vendime sovrane të atyre vendeve” tha Jovanoviç.
“Ndërsa sa i përket krijesës ilegale ‘Republikës së Kosovës’- Amerika edhe BE me forcë e kanë marr Kosovën nga Serbia dhe iu a kanë dorëzuar atë të dashurve të vetë në Prishtinë”.