MENU
klinika

Analiza

Pikëpyetjet e shumta të zgjedhjeve gjermane

25.09.2021 - 14:38

Nga Guy Chazan, The Financial Times

Zgjedhjet parlamentare të së dielës në Gjermani kanë lënë të hapura të gjitha llojet e opsioneve. Ka ndodhur shumë rrallë që një proces i tillë të jetë ndikuar nga kaq shumë pasiguri. Asnjëherë më parë gjermanët nuk janë përballur me një spektër kaq të gjerë të rezultateve të mundshme elektorale.

Angela Merkel po largohet nga skena politike, teksa “armata e votuesve” që komandonte dikur kancelarja është gati të shpërndahet në drejtime të ndryshime. Largimi i Merkel, pas 16 vitesh në pushtet, ka prishur një sistem që dikur dukej si model i stabilitetit.

“Për kaq shumë gjermanë, besnikëria kryesore ishte ndaj Merkelit. Por tani ajo po largohet. Për pasojë ne kemi një luhatje shumë të madhe midis votuesve. Më shumë se 50 për qind

e tyre janë të hapur ta japin votën në të gjitha drejtimet”-thotë Andrea Römmele, profesore e komunikimit në politikë në Shkollën Herti në Berlin.

Në këto kushte, partia e Merkelit, Unioni Kristiandemokrat është në mëdyshje se çfarë duhet të bëjë në të ardhmen. Ndërkohë rivalët e saj, Socialdemokratët, udhëheqin në sondazhe. Gjithsesi edhe SPD, ashtu si CDU dhe partia e saj simotër bavareze, Unioni Kristiansocial, përballet me një të ardhme të pasigurt.

Modeli i vjetër i dominimit të 2 partive të mëdha, po zëvendësohet me një model shumë më të fragmentuar. Fuqia më e madhe ekonomike e Evropës, mund të përfundojë duke pasur në krye qeverinë e saj të koalicionit me 3 parti, një skenar që do të kishte pasoja shumë të gjera për mënyrën se si drejtohet.

“Duket se për herë të parë në historinë e Gjermanisë së pasluftës, kancelari i saj i ardhshëm do të vijë nga një parti që do të ketë fituar shumë më pak se një të tretën e votave. Kjo do të thotë që Gjermania po bëhet më në fund pjesë e tendencës kryesore sot në Evropë”- shprehet Christian Lindner, kreu i Liberal Demokratëve të Lirë.

Në fakt, Gjermania ishte për shumë vite përjashtimi më i spikatur në Evropë. Në vendet e tjera, partitë tradicionale si Demokristianët në Itali apo socialistët në Francë janë spostuar prej kohësh në periferi të skenës politike. Ndërkohë, në Gjermani CDU/CSU dhe SPD kanë qenë për dekada forcat kryesore të sistemit partiak.

Vendi ishte i famshëm dhe madje ngjallte zili për kohezionin dhe qëndrimin e gjatë në pushtet të kancelarëve të tij:Konrad Adenauer, që qëndroi në pushtet në vitet 1949-1963, dhe Helmut Kohl dhe Merkel, të cilët qeverisën nga 16 vjet secili.

Por këto 2 parti kanë qenë prej kohësh në rënie, të sfiduara nga forcat në rritje, si të Gjelbrit ambjentalistë në të majtë, dhe nacionalistët e Alternativës për Gjermaninë në të djathtë.

Teksa rënia e SPD ka qenë e zgjatur në kohë, ajo e CDU/CSU ka qenë shumë më e shpejtë. Kjo e fundit ka një mbështetje prej vetëm 22 për qind në sondazhe, 15 për qind më pak sesa në prillin e vitit të kaluar. Nëse sondazhet do të jenë të sakta, atëherë CDU-ja do të marrë të dielën rezultatin më të keq në historinë e saj.

Rënia e mbështetjes për CDU/CSU ka qenë lajmi kryesor i kësaj fushate. Ndoshta faktori kryesor është dobësia e kandidatit të saj për kancelar Armin Laschet, kryeministër i landit  industrial Nordrhein-Westfalen, një njeri që nuk ia ka dalë asnjëherë të lidhet shumë me votuesit. Po ashtu ai duket shumë i lodhur, pa vizion dhe ide të reja.

Nga ana tjetër SPD-ja ka “erën” në favorin e saj. Sipas sondazheve paraprake, kandidati i saj për kancelar, Ministri i Financave Olaf Scholz, i fitoi të tria debatet televizive midis tre kandidatëve për kancelarë, dhe ato sugjerojnë se ai është në rrugën e duhur për t’u bërë pasardhësi i Merkelit.

Megjithatë, çdo fitore e Scholz mund të rezultojë të jetë një “fitore si e Pirros”. SPD ka rikuperuar shumë terren në krahasim me fillimin e këtij viti, kur gëzonte vetëm 15 për qind mbështetje nga ana e gjermanëve. Megjithatë ajo është ende një hije e zbehtë e vetes së saj të dikurshme.

Sondazhet e vendosnin atë në rreth 25 për qind, kur në zgjedhjet e vitit 1998 fitoi 40.9 për qind të votave. Ajo që i karakterizon të gjitha partitë kryesore është paqëndrueshmëria ekstreme në performancën e tyre në sondazhe. Të Gjelbrit nuk bëjnë përjashtim:ata kanë rënë nga 28 për qind në prill, kur emëruan si kandidate për kancelare 40-vjeçaren Annalena Baerbock, në 15 për qind tani.

“CDU/CSU, SPD dhe të Gjelbrit kanë përjetuar ndryshime prej 10 për qind në sondazhet e zhvilluara gjatë 4 muajve të fundit. Kjo tregon se njerëzit nuk janë më të lidhur ngushtë me një parti të veçantë si dikur. Në politikë ka një fluiditet të ri”- thotë Omid Nouripour, një deputet i të Gjelbërve.

Sipas tij kjo sjellje përbën një kërcënim të mundshëm për sistemin politik pasi “bien siguritë e vjetra”. “Por nga ana tjetër është edhe një shans i madh. Pasi popullariteti i një partie nuk mbështetet më tek besnikëritë e vjetra, por në performancën e saj. Dhe kjo gjë duhet të jetë një nxitje për palët që të përpiqen të bëjnë më shumë për qytetarët”- nënvizon ai.

Sondazhet aktualisht sugjerojnë se qeveria e ardhshme do të diktohet nga 3 partitë kryesore, edhe pse përtej kësaj nuk ka asgjë të sigurt. Një rezultat i mundshëm është një aleancë e tipit “Xhamajka”, e quajtur kështu sipas ngjyrave partiake të CDU/CSU, të Gjelbërve dhe Demokratëve të Lirë liberalë (FDP).

Një tjetër mundësi, është një i ashtuquajtur “koalicioni semafor”, i përbërë nga SPD, të Gjelbrit dhe FDP. Një opsion i tretë mund të jetë një koalicion midis SPD, të Gjelbërve dhe partisë së krahut të majtë Die Linke. Si do që të shkojnë gjërat, Gjermania do të përballet me një qeveri të re, më komplekse, më heterogjene dhe me më shumë potencial për tensione të brendshme.

“Ne do të kemi koalicione gjithnjë e më të mëdha në nivel federal, dhe për pasojë do të duhet më shumë kohë për të formuar qeverinë e re”- thotë Ursula Münch, drejtoreshë e Akademisë për Edukimin Politik në Tutzing, Bavari. Gjermanët e përjetuan diçka të tillë në vitin 2017, kur Merkelit iu deshën gati 6 muaj për të formuar kabinetin e saj.

Një përpjekje për t’u bashkuar me të Gjelbrit dhe FDP në aleancën e parë gjermane “Xhamajka”dështoi në nëntor të atij viti, dhe Merkel u detyrua të ringjallte “koalicionin e madh”të padëshiruar me Socialdemokratët. Por këtë herë, negociatat pas-zgjedhore do të ndodhin në një kohë kur Gjermania përballet me sfida të mëdha, të cilat kërkojnë një vëmendje të menjëhershme.

Pandemia ka nxjerrë në pah probleme të vjetra në lidhje me mënyrën se si qeveriset vendi, përfshirë një deficit të madh dixhital, një sistem arsimor problematik dhe një burokraci të madhe. Gjermania po përballet gjithashtu me një ndryshim të madh, pasi po përpiqet të kuptojë se si të heqë tërësisht dorë nga burimet energjitike që emetojnë karbon në atmosferë deri në vitin 2045, pa e destabilizuar plotësisht ekonominë e saj të orientuar nga eksportet.

“Ne po hyjmë në epokën e një polarizimit shumë më të madh, të konflikteve shumë më të forta për çështje të tilla si kalimin në ekonominë e gjelbër, pra që mbron mjedisin dhe mbi atë sesa borxhe duhet të marrë Gjermania”- thotë Herfried Münkler, profesor i shkencave politike në Universitetin Humboldt të Berlinit. Sipas tij, situata akuale është në kontrast të fortë me epokën e Merkelit, një “kohë relaksi dhe qetësie”.

Münkler sheh një kalim të pushtetit nga kancelaria dikur e plotfuqishme në “komitetin e koalicionit”, një organ që përfaqëson të gjitha partitë në një qeveri koalicioni. “Kancelari do të jetë thjesht zbatuesi i vendimeve të këtij komiteti. Dhe fuqia e tij apo e asaj do të zbehet shumë. Ideja që të kemi një qeverisje për 16 vjet nga një kancelar është e pakonceptueshme”- thekson ai.