Nga Russell A. Berman, The Hill
Administrata e Biden premtoi se do ti rikthejë besueshmërinë ndërkombëtarëve pas viteve të dështuara të udhëheqjes së Trump. Megjithatë, vendimi i tij për të tërhequr trupat amerikanë nga Afganistani ka dëmtuar pozitën globale të Amerikës dhe ka minuar besueshmërinë e politikës së jashtme të administratës.
Presidenti Biden dhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken besohej se do të përmirësonin marrëdhëniet trans-atlantike duke u krijuar besueshmëri aleatëve europianë, duke i dhënë përparësi të drejtave të njeriut në të gjitha vendimet dhe duke kundërshtuar ambiciet kineze.
Tërheqja e trupave amerikanë nga Afganistani minon të gjitha ato aspirata dhe shkatërron vizionin e politikës së jashtme së Biden. Ekipi diplomatik që supozohej të vepronte me profesionalizëm e ka lënë Amerikën pa timon.
Megjithatë, asgjë gjatë udhëheqjes së Trump nuk krahasohet me vendimin e njëanshëm me të cilin Uashingtoni tërhoqi prizën në operacionin e NATO-s në Afganistan. Ndërsa shpërtheu kaosi gjatë javëve të fundit, Biden u “fsheh” në Camp David dhe nuk foli me asnjë udhëheqës europian.
Kjo dobësi diplomatike ka pasur pasoja në të gjithë kontinentin, pasi aleatët po përballen drejtpërdrejt me njëanshmërinë amerikane, por tani nga një administratë demokratike.
Biden ka arritur atë që kritikët projektuan mbi Trump, një Uashington të painteresuar për problemet europiane. Grupi udhëheqës i politikës së jashtme të Biden këmbënguli se do t’i jepte përparësi çështjeve të të drejtave të njeriut, raporton abcnews.al
Kjo deklaratë ishte një kontrast me paraardhësin e tij, megjithëse ishte në fakt administrata e Trump ajo që kishte vënë në dukje fillimisht shkeljet masive të të drejtave të njeriut në Kinë. Por, në vendimin që mori për Afganistanin, administrata e Biden me sa duket nuk ka menduar paraprakisht për fatin e afganëve që do t’i nënshtroheshin dhunës talebane, pa të drejtën për lirinë e fjalës, gjykime të drejta ose trajtime humane, madje as qasje në të drejtat e njeriut për tu larguar nga vendi.
Uashingtoni mund të ketë pasur pritshmëri për këto pika, por në vend të kësaj ka dhënë vetëm deklarata të dobëta. As nuk janë bërë dispozita për gratë afgane, veçanërisht ato gra që gjatë 20 viteve të fundit kanë përfituar nga arsimi dhe kanë nisur një karrierë.
Ato tani janë në mëshirën e sundimtarëve të rinj në Kabul. Dështimi i ekipit të Biden për të parashikuar këtë katastrofë është veçanërisht ironike në dritën e kritikës ndaj administratës Trump.
Mbrojtja e të drejtave në epokën e Trump, sipas kritikëve demokratë i kushtoi më shumë rëndësi lirisë fetare dhe më pak vëmendje të drejtave të grave. Megjithatë, duke parë tragjedinë që po shpaloset në Afganistan nuk mund të ketë politika të tjera ndaj të drejtave të grave ndryshe nga ato që ka ndërmarrë bërë e Bidenit.
Por nëse dikush anashkalon njëanshmërinë e Biden, dhe nëse i cilëson devotshmëritë e Blinken për të drejtat e njeriut si të padrejta, përsëri mund të gjendet një argument realist pas agjendës së administratës.
Tërheqja e trupave nga Afganistani, të paktën ka kontribuuar në një strategji për të kundërshtuar rritjen e Kinës, duke krijuar paqëndrueshmëri në Azinë Lindore dhe Indo-Paqësor. Në parim, kjo perspektivë nuk është e gabuar. Në praktikë, ajo lë dyshime rreth karakterit strategjik të pranisë amerikane diku tjetër në botë.
Me qëllimin për të kontrolluar Kinën, SHBA-ja tani ka humbur qasjen në një vend që kufizohet strategjikisht në prapavijën e Kinës. Ajo gjithashtu ka humbur një bazë ajrore të madhe ushtarake midis Europës dhe Japonisë.
Për më tepër, ka fuqizuar kundërshtarin e Indisë, Pakistanin, përmes fitores së talebanëve. Fituesit diplomatikë në këtë pikë janë Kina dhe Rusia. Pa një strategji alternative, qoftë diplomatike apo ushtarake, ngjarjet në Afganistan nuk mund të shihen si asgjë tjetër veçse një humbje neto në konkurrencë me Kinën.
Të gjitha parimet kryesore të politikës së jashtme të Bidenit janë shembur. Mënyra në të cilën administrata e tij i dha fund luftës në Afganistan minoi pretendimin e saj për multilateralizmin atlantik, shpërfilli të drejtat e njeriut dhe dobësoi qëndrimin ndaj Kinës.
Por çdo të ndodhë tani? SHBA-ja ka nevojë për një rinovim të politikës së jashtme. Kjo ka të ngjarë të kërkojë një udhëheqje të re dhe interesi kombëtar nuk mund të presë tre vite e gjysmë më shumë.