Vala e protestave nuk e rrëzoi nga pushteti Aleksander Lukashenkon. Tani regjimi i tij po e rrit me çdo ditë presionin ndaj kundërshtarëve. Bilanci një vit pas zgjedhjeve presidenciale në Bjellorusi.
Dhjetorin e kaluar pamje të tilla ishin pjesë e restrospektivës së vitit: protestat më të mëdha në Bjellorusi që nga pavarësia e Republikës, të ndezura nga Svetlana Tihanovskaja, Maria Kolesnikova dhe Veronika Zepkalo.
Njerëzit protestuan nga 9 gushti i vitit të kaluar në mënyrë të rregullt kundër rezultatit zyrtar të zgjedhjeve presidenciale, që nxorrën fitues Aleksander Lukashenkon.
BE është e mendimit, se shumica e votuesve ia kishin dhënë votën një kandidateje tjetër: Svetlana Tichanovskajas. Bashkëshortja e një blogeri opozitar, Sergej Tihanovski u fut në fushatë në vend të bashkëshortit të saj të arrestuar.
Megjithëse fituesja me gjasë e zgjedhjeve duhet të shkonte disa ditë pas votimeve në ekzil, qindra mijëra vetë u grumbulluan në rrugë dhe kërkonin në mënyrë paqësore dorëheqjen e Lukashenkos dhe zgjedhje të ndershme.
Për shkak të masës së jashtëzakonshmë të njerëzve në protesta u përhap ndjesia, se regjimi do të merrte fund brenda ditësh ose pak muajsh. Shumë vetëve Lukashenko që pozonte me kalashnikov dhe jelekë antiplumb u dukej më shumë një figurë komike.
Regjimi Lukashenko u duk se po lëkundej…
Një konkluzion i gabuar, siç u kuptua më vonë. Një këshill i thirrur shpejt i opozitës nuk mund t’i jepte më impulse lëvizjes protetuese. Shtyllat kryesore të regjimit, aparati i sigurisë dhe pushtetit i qëndruan besnike regjimit. Edhe grevat në fabrikat shtetërore, me rëndësi për Lukashenkon ishin më të vogla se pritej.
Nga ana tjetër Rusia – në një union me Bjellorusinë u pozicionua, në fillim me gjysmë zemre pastaj plotësisht në favor të Lukashenkos.
Presidenti mundi të fitonte kështu kohë për kundërsulm. Maria Kolesnikova, që në fushatë zgjedhore drejtoi ekipin e ish-bankierit Viktor Babarikos, ndërkohë të dënuar me 14 vjet, e që pas largimit në ekzil të Tihanovskajas dhe Zepkalos në gusht 2020 u bë fytyra kryesore e lëvizjes protestuese, duhet të paguante një çmim të lartë për luftën e përbashkët.
Në shtator ajo u detyrua të largohej nga vendi, po për shkak se Kolesnikova e grisi pasaportën dhe nuk donte të largohej nga vendi, u arrestua. Këto ditë zhvillohet pas dyerve të mbyllura procesi kundër saj. Kolesnikovën e kërcënojnë 12 vjet heqje lirie.
Kështu regjimi i Lukashenkos ia doli të shtypë protestat në rrugë në vjeshtën e vitit 2020. Rrugët u boshatisën. Flamujt e bardhë me shirit të kuq, simbol i opozitës, të varur në shtëpi, të stilizuar në veshje apo të vizatuar në fytyra nuk u panë më nëpër rrugë. Pas kësaj fshihej ndërhyrja brutale e policisë. Ka pasur një numër të madh raportimesh për tortura, kampe të ngritura me shpejtësi, ku njerëzit mbaheshin në kushte të padurueshme, pa ujë e ushqim. Disa njerëz ndërruan jetë si pasojë e dhunës shtetërore. Raste të tilla vdekjeje nuk janë zbardhur deri më sot.
Perëndimi reagon me sanksione, Rusia me para për Lukashenkon
Bota shihte se si sunduesi bjellorus godiste me brutalitet kundërshtarët e tij dhe nuk lëvizi shumë nga vendi. Republika 9 milionëshe në Europën Qendrore iu la vetes. SHBA dhe BE reaguan me një spirale sanksionesh, por sipas një analize të Deutsche Welles, masat ndëshkuese e kanë goditur fare pak regjimin e Lukashenkos.
Nga ana tjetër pushtetmbajtësit në Minsk i erdhi një ndihmë zemërgjerë nga Rusia: Në fillim të verës Bjellorusia mori edhe pjesën tjetër të një kredie ruse në vlerë prej 500 milionë dollarësh. Para gjashtë muajsh ishte paguar e njëjta shumë për Minskun. Megjithëse flitet, se Putini ka një marrëdhënie të vështirë me Lukashenkon, në takimet e fundit sundonte harmoni si kurrë më parë.
Bjellorusia “paralele” po shkatërrohet
Për katër vite mund të ndjeheshe i lirë në Bjellorusi e mund të bashkekzistoje me shtetin, pa t’u prerë rruga nga lakejtë e Lukashenkos. Shoqëria civile po lulëzonte, me teatro alternativë, shoqata artistësh dhe OJQ, edhe falë ndihmës nga perëndimi. Në vitin 2021 regjimi i ka vënë kyçin kësaj jete, që në Bjellorusi, quhej jeta paralele. Pika kulmore ishte në maj 2021, kur avionë ushtarakë bjellorusë detyruan një avion të Ryanair të zbresë në Minsk nën pretekstin e një bombe, por në fakt u arrestua blogeri i arratisur në Lituani, Roman Protaseviç. Blogeri i ri bashkë me Stepan Putilon drejtonte një nga kanalet më të suksesshëm në telegram Nexta me mbi 1 milionë ndjekës.
E është pikërisht mbështetja kaq zemërgjerë e Moskës, që e bën Lukashenkon të ndjehet kaq i sigurtë saqë pas takimit në korrik me Putinin në Shën Peterburg ai filloi një valë represionesh kundër kundërshtarëve të tij, me kontrolle në të gjithë vendin e arrestime si tek OJQ-të ashtu edhe mes gazetareve e gazetarëve të paktë të pavarur në vend. Më 23 korrik për shkak të presionit shtetëror u mbyllën më shumë se 50 OJQ. Dhjetëra akivistë, reporterë dhe kulturbërës lanë vendin nga frika e raprezaljeve. E si e tregon edhe historia e sportistes olimpike bjelloruse, Kristina Timanovskaja, regjimi Lukashenko as nuk ka ndërmend të lirojë vidat.