Nga Martin Jay, TRT World
Joe Biden i ka dhënë në shumë aspekte jetë një ideje të vjetër në Bruksel, dhe e ka bërë këtë por në kurriz të aleancës transatlantike, të cilën shumica besuan se ai do ta forconte sapo të merrte detyrën pas viteve të presidencës problematike të Donald Trump.
Në fakt, lëvizja egoiste dhe krejtësisht e gabuar e Biden për të mos përfshirë shtetet e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian në procesin e hartimit të një plani politik për tërheqjen nga Afganistani, e ka distancuar akoma më shumë BE-në nga Uashingtoni, madje edhe më shumë sesa në vitet e presidentit Trump.
Për më tepër, pakti AUKUS i nënshkruar nga Australia, Britania e Madhe dhe SHBA -ja, e tërboi nga inati presidentin Emmanuel Macron, duke e nxitur atë të promovojë akoma më fuqishëm konceptin se Franca mund t’i ofrojë Bashkimit Evropian vendin e saj të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në këmbim të krijimit të një “ushtrie të BE-së”.
Vendet e BE-së ishin tashmë të shqetësuara nga armiqësia, arroganca dhe neveria e Donald Trump ndaj Evropës së Vjetër. Megjithatë edhe me Biden, ata duhet të përballen me një njeri që jo vetëm po e humbet kthjelltësinë e tij mendore, por edhe me një president amerikan që shtirret sikur i vlerëson aleatët e tij evropianë, teksa nuk e njeh rolin e tyre në paqen botërore dhe në luftën kundër terrorizmit.
Bashkimi Evropian nuk ka humbur aspak kohë, duke menduar nëse ia vlen të rrijë urtë dhe për 4 vjet të tjera, duke shpresuar për zgjedhjen e një president më të zgjuar në SHBA, dhe që të ecë drejt një partneriteti më të madh transatlantik.
Individualisht, qeverive të BE-së u është sosur durimi me Biden, dhe nuk mund të durojnë më sjellje të tilla që janë shumë të ngjashme me ato të Trump, shpërfillëse ndaj anëtarëve të BE-së në NATO, në rast se ato nuk harxhojnë të paktën 2 për qind të PBB-së në mbrojtje.
Këto qeveri duhet t’u shpjegojnë votuesve të tyre, se pse duhet të ndjekin nga pas një president amerikan, në një tjetër ndërhyrje të dështuar pa një fund-lojë reale, e cila të mos të lajmërohet vëtem përmes një deklarate për shtyp apo një postimi në Twitter.
Shqetësimi për BE-në, është se disa prej këtyre vendeve mund të dalin me vete dhe të formojnë një koalicion ushtarak jo-formal të vendeve të BE-së, në të cilin mund të vendosin vetë se në cilin cep të botës duan të shkojnë. Më 15 shtator, vetë Presidentja e Komisionit Evropian foli publikisht për një lloj ushtrie të BE -së.
Ajo në fakt nuk përdori termin direkt “ushtria e Bashkimit Evropian”, pasi e di se nuk do të merrte një mbështetje të plotë nga shtetet anëtare për një ushtri të plotë të unionit, me hierarkinë, buxhetin dhe objektivat e saj. E megjithatë, ideja e ushtrisë së BE-së ka ekzistuar për dekada të tëra.
Shpesh ajo është promovuar në mënyrë të pabarabartë nga udhëheqësit kombëtarë (si Macron), të cilët besojnë në mënyrë të gabuar se marrja e më shumë kompetencave, dhe sjellja si një superfuqi, është çelësi për të trajtuar krizën e identitetit të Bashkimit Evropian – për të mos përmendur atë politik.
Por një ushtri e BE-së do të sillte jo pak probleme:Si do të financohet ajo? Kush do ta drejtonte? Dhe tek e fundit kush do ta kontrollonte?Vitet e fundit, argumenti i financimit ishte kapërcyer nga koncepti se në fakt do të mjaftonte një koalicion i ushtrive të BE-së, që të mbajë një shirit në krah dhe që i detyron qeveritë kombëtare të paguajnë për operacionet ushtarake.
Problemi më i madh është fuqia. Vetë komisioni i BE-së dhe federalistët në Bruksel që e mbështesin me forcë idenë e një ushtrie të BE-së, e kanë një problem real. Nëse vetë Komisioni Evropian do të kishte një drejtori ushtarake, atëherë fuqia përfundimtare do të mbetej tek Presidenti i Komisionit dhe vendi i tij ose saj.
A duan shtetet anëtare që Ursula Van Der Leyen, presidente aktuale e Komisionit Evropian, që nuk mund t’i shpëtojë dot vendet e goditura më rëndë nga Covid – të vendosë për dërgimin e trupave të armatosura në një konflikt në një shtet të caktuar jashtë unionit? Sigurisht që jo.
Ndërkohë thuhet se “krahu” ushtarak brenda BE-së, do të jetë i pavarur nga ekzekutivi i BE -së. Por atëherë kushapo cili vend, do të luajë rolin e gjeneralit të ushtrisë? Shumica e analistëve e konsiderojnë Gjermaninë si vendin e duhur për ta udhëhequr ushtrinë evropiane, pasi ky vend kontrollon pothuajse gjithçka në BE, dhe paguan më shumë në buxhetin e unionit.
Por në realitet, pak shtete anëtare do ta mbështesnin këtë ide. Për më tepër, ekziston një rezistencë e vërtetë nga shumë gjermanë, të cilët nuk ndihen mirë kur qeveria e tyre drejton një ushtri të BE-së, pasi kjo u ngjall kujtime të pakëndshme të herës së fundit që Gjermania drejtoi një operacion ushtarak ndërkontinental i cili përfundoi me Planin Marshall.
Pra kjo është arsyeja pse ideja e një ushtrie të BE-s, izolohet gjithmonë me shpejtësi. Por kjo nuk do të thotë se një ushtri e BE-së, është tërësisht e pamundur të krijohet ndonjëherë.
Me shumë mundësi, marifeti i Biden në Afganistan – dhe pakti AUKUS – do të nxisë një debat të ashpër brenda BE-së dhe Gjermanisë, meqë kjo e fundit është ende “bosi” i çdo gjëje që e quan veten një ushtri të BE -së.
Gjermania do të vendoste me shumë gjasa vetë të dërgonte ushtrinë e saj në pikat më të nxehta, dhe t’i bashkohej një grupimi të vogël shtetesh të tjera anëtare të BE-së, të cilët kanë treguar se mund ta nënshkruanin një plan të tillë; ndoshta Italia, Rumania, Hungaria dhe ndoshta Danimarka.
Për hidhërimin e federalistëve në Bruksel, një angazhim i tillë joformal, do të rrëzonte plotësisht idenë e shtimit të pushtetit në Bruksel, dhe do t’i bënte të dukeshin të tepërta institucionet e BE -së si Komisioni, Parlamenti dhe Këshilli i plotfuqishëm i Ministrave të BE, dhe kjo që do të krijonte vetëm një shtresë të re krizave aktuale.
Ideja përfundimtare, mbi të cilën ka gjithashtu pak shanse të bihet dakord, është se vendet e unionit mund të kenë “shtyllën” e tyre brenda NATO-s, dhe të kenë një fuqi votimi në bllok, e cila do të ishte e përshtatshme, pasi mund ta pengojë SHBA-në të përsërisë një katastrofë si ajo në Afganistan.
Por ideja që BE-ja vetë të formojë një ushtri të sajën, është një marrëzi. Nuk mund të mbështetesh dot tek një BE-në e cila bekon çfarëdolloj koalicioni joformal, që del nga “hiri” i marrëdhënieve BE-SHBA. Kjo “marrëdhënie e veçantë” duket gjithnjë e më e zymtë dhe si amerikanët ashtu edhe evropianët, e kuptojnë se disfata në Afganistan do të ndryshojë përgjithmonë mënyrën se si ata shkojnë në luftë përkrah Amerikës.