Pas 20 vitesh luftë, forcat e huaja u tërhoqën nga Afganistani pas një marrëveshjeje midis Shteteve të Bashkuara dhe militantëve talebanë, që ata hoqën nga pushteti në vitin 2001.
Angazhimi ushtarak amerikan në Afganistan, që tani po merr fund pas 20 vjetësh, është lufta më e gjatë që kanë zhvilluar ndonjëherë Shtetet e Bashkuara. Konflikti ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz dhe ka zhvendosur miliona të tjerë. Talebanët janë zotuar të mos lejojnë Afganistanin të bëhet një bazë për terroristët që mund të kërcënojnë Perëndimin. Por ish-sundimtarët e ashpër të vendit e kanë fituar shpejt territorin në javët e fundit nga ushtarët e ushtrisë afgane.
Talebanët gjithashtu u zotuan për bisedime paqësore kombëtare, por shumë kanë frikë se një përkeqësim i luftës civile mbetet një rezultat shumë më i mundshëm. Sidoqoftë, Joe Biden, Presidenti i katërt amerikan që mbikëqyri atë që është bërë lufta më e gjatë në Amerikë- një që kushton qindra miliarda dollarë ka caktuar një datë simbolike të 11 shtatorit 2021 për tërheqjen e plotë.
SI NISI DHE U ZHVILLUA LUFTA
Në vitin 2001, SHBA-ja po reagonte ndaj sulmeve të 11 shtatorit në Nju Jork dhe Uashington, në të cilat u vranë gati 3,000 njerëz. Zyrtarët identifikuan grupin militant islamik al-Kaeda dhe udhëheqësin e tij Osama Bin Laden, si përgjegjës. Bin Laden ishte në Afganistan, nën mbrojtjen e talebanëve, islamikët që kishin qenë në pushtet që nga viti 1996. Kur ata refuzuan ta dorëzonin atë, SHBA ndërhyri ushtarakisht, duke hequr shpejt talebanët nga pushteti dhe duke u zotuar se do të mbështesnin demokracinë dhe do të eliminonte kërcënimin terrorist. Në tetor 2001, forcat e drejtuara nga SHBA bombarduar qendrat e talebanëve dhe Al Kaedës.
Në mes të nëntorit 2001, aleanca anti-talebane e mbështetur nga forcat e koalicionit hyn në Kabul. Talebanët ikin nga kryeqyteti. Militantët u larguan dhe më vonë u rigrupuan. Aleatët e NATO-s iu bashkuan SHBA-së dhe një qeveri e re afgane mori pushtetin në 2004, por sulmet vdekjeprurëse talebane vazhduan. “Shtimi i trupave” të Presidentit Barack Obama në 2009 ndihmoi në zmbrapsjen e talebanëve, por nuk ishte afatgjatë.
Në maj 2011 në Pakistan vritet Osama Bin Laden dhe dy vite më vonë, në prill 2013, themeluesi i talebanëve, Mullah Muhammed Omar po ashtu vritet. Vdekja e tij u mbajt sekret për më shumë se dy vjet. Në vitin 2014, në fund të vitit më të përgjakshëm që nga viti 2001, forcat ndërkombëtare të NATO-s i dhanë fund misionit të tyre luftarak, duke ia lënë përgjegjësinë për sigurinë ushtrisë afgane. Kjo i dha vrull talebanëve dhe ata morën më shumë territor. Në vitin 2019, Presidenti i atëhershëm Ashraf Ghani tha se që kur ai ka marrë detyrën në vitin 2014, janë vrarë më shumë se 45,000 forca të sigurisë.
Nisën bisedimet e paqes midis Shteteve të Bashkuara dhe talebanëve, me qeverinë afgane pak a shumë të përfshirë dhe marrëveshja për tërheqjen erdhi në shkurt 2020 në Katar. Marrëveshja SHBA-talebanë nuk i ndaloi sulmet e talebanëve ata e përqendruan fokusin e tyre në forcat afgane të sigurisë dhe civilët. Fushat e tyre të kontrollit u rritën.
KOSTOT FINANCIARE
Shumica dërrmuese e shpenzimeve në Afganistan kanë ardhur nga SHBA-ja. Nga viti 2010 deri në vitin 2012, kur Shtetet e Bashkuara për një kohë kishin më shumë se 100,000 ushtarë në vend dhe kostot e luftës u rritën në gati 100 miliardë dollarë në vit, sipas shifrave të qeverisë amerikane. Ndërsa ushtria amerikane e zhvendosi fokusin e saj nga operacionet e ofensivës dhe u përqendrua më shumë në trajnimin e forcave afgane, kostot ranë ndjeshëm.
Deri në vitin 2018 shpenzimet vjetore ishin rreth 45 miliardë dollarë, tha një zyrtar i lartë i Pentagonit në Kongresin Amerikan atë vit. Sipas Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, shpenzimet e përgjithshme ushtarake në Afganistan (nga tetori 2001 deri në shtator 2019) kishin arritur në 778 miliardë dollarë. Përveç kësaj, Departamenti Amerikan i Shtetit – së bashku me Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe agjenci të tjera qeveritare – shpenzuan 44 miliardë dollarë në projekte rindërtimi.
Kjo sjell koston totale – bazuar në të dhënat zyrtare – në 822 miliardë dollarë midis 2001 dhe 2019, por nuk përfshin asnjë shpenzim në Pakistan, të cilin SHBA e përdor si bazë për operacionet e lidhura me Afganistanin. Sipas një studimi të Universitetit “Brown” në vitin 2019, i cili ka parë shpenzimet e luftës në Afganistan dhe Pakistan, SHBA-ja kishte shpenzuar rreth 978 miliardë dollarë (vlerësimi i tyre përfshin edhe paratë e ndara për vitin fiskal 2020). Studimi vëren se është e vështirë të vlerësohet kostoja e përgjithshme, sepse metodat e kontabilitetit ndryshojnë midis departamenteve qeveritare dhe ato gjithashtu ndryshojnë me kalimin e kohës, duke çuar në vlerësime të ndryshme të përgjithshme.
Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, të cilët kishin numrin më të madh të trupave në Afganistan pas Shteteve të Bashkuara, shpenzuan rreth 30 miliardë dollarë dhe 19 miliardë dollarë respektivisht gjatë luftës. Pavarësisht tërheqjes së pothuajse të gjithë trupave të tyre, SHBA-ja dhe NATO kanë premtuar një total prej 4 miliardë dollarësh në vit deri në vitin 2024 për të financuar forcat e Afganistanit. Deri më tani këtë vit, NATO ka dërguar furnizime dhe pajisje me vlerë 72 milion dollarë në Afganistan.
Pjesa më e madhe e parave të shpenzuara në Afganistan kanë qenë për operacionet kundër kryengritjes dhe nevojat e trupave të tilla si ushqimi, veshmbathja, kujdesi mjekësor, pagesa dhe përfitime speciale. Të dhënat zyrtare tregojnë se që nga viti 2002, SHBA-ja gjithashtu ka shpenzuar rreth 143.27 miliardë dollarë për aktivitetet e rindërtimit në Afganistan. Më shumë se gjysma (88.32 miliardë dollarë) u shpenzuan për ndërtimin e forcave afgane të sigurisë, përfshirë Ushtrinë Kombëtare Afgane dhe forcën policore. Gati 36 miliardë dollarë janë ndarë për qeverisjen dhe zhvillimin, ndërsa shuma më të vogla u ndanë gjithashtu për përpjekjet kundër drogës dhe për ndihmën humanitare. Disa nga këto para janë humbur për mashtrim dhe abuzim ndër vite. Në një raport drejtuar Kongresit Amerikan në Tetor 2020, mbikëqyrësi përgjegjës për mbikëqyrjen e përpjekjeve të rindërtimit në Afganistan vlerësoi se rreth 19 miliardë dollarë ishin humbur në këtë mënyrë midis majit 2009 dhe 31 dhjetorit 2019.