MENU
klinika

Vendimi ka tensionuar sërish marrëdhëniet

Kurti: I gatshëm të heq targat e përkohshme, nëse…

22.09.2021 - 14:04

Në një konferencë për mediat në përfundim të mbledhjes së qeverisë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se është i gatshëm që ta heqë masën e reciprocitet për targat në rast se edhe Serbia zotohet se do ta bëjë një gjë të tillë kundrejt Kosovës, deklaratë që ai e kishte edhe dhënë edhe pas takimit me ambasadorët e QUINT-it dhe me shefin e BE-së në Kosovë.

“Kjo masë është e barabartë me atë që shteti i Serbisë e aplikon ndaj Kosovës për dy dekada. E kam bërë të ditur edhe në takimin që e kam pasur dje me ambasadorët e QUINT-it dhe me shefin e misionit të BE-së, se vendimi i Kosovës është në kornizën e zbatimit të ligjit dhe jam i gatshëm që në çdo kohë këtë masë ta heqë, nëse kemi një zotim të tillë edhe nga pala e Serbisë”, tha Kurti.

Ndërkohë që u shpreh i lumtur se kjo masë e marrë nga qeveria ka ndikuar edhe në zvogëlimin e targave ilegale në vend.

“Vendimi po ashtu është duke u zbatuar edhe për sa i përket eliminimit të të gjitha targave ilegale që kanë qarkulluar në Kosovë që nga paslufta. Jam i lumtur që ky problem i dekadave po merr epilogun e merituar. Jam i lumtur po ashtu që shoh përgjigjen pozitive të qytetarëve tanë, serbë lokal të të gjitha komunave të Kosovës për t’u pajisur me targa të përkohshme, teksa Qendrat për Regjistrimin e Automjeteve po punojnë me kapacitete të plota”, ka thënë ai.

Një thirrje Kurti pati edhe për kryetarët e komunave në veri që të tërheqin kamionët me të cilët qytetarët lokal serbë po i bllokojnë rrugët drejt pikës kufitare në Jarinje dhe në Bërnjak.

“Jam i njoftuar që pengesat që shpijnë tek rrugët kufitare janë duke u bërë me disa kamionë që janë pronë e institucioneve komunale dhe kjo sigurisht që përbën shkelje dhe keqpërdorim të pronës publike. U bëjë thirrje kryetarëve të komunave në veri që të tërheqin automjetet e institucioneve komunale nga rruga dhe ftojë poashtu edhe grupin e organizuar të qytetarëve serbë që të largohen nga dy rrugët regjionale sepse kësisoj ata e kanë bllokuar edhe rrugën e tyre”, deklaroi ai.