MENU
klinika

Analiza

Grupet xhihadiste mund ta sulmojnë Perëndimin brenda vitit

08.09.2021 - 16:31

Nga Ivor Roberts, The Indipendent

Ndërsa rivënia e Afganistanit nën kontrollin e talebanëve është kryesisht një katastrofë sociale e sigurisë dhe ekonomike për këtë vend, ajo krijon ndërkohë edhe klimën e një rrezikut ekstrem për Perëndimin.

Sulmi terrorist në Kabul në fundin e muajit gusht, vetëm sa na rikujtoi me forcë kërcënimin terrorist në rritje në Afganistan, që pa dyshim do të depërtojë në vendet fqinje dhe më gjerë. Shërbimet britanike të inteligjencës dhe sigurisë, duhet të veprojnë që tani për të mbrojtur qytetarët britanikë nga një ripërtëritje e të njëjtit kërcënim terrorist, që dikur prodhoi sulmet e 11 Shtatorit 2001 dhe ngritjen e ISIS-it në Lindjen e Mesme.

Dihet prej kohësh se segmentet kryesore të talebanëve, si udhëheqësit e rrjetit Haqqani, mbeten shumë të lidhur me grupet terroriste xhihadiste ndërkombëtare. Një lëvizje militante islamike e përkushtuar ndaj krijimit të një shteti islamik në Afganistan dhe Pakistan, rrjeti Haqqani, vitet e fundit ka bashkëpunuar shumë me Al-Kaedën, dhe tani konsiderohet gjerësisht si një nga forcat kryesore rebele në Azinë Jugore.

Që rrjeti Haqqani të vihet në krye të sigurisë së Kabulit, do të thotë t’i japësh dhelprës çelësat e kotecit të pulave. Është naive të mendosh se pavarësisht nga ato që thonë talebanët, rrjeti Haqqani është i gatshëm ta pengojë Al-Kaedan që të mos e përdorë sërish Afganistanin si një bazë nga e cila të koordinojë sulmet kundër Perëndimit.

Një kërcënim tjetër po aq i rrezikshëm xhihadist, që buron në mënyrë të pashmangshme nga kaosi i shkaktuar që nga rënia e Kabulit, do të dëshmohet si tërësisht përtej aftësisë së talebanëve për t’u kontrolluar.

Shteti Islamik i Provincës Khorasan, i njohur zakonisht si ISIS-K, IS-K ose ISKP, u themelua në vitin 2015, kur udhëheqësit e ISIS-it u përpoqën të zgjeronin ndikimin e tyre përtej kufijve të Irakut dhe Sirisë.

Ky grup u zgjerua me shpejtësi, duke organizuar sulme të rregullta në të gjithë Afganistanin, dhe duke rekrutuar direkt luftëtarë nga radhët e talebanëve, kryesisht ata që ishin më të pakënaqur nga mosgatishmëria e këtyre të fundit për të luftuar në mënyrë më agresive forcat perëndimore.

ISKP ka kohë që dëshiron të luftojë direkt me Perëndimin. Por deri më sot i ka munguar kapaciteti për të kryer një sulm terrorist ndërkombëtar. Tani që shumë anëtarë të tij janë liruar nga burgu pas tërheqjes së forcave ushtarake amerikane dhe britanike, ky grup po rifiton me shpejtësi fuqinë e tij të plotë.

Prandaj ai konsiderohet një kërcënim i madh dhe i afërt për sigurinë e qytetarëve të Britanisë së Madhe dhe për ata afganë që kanë qëndruar përkrah forcave tona, dhe të cilët nuk janë evakuuar ende nga Afganistani. ISKP ka marrë përgjegjësinë për shpërthimet e fundit në Kabul.

Tashmë, talebanët e kanë dëshmuar se janë plotësisht të paaftë për ta mbajtur nën kontroll këtë grupim. Përtej kufijve të Afganistanit, me krizën e re të shkaktuar nga refugjatët afganë, si rrjeti Haqqani ashtu edhe ISKP do të shohin mundësinë e përkryer për të ndërmarrë sulme në qytetet kryesore të Perëndimit edhe para fundit të këtij viti.

Britania e Madhe është zotuar të pranojë rreth 20.000 refugjatë afganë. Ndërsa ky është pa diskutim një detyrim moral që ne duhet ta përmbushim, integrimi dhe vendosja e një numri kaq të madh njerëzish, në një mënyrë të sigurt dhe të rregullt, do të jetë një mision logjistik i madh dhe i rrezikshme, për të cilin duhet të jemi të përgatitur.

Të injorosh potencialin e tyre për të organizuar sulme terroriste, do të ishte një sjellje naiviteti shumë e rrezikshme, në raport me mënyrën në të cilën po interpretohen nga xhihadistët në nivel global ngjarjet e 2 javëve të fundit.

Ajo që u bie në sy perëndimorëve duket të jetë thjesht një tërheqje e turpshme, për ata që janë të përkushtuar ndaj kauzës xhihadiste globale, përbën një humbje të lavdishme të Perëndimit, një vërtetim hyjnor të kauzës së tyre dhe një thirrje për të shkuar akoma më tej në këtë luftë si kurrë më parë.

Prandaj është e paarsyeshme dhe një sjellje e pamatur të imagjinohet një taliban më i butë dhe më i moderuar, apo një ISIS më i përulur për shkak të humbjeve të rënda që ka pësuar përballë forcave perëndimore gjatë dekadës së fundit.

Pas rënies së Kabulit, çdo grup xhihadist kundër të cilit ka luftuar Perëndimi gjatë 20 viteve të fundit, do të marrë zemër dhe frymëzim nga tërheqja e Perëndimit, dhe do të ndjekë në mënyrë të pashmangshme agjendën e tyre xhihadiste në një mënyrë më agresive dhe aktive.

Jo vetëm në qytetet perëndimore, por edhe në Azinë Juglindore dhe Afrikë. Boko Haram në Nigeri do të jetë gëzuar me siguri për fitoren e talebanëve. Gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm, agjencitë tona të inteligjencës dhe antiterrorizmit duhet të përgatiten për një kërcënim terrorist më serioz, se sa jemi përballur dikur kur ISIS dhe Al-Kaeda ishin në kulmin e fuqisë së tyre.

Ndërsa fondet e shtuara të emergjencës duhet të devijohen drejt këtyre shërbimeve, në mënyrë që të sigurohemi që ato të shkojnë për t’u përballur në kohën e duhur me kërcënimin në rritje. Ne duhet të sigurohemi që të monitorohen më nga afër ata që ndodhen tashmë në Britani, dhe për të cilët dihet se kanë lidhje me ndonjë anëtar apo janë bashkëpunëtor të rrjetit Haqqani apo ISKP.

Më vonë, kur të nisim të integrojmë në shoqërinë britanike pjesën e refugjatëve afganë që do të pranojmë, do të jetë gjithashtu i rëndësishëm forcimi i përpjekjeve për de-radikalizimin, përmes programeve si “Prevent”. Ky nuk është një kërcënim që mund të shmanget dot pa një bashkëpunim në nivel ndërkombëtar.

Koordinimi ndër-kufitar kundër terrorizmit, siç e praktikuam me pjesën tjetër të Evropës në vitet pas sulmeve terroriste në Londër më 7 korrik 2005 do të jetë shumë thelbësor. Padyshim ky bashkëpunim do të jetë më i vështirë sot për shkak të klimës aktuale politike pas Brexit, por të siguruarit që ai të mbetet efektiv do të shpëtojë me siguri jetë njerëzish.

Detyra jonë nuk është bërë më e lehtë nga tërheqja e shpejtë nga Afganistani, si dhe nga skenari kaotik dhe tragjik që po shpaloset në aeroportin e Kabulit. Por nëpërmjet disa masave parandaluese sot, ne kemi ende mundësi të minimizojmë pasojat më të këqija të këtij vendimi.