MENU
klinika

Çështja bërthamore

Irani dominon në bisedimet midis kryeministrit izraelit dhe shefit të CIA-s

12.08.2021 - 08:00

Kryeministri izraelit, Naftali Bennett, ka diskutuar çështjen bërthamore iraniane me drejtorin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së (CIA), William Burns, mes tensioneve në rritje midis Tel Avivit dhe Teheranit.

Zyra e kryeministrit izraelit njoftoi se takimi u zhvillua në selinë e Ministrisë së Mbrojtjes në Tel Aviv.

“Të dy palët diskutuan forcimin e bashkëpunimit të inteligjencës dhe sigurisë midis Izraelit dhe SHBA-së, si dhe situatën në Lindjen e Mesme, me fokus Iranin dhe mundësitë e zgjerimit dhe thellimit të bashkëpunimit rajonal”, tha zyra e kryeministrit Bennett.

Dje, shefi i CIA-s mbërriti në Izrael dhe pritet që të vizitojë edhe territoret palestineze.

Gjatë vizitës, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit, Burns takoi shefin e Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës së Izraelit (Mossad), David Barnea, me të cilin diskutoi çështjen bërthamore iraniane dhe sfidat e tjera rajonale për të cilat dy agjencitë e inteligjencës synojnë të bashkëpunojnë.

Më 29 korrik, një anije e operuar nga një kompani izraelite u sulmua në Gjirin e Omanit duke rezultuar në vrasjen e dy personave të ekuipazhit të saj.

Izraeli, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja akuzuan Iranin se qëndron pas sulmit, akuza të cilat Teherani fuqishëm i mohoi.