MENU
klinika

Ekspertët: Nuk ka tjetër rrugëdalje!

Rritja e rasteve pozitive shton thirrjet për mbajtjen e maskave

05.08.2021 - 08:00

Rritja e numrit të të infektuarve me koronavirus në Kosovë është paralajmërim për kujdes të shtuar kundër përhapjes së këtij virusi, thotë drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi.

Ai shton se tani për tani, me numrin aktual të të infektuarve, situata është e menaxhueshme, por thekson se duhet pasur kujdes në këtë drejtim.

Numri i rasteve me COVID-19 është në rritje ditëve të fundit në Kosovë, kurse më 4 gusht u regjistruan 221 raste të reja, pas testimit të 3.160 mostrave. Mbi 100 raste të infektimeve janë të grup moshës 20-39 vjeç.

Në spitalet e përgjithshme në Kosovë janë të shtrirë 107 pacientë, kurse në Klinikën Infektive në Prishtinë janë 34 pacientë, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se rreth 90 për qind e rasteve të infektimit me COVID-19 janë të lidhura me variantin Delta. Ky variant, që është më ngjitës, është bërë dominues edhe në Kosovë. Instituti, mostrat për variantin Delta, i dërgon jashtë vendit për t’i analizuar.

Ndërkaq, të paktën pesë persona të cilët kanë qenë të vaksinuar janë infektuar me koronavirus, kurse dy prej tyre, kanë qenë të vaksinuar me të dy dozat e vaksinës.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjendja e pacientëve në fjalë, nuk është e rëndë.

“Pacientët janë të shtruar, por janë duke manifestuar forma të lehta klinike dhe shpresoj që shumë shpejt do të lirohen”, thotë Vishaj.

Nga ana tjetër, infektologu Sali Ahmeti, thotë për Radion Evropa e Lirë se simptomat e variantit Delta, duket të jenë të ngjashme me ato të variantit të parë të virusit.

“Në rastet tona, nuk kemi parë ndonjë ndryshim të veçantë klinik dhe pothuajse që manifestimet klinike janë të ngjashme sikurse me virusin origjinal”, thotë ai.

Të mbahen maskat dhe të ruhet distanca
Ahmeti shton se respektimi i masave kundër pandemisë duhet të vazhdojë, në të kundërtën, sipas tij, numri i të infektuarve do të rritet.

“Unë mendoj se maskat duhet të vazhdohet që të mbahen, qoftë edhe nga personat e vaksinuar, në mënyrë të veçantë dhe gjithsesi edhe nga ata të pavaksinuar. Duhet të ruhet e mbahet distanca si dhe të mbahet higjiena personale. Këto janë disa masa mbrojtëse të cilat duhet të përfillen e të respektohen. Ne jemi ende në pandemi dhe nuk e kemi përfunduar”, thotë Ahmeti.

Për epidemiologun Isuf Dedushaj, rritja e shpejtë e rasteve me COVID-19, është shqetësuese.

Ai konsideron që nëse vazhdon një trend i tillë i infektimeve, duhet të merren masa që do të parandalonin përhapjen e mëtejme të infeksionit.

“Njerëzit kanë harruar edhe si ka qenë pandemia. E vetmja mënyrë është që të rritet numri i përfshirjes në vaksinim. E nëse vazhdon kështu rritja enorme, mandej sigurisht se duhet të merren dhe masa të tjera kundër pandemisë”, thotë Dedushaj.

“Rritja e përnjëhershme, do të thotë 100 për qind, shtyn që të ndalohen tubimet masive dhe vendosja e maskave të jetë e obligueshme në vendet ku ka numër të madh të qytetarëve. Nuk ka tjetër rrugëdalje. Vetë fakti që varianti Delta ka marrë hov gjithandej globit dhe shtetet e fuqishme, edhe pse kanë bërë një mbulim të mirë me vaksina, kanë nisur të aplikojnë masat parandaluese, në radhë të parë përdorimin e maskave në vendet publike”, shton ai.

Masat kundër pandemisë në Kosovë tashmë janë liruar pothuajse krejtësisht. Po ashtu, edhe mbajtja e maskave nëpër rrugë është rralluar.

Zyrtarët në Qeverinë e Kosovës e as në Ministrinë e Shëndetësisë nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje nëse po e shqyrtojnë mundësinë e kthimit të disa masave kundër pandemisë.

Ndërkaq, disa qytetarë, të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, kanë mendime të ndryshme lidhur me këtë çështje.

Gani Hoxha, 22 vjeç, që studion për infermieri, mendon se masat parandaluese duhet të respektohen më shumë nga të gjithë qytetarët dhe institucionet.

“Duhet të ketë më shumë masa parandaluese. Nëse ato zbatohen, do të ulet edhe numri i të infektuarve”, thotë Hoxha.

“Unë e kam kaluar virusin dhe jam vaksinuar dhe në tubime nuk dal shumë. Kjo është arsyeja kryesore pse nuk mbaj maskë. Besoj se do t’i ashpërsojnë masat, por pasi të kryhet kjo faza e mërgimtarëve apo turistëve”, thotë Behar Krasniqi, qytetar nga Prishtina, agronom me profesion.

Ndërkaq, Ardian Shala thotë se secili qytetar duhet të vendosë nëse do të mbajë maskë apo jo dhe se sipas tij, masat e reja kundër COVID-19 nuk janë të nevojshme.

“Nuk e di çka të them, por nuk mendoj që është zgjidhje e mirë që të ashpërsohen masat”, thotë Shala.

Deri më 4 gusht, në Kosovë janë administruar 460.297 doza të vaksinës kundër koronavirusit, kurse 162.807 qytetarë janë vaksinuar të dyja dozat e vaksinës./REL

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çfarë tregon studimi i fundit?

Delta nuk kursen as të vaksinuarit

Parashikimet e BERZH mbi pasiguritë këtë vit

“Ekonomia do rritet me 4.5%, e fundit në Rajon”


“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!