Pas një çerek shekulli në paqe relative, Ballkani nuk e ka arritur ende stabilitetin e qëndrueshëm që shpresohej në kohën kur mbaruan luftërat në rajon. Dhe tashmë që procesi i integrimit në BE ka ngecur, nuk mund të përjashtohet një rikthim i konflikteve të dhunshme.
Nga Carl Bildt
Ndërsa dy dekada të luftës në Afganistan po shkojnë drejt fundit më të zymtë të mundshëm, ia vlen të kujtojmë se kanë kaluar tashmë tre dekada që kur lufta erdhi në Ballkan. Të dyja janë raste studimore se si keqmenaxhimi i luftës mund të shkaktojë pasoja shkatërruese që zgjasin për dekada.
Në Ballkan, një luftë e vogël mes shtetit të shpërbërë të Jugosllavisë me njërën prej republikave të saj, Slloveninë, u pasua nga një konflikt edhe më i madh në Kroaci. Brenda vitit, një konflikt i egër shpërtheu gjithashtu në Bosnje dhe Hercegovinë. Papritur, periudha e post-luftës në Europë kishte përfunduar.
Luftërat Ballkanike shpërthyen për një dekadë. Marrëveshja e Paqes së Dejtonit i dha fund konfliktit në Bosnje më 1995, por më pas erdhi lufta e Kosovës, e cila vazhdoi deri në vitin 1999 dhe u ndoq në vitin 2001 nga një shpërthim serioz i dhunës në atë që është sot Maqedonia e Veriut.
Si përfundim, luftërat Ballkanike shkaktuan mbi 100,000 viktima, zhvendosën miliona njerëz dhe vonuan zhvillimin ekonomik dhe social të rajonit për dekada. Megjithëse mbijetoi gjerësisht me kredi, Jugosllavia e vjetër u siguroi qytetarëve të vet një standard më të mirë jetese se homologët e tjerë socialistë. Shpërbërja e gjatë dhe e dhunshme e vendit e ndryshoi gjithçka.
Marrëveshjet e paqes që u lidhën së bashku në atë kohë ishin thjesht masa ndaluese. Të gjithë e kuptuan se stabiliteti i qëndrueshëm do të kërkonte një kuadër më të gjerë dhe shumë më gjithëpërfshirës.
Ndaj edhe në vitin 2003, liderët e Bashkimit Europian deklaruan se të gjitha vendet e rajonit duhet të punojnë drejt së ardhmes për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme brenda BE-së.
Askush nuk priste që kjo të ndodhte brenda natës; por as nuk mendohej që procesi i integrimit do të ishte kaq i zgjatur sa ç’u bë. Që nga pranimi i Slovenisë dhe Kroacisë respektivisht në vitet 2004 dhe 2013, zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit praktikisht ka ngecur.
Arsyet për këtë janë të dyfishta. Fillimisht, reformat politike dhe ekonomike në vendet e Ballkanit kanë qenë jashtëzakonisht të ngadalta, ndërsa korrupsioni dhe ndjenjat nacionaliste janë bërë gjithnjë e më të ngulitura. Së dyti, mbështetja për zgjerim të mëtejshëm është zbehur brenda shumë prej vendeve të BE-së.
Ndërsa politikanët i kushtojnë ende një vëmendje hipokrite kësaj ideje, pengesat dhe vonesat e reja kanë tendencën të priten me lehtësim nga shumë prej vendeve kyçe të BE-së.
Për më tepër, problemet brenda vendeve të Ballkanit janë të rënda. Një çerek shekulli pas marrëveshjes së Dejtonit, komuniteti ndërkombëtar e ka konsideruar Bosnjen kaq politikisht jo-funksionale, sa të kërkojnë një Përfaqësues të ri të Lartë me kompetenca të gjera (unë isha i pari që e mbajta një post të tillë, duke shërbyer nga 1995 në 1997), duke prishur në mënyrë efektive axhendën e vendit për integrimin në BE.
Ndërkohë, Serbia ka rënë në çizmen e një regjimi autokratik që flirton një ditë me Kinën dhe ditën tjetër i përkushtohet Rusisë, ndërsa përfaqësuesit e saj vazhdojnë të vendosin një fytyrë të mirë për Komisionin Europian në Bruksel.
Pavarësisht përpjekjeve të mëdha të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara, mosmarrëveshjet mes Serbisë dhe Kosovës nuk janë kurrkund afër zgjidhjes.
Së fundmi, pasi u bllokua t’i bashkohej BE-së nga Greqia, Maqedonia e Veriut e gjen veten tashmë të shantazhuar nga Bullgaria për arsye që shkojnë shumë prapa në historinë e rajonit (por që nuk kanë ndonjë rëndësi bashkohore).
Çështje edhe më të komplikuara, si lufta e BE-së për të frenuar sulmet e qeverive hungareze dhe polake ndaj sundimit të ligjit dhe mediave të pavarura e kanë frenuar oreksin e saj për të ndërmarrë një rrisk me anëtarët e rinj potencialisht jo-liberalë. Kur Hungaria ofron mbështetjen e saj entuziaste për pranimin e Serbisë, shumë të tjerë në BE shohin një axhendë të fshehtë që duhet të bllokohet.
Uvertura BE-së në vitin 2003 ishte një hap strategjik kurajoz dhe i zgjuar. Por tashmë që perspektiva e integrimit të Ballkanit po zbehet, loja aktuale nuk mund të vazhdojë. Në vend të saj, liderët politikë duhet të pranojnë realitetin dhe të fillojnë të hartojnë hapa realistë të përkohshëm për të përmirësuar kushtet në rajon, pa braktisur qëllimin final.
Një pikënisje e mirë është inisiativa Open Balkan, e krijuar për të rritur tregtinë mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Por nuk është e mjaftueshme.
Bashkimi Europian duhet të marrë drejtimin përmes propozimit të një marrëveshjeje të re, e tillë që të ofrojë anëtarësim në regjimin e vet doganor dhe tregun e përbashkët.
Tre dekada më parë, luftërat Ballkanike filluan me një konflikt të vogël 10-ditor në kufijtë e Sllovenisë. Tani, është Sllovenia ajo që mban kryesimin e Këshillit të BE-së.
Axhenda e saj udhëheqëse përfshin edhe një takim mes të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE-së këtë tetor. Ky rast duhet të nxisë mendim të qartë dhe realist nga të gjitha palët.
Altenativa tjetër për Ballkanin Perëndimor është një rrëshqitje mbrapsht drejt dhunës. Ka ndodhur më parë. Po ndodh tani në Afganistan. Por nuk duhet të ndodhë sërish në Europë.