MENU
klinika

“Der Spiegel” zbulon telegramin sekret:

Gjermania e dinte një javë para për rënien e Kabulit

07.09.2021 - 11:23

Ministria e Jashtme gjermane ishte informuar për rrezikun e rënies së qeverisë afgane më 6 gusht, një javë e gjysmë para rënies së Kabulit, por nuk i aktivizoi planet e reagimit ndaj urgjencës në kohë, raporton revista “Der Spiegel”.

Sipas revistës, telegrami përkatës i ambasadores gjermane në Uashington Emily Humber mbërriti në zyrën qendrore më 6 gusht dhe foli për mundësinë e përsëritjes edhe të skenarit më të keq, të një evakuimi si ai i amerikanëve nga Saigoni në 1975.

Qeveria afgane mund të rrëzohet më shpejt se sa pritej” paralajmëroi diplomatja duke sugjeruar që të fillojnë planet emergjente për të evakuuar ambasadën gjermane në Kabul. Sipas saj, Berlini gjithashtu duhet të përgatitej për mundësinë që, nëse situata përkeqësohej me shpejtësi, amerikanët do të vepronin vetëm dhe pa u konsultuar me aleatët.

Në një takim të Komitetit të Punëve të Jashtme të Bundestagut, Ministri i Jashtëm Haiko Maas ishte i shqetësuar për rrjedhjen e telegramit sekret. “Publikimi nuk ishte në interesin e qeverisë” i tha Maas një ligjvënësi, i cili kërkoi të dinte se si përfundoi dokumenti në “Spiegel”. Ministri madje u përpoq të minimizonte rëndësinë e këtij telegrami.

Haiko Maas, i cili është kritikuar gjerësisht për vonesat dhe gabimet në evakuimin e gjermanëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre nga Afganistani, tha “stafi i ambasadës në zonën e gjelbër të Kabulit nuk u la aty pa përgjegjësi” dhe shtoi se planet e evakuimit ishin në fuqi. Situata ndryshoi ndjeshëm më 13 gusht, tha Maas, kur ambasada gjermane mori informacion se SHBA tashmë kishte filluar evakuimin e delegacionit të saj.