MENU
klinika

Analiza

Josep Borrell: Afganistani si një zile zgjimi për Evropën

02.09.2021 - 15:32

Nga Josep Borrell Fontelles, The New York Times

Pushtimi i Afganistanit nga ana e talebanëve, është para së gjithash një tragjedi për afganët. Vëmendja e botës, është e përqendruar me të drejtë tek përpjekja për të ndihmuar ata që përpiqen me dëshpërim të largohen nga vendi, dhe tek shqetësimi për ata që kanë mbetur pas, veçanërisht për gratë dhe vajzat.

Por kjo ngjarje përbën gjithashtu një goditje të rëndë për Perëndimin. Evropa dhe Shtetet e Bashkuara ishin të bashkuara si kurrë më parë në Afganistan:Ishte hera e parë që u evokua Neni 5 i NATO-s, që i detyronte të gjithë anëtarët të mbronin njëri-tjetrin.

Dhe për shumë vite, evropianët ofruan një angazhim të fortë ushtarak, si dhe një program të rëndësishëm të ndihmës ekonomike, që arrin në një shumë totale prej 17.2 miliardë eurosh, ose 20.3 miliardë dollarësh. Por në fund, koha dhe natyra e tërheqjes u përcaktuan në Uashington.

Ne evropianët e gjetëm veten – jo vetëm për evakuimet nga aeroporti i Kabulit, por edhe për shumë gjëra të tjera – të varur nga vendimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe kjo duhet të shërbejë si një zile zgjimi për cilindo që shqetësohet vërtet për aleancën atlantike. Kuptohet se Shtetet e Bashkuara nuk duan që ta bëjnë gjithçka vetë. Por për t’u bërë një aleate më e aftë e saj, Evropa duhet të investojë më shumë mbi aftësitë e saj të sigurisë, si dhe të zhvillojë aftësinë për të menduar dhe vepruar në terma strategjikë.

Ngjarjet në Afganistan kanë qenë vërtet tronditëse. Por ato duhet të na çojnë drejt thellimit të bashkëpunimit dhe jo në përçarjen e aleancës që kemi me Amerikën. Dhe për ta forcuar bashkëpunimin tonë, Evropa duhet të rritet në lartësinë e sfidave aktuale.

Për ta bërë këtë, ne duhet të kemi së pari një ndjenjë të përbashkët të kërcënimeve me të cilat përballemi, dhe të gjejmë mënyrën më të mirë për t’i adresuar ato, një kulturë të përbashkët strategjike. Në këtë aspekt, Bashkimi Evropian po punon për hartimin dhe miratimin e një Busulle Strategjike Evropian, një dokument që do të përcaktojë saktësisht ambiciet tona për sigurinë dhe mbrojtjen për 5 deri në 10 vitet e ardhshme.

Shtetet anëtare të BE-së, janë tërësisht të përfshira në këtë proces. Për shembull, disa kanë sugjeruar krijimin e një “force ndërhyrëse fillestare” evropiane, e përbërë nga rreth 5.000 trupa, që mund të ndërmarrë veprime të shpejta dhe të fuqishme.

Ndihma për të garantuar sigurinë e aeroportit në disa rrethana sfiduese, ashtu si në Kabul, mund të jetë lloji i operacionit që duhet të synojmë në të ardhmen. Duke e përqafuar frymën dhe potencialin e bashkëpunimit, ne shpresojmë që dokumenti që do të bëhet publik në pranverën e vitit 2022, të shërbejë si një udhëzues për të ardhmen tonë kolektive.

Sot kemi përpara një të ardhme të pasigurt, plot kërcënime në fusha të ndryshme, përfshirë hapësirën kibernetike, detin dhe hapësirën e jashtme. Kjo është arsyeja pse është thelbësore që evropianët, qoftë në NATO, Kombet e Bashkuara apo BE, të punojnë së bashku më shumë në fushën e mbrojtjes.

Krahas rritjes së aftësive kryesore ushtarake – transportit ajror dhe furnizimit me karburant, komandës dhe kontrollit, zbulimit strategjik dhe asetet hapësinore ​​- ne kemi nevojë për forca që janë më të afta, më të dislokueshme dhe më të ndërveprueshme.

Tashmë janë duke u zhvilluar përpjekje për të arritur pikërisht këtë gjë, në formën e disa nismave. Por ne duhet të ecim më tej dhe më me shpejtësi përpara. Fondi Evropian i Mbrojtjes, i krijuar për të rritur aftësitë mbrojtëse të bllokut, do të marrë afro 8 miliardë euro, ose 9.4 miliardë dollarë, gjatë 6 viteve të ardhshme.

Kjo shumë duhet të përdoret për të mbështetur në mënyrë të konsiderueshme hulumtimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e teknologjive të nevojshme mbrojtëse. Një BE strategjikisht më autonome dhe më e aftë nivelin ushtarak, do të ishte më në gjendje të adresonte sfidat që mund të vijnë në çdo rast nga vendet fqinje me unionin, por edhe më gjerë.

Po ashtu, unë jam i bindur, se një BE e tillë do të ishte një ndihmë e madhe për Shtetet e Bashkuara dhe në interesin e aleancës atlantike. Tek e fundit, çdo partneritet ka nevojë për aleatë të aftë dhe për besim politik. Detyra nuk mund të jetë më urgjente sesa kaq.

Rikthimi i talebanëve në pushtet në Afganistan, sjell me vete rrezikun e sulmeve të reja terroriste, e shtimit të trafikut të drogës dhe të rritjes së emigracionit ilegal. Ne duhet të jemi të vendosur në luftimin e këtyre kërcënimeve, si dhe në kundërpërgjigjen ndaj një peizazhi rajonal të ndryshuar.

Kina, Rusia dhe Irani, do të kenë tashmë një ndikim më të madh në rajon, ndërsa Pakistani, India, Turqia dhe monarkitë e Gjirit Persik do të ri-pozicionohen. Ne nuk mund të lejojmë që të jenë ata bashkëbiseduesit e vetëm me Afganistanin pas tërheqjes të Perëndimit.

Evropa, së bashku me Shtetet e Bashkuara, duhet ta riformulojë angazhimin e saj. Edhe me vetë talebanët. Pas dështimit për të parandaluar rimarrjen nën kontroll të Afganistanit, tani do të na duhet që të merremi me ta, duke drejtpeshuar me kujdes opsionet tona, dhe duke punuar për një qasje të koordinuar ndërkombëtare.

Natyrisht ky angazhim duhet t’i nënshtrohet kushteve të qarta në sjelljen e tyre, veçanërisht sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut. Mbi të gjitha, ne duhet të vazhdojmë që ta mbështesim popullin afgan, dhe sidomos pakicat, gratë dhe vajzat.

Për këtë qëllim, Komisioni Evropian ka vendosur tashmë të katërfishojë ndihmën e tij humanitare këtë vit në 200 milionë euro, ose 236 milionë dollarë, ndërsa e ka pezulluar ndihmën për zhvillim. Dhe megjithëse do të jetë një sfidë jo pak e vështirë, ne do të duhet

të gjejmë mënyra për të siguruar dhe dërguar atje ndihmë humanitare, si dhe një udhëtim të sigurt jashtë vendit për ata që ndihen nën një kërcënim emergjent.

Ngjarjet në Afganistan, nuk janë kurrsesi një ftesë për t’u tërhequr nga sfidat e mëtejshme ndërkombëtare. Përkundrazi, ato duhet që ta inkurajojnë Evropën të thellojë aleancat e saj dhe të forcojë angazhimin e saj në arenën globale, si dhe aftësinë e saj për të mbrojtur interesat e veta. Disa ngjarje bëjnë historinë:Disfata në Afganistan është njëra prej tyre. Ne evropianët duhet t’i mësojmë leksionet e saj.