MENU
klinika

Simbol i Luftës së Ftohtë

Muri i Berlinit shënon 60-vjetorin e ndërtimit

13.08.2021 - 11:04

Gjermania do të shënojë 60-vjetorin e nisjes së ndërtimit të Murit të Berlinit, i cili ka ndarë kombin në dy sisteme rivale politike dhe është bërë simbol i Luftës së Ftohtë, duke ekzistuar për 28 vjet.

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier dhe kryetari i Berlinit, Michael Mueller, pritet të marrin pjesë më 13 gusht në ceremoninë në Berlin, që shënon këtë përvjetor.

Ata do të vizitojnë vendin përkujtimor të Murit të Berlinit, ku besohet se rreth 140 persona janë vrarë nga gardat kufitare të Gjermanisë Lindore, teksa kanë tentuar të ikin drejt Perëndimit.

Ndërtimi i Murit ka nisur më 13 gusht 1961, kur ushtarët e Gjermanisë Lindore kanë nisur të shtrijnë më shumë se 40 kilometra tela me gjemba dhe beton, në atë që është konsideruar mbrojtje për të parandaluar hyrjen e fashistëve në Berlinin Lindor.

Muri ka qenë 3.6 metra i lartë dhe ka rrethuar pjesën e ish-Bashkimit Sovjetik në kryeqytetit gjerman, i cili, ashtu si vetë Gjermania, ishte ndarë midis Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Francës dhe ish-Bashkimit Sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore.

Muri është rrëzuar përmes një revolucioni në lindje, në nëntor të vitit 1989, duke i hapur rrugë bashkimit të Gjermanisë.