MENU
klinika

E vërteta e Kakomesë

Nga blerja e pronës tek projekti i ri turistik

13.08.2021 - 11:07

“Në ditët e fundit, një portal ka sulmuar dhe shpifur padrejtësisht në drejtim të Z. Luan Leka dhe shoqërisë Riviera Kakome”. Kështu shprehen avokatët e biznesmenit Leka teksa shprehin keqardhje për shpifjet dhe parashtrojnë të vërtetën e blerjes së pronës dhe projektit të ri turistik.

“Fatkeqësisht, pjesë nga artikujt e portalit janë shpërndarë edhe nga disa media të tjera elektronike. Z. Luan Leka ka mandatuar zyrën ligjore Tashko Pustina për të ngitur padi ndaj ketij portali. Në cilësinë e përfaqësuesve ligjorë të Z. Luan Leka në këtë çështje të ardhshme gjyqësore, avokatë informojnë publikun mbi pavërtetësinë e plotë të artikujve të portalit në lidhje me çështjen Kakome dhe z. Luan Leka”.

Pronësia e truallit të Gjirit të Kakomesë
Më datë 23.06.2004, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë miratoi zhvillimin e një strukture turistike në gjirin e Kakomesë. Në vijim Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit nënshkroi me shoqërinë “Riviera” shpk (sot “Riviera Kakome” shpk) marrëveshjet e zhvillimit dhe të qirasë për përdorimin e një trualli në pronësi shtetërore për 99 vjet. Në atë kohë, nisja e punimeve u pengua nga banorët e fshatit Nivicë, një fshat malor i ndodhur rreth 7 km larg Gjirit të Kakomesë. Banorët e fshatit Nivicë pretendonin njohjen e pronësisë mbi këtë truall.

Në vitin 2006, subjekti “Bashkëpronësia e Fshatit Nivicë” i është drejtuar Komisionit Vendor të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Qarkut Vlorë duke kërkuar njohjen, kthimin dhe kompensimin e një sipërfaqeje trualli në Gjirin e Kakomesë, sipërfaqe e cila ndërkohë ishte në pronësi shtetërore. Komisioni, me Vendimin nr. 204, datë 18.07.2006, rrëzoi kërkesën e subjektit “Bashkësia e fshatit Nivicë”.

Bashkësia e fshatit Nivicë e ankimoi vendimin e Komisionit të Qarkut Vlorë, pranë Agjencisë për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave. Agjencia, me vendimin nr. 244, datë 07.09.2007, hodhi poshtë kërkesat e Bashkësisë së Fshatit Nivicë duke mos njohur bashkëpronësinë e Bashkësisë së Fshatit Nivicë mbi truallin në Gjirin e Kakomesë.

Bashkësia e Fshatit Nivicë e ankimoi Vendimin nr. 244 në rrugë gjyqësore. Padia e Bashkësisë së Fshatit Nivicë u rrëzua në të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe Vendimi nr. 244 i Agjencisë për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, i cili njeh pronën si pronë shtetërore, është lënë në fuqi nga të gjithë shkallët e gjyqësorit, konkretisht me vendimet e mëposhtme:

a. Vendimi nr. 7153, datë 28.07.2008 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë;
b. Vendimi nr. 786, datë 15.06.2009 i Gjykatës së Apelit Tiranë;
c. Vendimi nr. 362, datë 07.07.2011 i Gjykatës së Lartë.
d. Vendimi nr. 75, datë 15.06.2012 i Gjykatës Kushtetuese.

Blerja e pronës
Në vitin 2012, në përputhje me dispozitat e ligjit nr. 10186, datë 05.11.2009 “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”, shoqëria Riviera Kakome e zotëruar nga ortakët Dritan Çelaj dhe Luan Leka, në cilësinë e personit juridik të stimuluar, ashtu siç ishte rasti për të gjitha shoqëritë e tjera, të cilat gëzonin statusin e personit të stimuluar në zona të ndryshme me përparësi turizmin, ka blerë nga Agjensia e Legalizimit Urbanizimit dhe Integrimit sipërfaqen prej 29.07 hektarësh. Ligjshmëria e këtij procesi, është shqyrtuar nga organet dhe gjykatat kompetente, të cilat kanë konkloduar në ligjshmërinë e plotë të tij. Për më tepër, institucioni shtetëror përkatës, në cilësinë e shitësit, ka garantuar blerësin Riviera Kakome, në lidhje me pronësinë e plotë që shitësi gëzonte mbi pronën në momentin e transferimit të pronësisë së saj tek blerësi.

E vërteta mbi disa akte të marrjes së tokës në pronësi të lëshuara në vitin 2017
Në vitin 2017, Bashkia Himarë ka lëshuar disa akte të njohura si AMTP (akte të marrjes së tokës në pronësi) për një sipërfaqe trualli, e cila përfaqëson më pak se 1% të sipërfaqes së truallit në pronësi të shoqërisë Riviera Kakome. Gjithsesi, procesi i dhënies së këtyre akteve nga një njësi vendore si Bashkia Himarë, ka qenë tërësisht në kundërshtim me ligjin, dhe madje përgjegjësi i Zyrës së Mbikqyrjes dhe Manaxhimit të Tokës pranë Bashkisë Himarë është dënuar me 1 (një) vit burgim, në lidhje me këtë proces.

Janë pikërisht përfituesit e këtyre AMTP-ve abuzive dhe në kundërshtim me ligjin, të cilët sipas një informacioni të dhënë nga mediat, kanë bërë kallëzimin drejtuar SPAK, dhe nga ku SPAK sipas informacionit nga mediat, ka vendosur që këtë kallëzim të këtyre personave, t’ia dërgojë për kompetencë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Siç është shpjeguar më sipër, pavarësisht se çdo individ gëzon të drejtën të bëjë pafundësisht kallëzime apo të ngrejë pretendime, në fakt konflikti mes banorëve të Nivicës dhe shtetit në lidhje me pronësinë e tokës, është gjykuar në mënyrë shteruese nga gjykatat e të gjitha niveleve, duke hedhur poshtë përfundimisht pretendimet e banorëve të fshatit Nivicë.

Projekti i ri turistik në Gjirin e Kakomesë
Mungesa e sigurisë juridike, dhe pamundësia për të gëzuar në mënyrë të qetë pronën e blerë në mënyrë të rregullt nga Riviera Kakome, kanë penguar realizimin e investimeve të rëndësishme në Gjirin e Kakomesë. Shtojmë këtu se shoqëri ndërkombëtare të mirënjohura dhe me reputacion si Club Med, apo Blu Serena, pasi kanë shfaqur interesin e tyre, janë detyruar të largohen më pas, si pasojë e këtyre konflikteve.

Grupi i investitorëve vendas i përbërë nga shoqëria Riviera Kakome, Luan Leka, shoqëria Agikons dhe Dritan Celaj, edhe me mbështetjen e bankave, janë në pragun e nisjes së një investimi prej rreth 70 milion Euro në Gjirin e Kakomesë. Projekti i ri parashikon ndërtimin e një resorti turistik hotelier, me 5 yje, me një kapacitet prej 375 dhoma. Ky projekt është më i madhi sot në rivierën shqiptare. Operatorë të rëndësishëm ndërkombëtarë si Hilton, Accor, Barcelo dhe Radisson, kanë paraqitur interesin e tyre dhe jane parakualifikuar për të menaxhuar këtë resort hotelier.

Ssipas avokatëve “është për të ardhur keq, që portali në fjalë dhe disa media elektronike, kanë dizinformuar, në lidhje me këtë çështje, duke dëmtuar projektin dhe rrezikuar që investitorët e interesuar të kenë të njëjtin fat me Club Med dhe Blu Serenen duke penguar në këtë mënyrë zhvillimin e zonës”. “Ndër të tjera, këto shpifje kanë dëmtuar edhe figurën e Z. Luan Leka, i cili është nga një investitorët më të hershëm dhe me më reputacion në Shqipëri, si dhe një nga taksapaguesit më të mëdhenj në vend me shoqëritë, në të cilat ai gëzon interesa. Shoqëritë e grupit të Z. Leka punësojnë mbi 1000 persona, dhe janë shoqëri kryesisht prodhuese, të cilat asnjëherë nuk kanë përfituar, por vetëm kanë kontribuar në fondet dhe paratë publike. Projekti i Gjirit të Kakomesë përfaqëson një angazhim të madh dhe serioz, dhe sigurisht ky projekt do të sjellë një zhvillim të jashtëzakonshëm në sektorin e turizmit dhe zonën, në të cilën ndodhet prona”, shprehen përfaqësuesit ligjor.

Çfarë u gjet brenda automjetit të autorëve?

Breshëri plumbash drejt 30-vjeçarit, detaje nga atentati

Artistët vlerësojnë mikpritjen e publikut shqiptar

Muzika italiane Jazz, në Gjirokastër!

Dëmtohen të mbjellat dhe ura lidhëse mes fshatrave

Përmbyten tokat nga reshjet e shiut në Divjakë