Shtetet e Bashkuara thonë se nuk do të heqin sanksionet ekzistuese ndaj talebanëve, por do të sigurojnë ndihmë jetësore humanitare për afganët në nevojë mes asaj që Kombet e Bashkuara e përshkruajnë si “një krizë e afërt” në atë vend.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u zotua të martën se do të vazhdojë ndihmën humanitare për popullin afgan përmes agjencive të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave joqeveritare, një ditë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se do të ofronin gati 64 milionë dollarë asistencë të re humanitare.
Diplomati më i lartë amerikan, gjatë dëshmisë para Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, u përball me një raund tjetër pyetjesh të ashpra nga ligjvënësit lidhur me tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani muajin e kaluar. Ai dëshmoi para Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve një ditë më parë.
Gjatë seancës dëgjimore 3 orëshe të martën, Sekretari Blinken tha se fondet shtesë “do të përmbushin nevojat kritike të shëndetit dhe të ushqyerit, do të trajtojnë shqetësimet për mbrojtjen e grave, fëmijëve dhe pakicave për të ndihmuar më shumë fëmijë, përfshirë vajzat, që të kthehen në shkollë”.
Sekretari Blinken gjithashtu u tha senatorëve se ai do të emërojë një zyrtar të lartë të Departamentit të Shtetit që do të përqëndrohet në mbështetjen për gratë, vajzat dhe pakicat afgane.
Ndihma amerikane, e cila do të anashkalonte talebanët dhe do të shpërndahej drejtpërdrejt tek afganët, do të thotë se Shtetet e Bashkuara kanë dhënë gati 330 milionë dollarë ndihmë për popullin afgan këtë vit fiskal.
OKB-ja po bën thirrje për 606 milionë dollarë ndihma për pjesën e mbetur të këtij viti për ushqim, kujdes shëndetësor, strehim dhe nevoja të tjera jetike për të ndihmuar 11 milionë afganë.
Ndërsa Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (UNGA) e këtij viti hapet zyrtarisht të martën, mbetet për t’u parë nëse udhëheqja talebane do të përfaqësojë apo jo Afganistanin në tubimin ndërkombëtar të këtij viti.
Kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë Bob Menendez tha se ideja se talebanët do të respektojnë angazhimet e tyre dhe që Shtetet e Bashkuara do të presin një rezultat të ndryshëm “është disi absurde”. Ai u kërkoi vendeve të tjera që të mos i njohin talebanët në mënyrë bilaterale.
“Ne e dimë tani se talebanët nuk kishin ndërmend të ndiqnin një rrugë politike,” tha senatori Menendez. “Ata nuk kishin ndërmend të prishnin lidhjet me al-Kaidën. Dhe qartësisht nuk kishte ndërmend të lejonin gratë që të kenë vendin e tyre të duhur në tryezë dhe të marrin pjesë plotësisht në shoqëri”.
Senatori James Risch nga Ajdëho, republikani kryesor i këtij komisioni të Senatit, tha se “çdo vend që ofroi mbështetje për talebanët në ofensivën e fundit duhet të rrezikojë një rënie strategjike në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.”
Në dëshminë të hënën para Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Blinken tha se nuk kishte folur personalisht me anëtarët e udhëheqjes talebane. Ai shtoi të martën se legjitimiteti dhe mbështetja që talebanët kërkojnë nga bashkësia ndërkombëtare do të varet nga sjellja e tyre.
Kryediplomati amerikan gjithashtu mbrojti me vendosmëri vendimin e administratës Biden për t’u tërhequr nga Afganistani pas 20 vitesh, gjatë marrjes në pyetje nga disa ligjvënës.
“Nuk ka asgjë që konkurrentët strategjikë si Kina dhe Rusia-apo kundërshtarët si Irani dhe Koreja e Veriut do të kishin dashur më shumë sesa ajo që Shtetet e Bashkuara të rindiznin një luftë 20-vjeçare dhe të mbeteshin të bllokuar në Afganistan për një dekadë tjetër”, tha sekretari i Shtetit të martën.
Kryengritësit talebanë pushtuan vendin në mes të gushtit ndërsa Presidenti afgan Ashraf Ghani iku në mërgim në Emiratet e Bashkuara Arabe. Shtetet e Bashkuara evakuuan 124,000 persona, shumica prej tyre afganë, së bashku me rreth 5,500 amerikanë, nga aeroporti i Kabulit në ditët e fundit të gushtit, duke lënë pas rreth 100 amerikanë.
Duke dëshmuar në një seancë dëgjimore në Kongres të hënën, sekretari Blinken mbrojti me vendosmëri tërheqjen ushtarake amerikane muajin e kaluar nga Afganistani.
“Nuk ka prova që tregojnë se po të qëndronim më gjatë, forcat afgane të sigurisë, apo qeveria afgane do të ishte më elastike, apo e qëndrueshme. Nëse 20 vjet dhe qindra miliarda dollarë në mbështetje, pajisje dhe trajnime nuk mjaftuan, çfarë do të bënte edhe një vit, pesë apo 10 vite të tjera”, tha sekretari i Shtetit Anthony Blinken.
Administrata ka mbrojtur evakuimin kaotik, gjatë të cilit pati edhe viktima, që u shndërrua në transportin ajror më të madh në historinë amerikane. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evakuuan 124,000 persona – shumica afganë – pas rënies së Kabulit më 15 gusht. Republikanët thonë se Shtëpia e Bardhë mund ta kishte shmangur kaosin, që dëmtoi reputacionin e Shteteve të Bashkuara në mbarë botën.
“Ne shkuam në Afganistan në radhë të parë sepse talebanët kishin strehuar al-Kaidën, apo jo?Ata na sulmuan më 11 shtator. Tani 20 vjet më vonë, ne kemi talebanët përsëri në pushtet. Ata kanë pajisjet dhe armatimet tona me vlerë miliarda e miliarda dollarë, dhe përsëri, ata janë strehë për terroristët. Si nuk qënka kjo një katastrofë me përmasa monumentale? ”, pyeti ligjvënësi republikan Steve Chabot.
Sekretari Blinken u tha ligjvënësve se ndërsa përpjekja amerikane në Afganistan neutralizoi kërcënimin nga al-Kaida, ka një mësim më të madh për t’u nxjerrë nga përfshirja e Shteteve të Bashkuara jashtë vendit.
“Ndërsa ne jemi shumë të efektshëm në trajtimin e kërcënimeve terroriste ndaj vendit tonë, të cilat i bëmë shumë herët në Afganistan, ideja e përdorimit të forcës ushtarake për të transformuar një shoqëri, është përtej mundësive tona dhe përtej aftësive tona. Ne kemi nevojë të mendojmë vërtet nëse duam të angazhohemi në këto lloj projektesh në të ardhmen”, tha sekretari Blinken.
Dhe ndërsa disa ligjvënës demokratë kanë kritikuar mënyrën se si Shtëpia e Bardhë e bëri tërheqjen, ata argumentojnë se Presidenti Biden u vu në një situatë të pamundur nga marrëveshja e negociuar nga ish Presidenti Donald Trump.
“Më lejoni t’u kujtoj të gjithëve se marrëveshja e Trumpit detyroi qeverinë afgane të lirojë 5,000 të burgosur dhe u ofroi legjitimitet ndërkombëtar talebanëve. Ishte një marrëveshje që dështoi t’u kërkonte talebanëve të ndaheshin nga terroristët dhe të ndalonin sulmet ndaj qeverisë afgane. Marrëveshja ndryshoi rendin politik të vendit”, tha ligjvënësi demokrat Gregory Meeks.
Shtetet e Bashkuara nuk i kanë njohur talebanët si qeveri zyrtare e Afganistanit.
Sekretari Blinken tha të hënën se rreth 100 amerikanë po presin të evakuohen nga Afganistani dhe se Departamenti i Shtetit po përshpejton procesin e miratimit të viza speciale për afganët.