MENU
klinika

Sulmon me raketë një bazë të ISIS

SHBA “merr hak” për tragjedinë në Kabul

29.08.2021 - 16:42

Ashtu siç presidenti amerikan Joe Biden e kishte paralajmëruar, SHBA po hakmerret duke goditur bazat e ISIS, pas sulmit në aeroportin e Kabulit, ku mbetën të vdekur, mbi 200 persona, ndër to 13 trupa amerikanë.

Paraprakisht raportohet se dy persona kanë ndërruar jetë dhe një ka mbetur i plagosur, pasi një raketë e SHBA goditi një bazë të ISIS-K, në veriperëndim të aeroportit të Kabulit. Teksa SHBA po shkon drejt fundit të evakuimeve, talebanët tashmë janë bërë gati për të marrë vendin në zotërim të plotë.

Më herët Biden në një deklaratë, pas takimit me këshilltarët e tij të sigurisë, tha se komandantët ushtarakë e kishin informuar për mundësinë e një sulmi të tillë në orët e ardhshme. “I udhëzova ata të marrin të gjitha masat e mundshme, duke i dhënë përparësi mbrojtjes së forcës (amerikane)”, tha Biden.

Presidenti i SHBA kujtoi se situata në terren në Afganistan është ende “jashtëzakonisht e rrezikshme” dhe siguroi se goditja kundër luftëtarëve të Shtetit Islamik të Khorasan (ISIS-K) nuk do të jetë e fundit.

Ky paralajmërim për një tjetër sulm vjen pasi Pentagoni ka konfirmuar vrasjen e dy “kokave” të grupit ISIS-K për të cilët, ushtria beson se ishin përgjegjës për planifikimin e sulmit vdekjeprurës ndaj Shteteve të Bashkuara në Kabul.

Vrasja e funksionarëve të grupit të ri terrorist ISIS-K erdhi gjatë një kundërpërgjigjeje me dron të ushtrisë amerikane, më pak se 48 orë pas shpërthimit vdekjeprurës pranë aeroportit të Kabulit, si pasojë e të cilit u vranë mbi 200 persona. 13 prej tyre ishin ushtarë amerikanë, ndërsa mbi 150 persona mbetën të plagosur.

ISIS-K ka marrë përgjegjësinë për të dyja sulmet jashtë aeroportit të Kabulit. Presidenti Joe Biden premtoi se do të gjente xhihadistët pas sulmit vetëvrasës. ISIS-K, ose Provinca Khorasan e Shtetit Islamik, është grupi më ekstrem dhe më i dhunshëm nga të gjitha grupet militante xhihadiste në Afganistan.

Ndërkohë që në aeroportin e Kabulit situata vijon te jetë tepër e tensionuar dhe talebanët kanë ngritur pika kontrolli në çdo rrugë që të lidh me të për të mos lejuar kalimin e afganëve, në dy javët e fundit, më shumë se 100,000 njerëz besohet se janë evakuuar. DASH u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve amerikanë të largohen nga zona pranë aeroportit për shkak të kërcënimit për një tjetër sulm.