Natyra e tërheqjes nga Hindukushi mund të jetë e turpshme për NATO-n dhe të shkaktojë gëzim në Moskë dhe Pekin. Por shkëlqimi i vlerave perëndimore mbetet, thotë Miodrag Soric.
Mjaft është mjaft. Për dy dekada, Perëndimi derdhi biliona dollarë në një vend të pazhvilluar, të varfër. Më kot. Lodhja e luftës u përhap. Perëndimi e mbivlerësoi veten.
Për vite me radhë, ai besonte, se mund të modernizonte Afganistanin dhe bëri sakrifica njerëzore dhe financiare për ta bërë këtë. Përfundimisht pa sukses.
Kur Presidenti amerikan Biden urdhëroi tërheqjen e trupave, fasada demokratike e Kabulit u shemb si një kështjellë rëre në plazh. Tani Afganistani kërcënon të kthehet në një strukturë (do të ishte e tepruar të flitej për një shtet) në të cilën fiset, grupet, popujt dhe komunitetet fetare rivale po përgjojnë dhe luftojnë njëri-tjetrin. Në kurriz të njerëzve.
Bota ka një “shtet të dështuar” më shumë. Humbja e Perëndimit nuk mund të fshihet. Sigurisht një pikë kthese në histori: tani për tani, Perëndimi nuk do të jetë më i gatshëm për t’u përfshirë në aventura të reja të këtij lloji.
Gëzim dashakeq në Moskë dhe Pekin
Dështimi i amerikanëve dhe evropianëve në Hindukush po ndiqet nga ajo që dëshiron të jetë fuqi botërore Rusia dhe nga Kina ambicioze, në disa raste me gëzim dashakeq të pafshehur. Le të gëzohen.
Islamistët po veprojnë në Afganistan jo shumë larg kufijve të tyre. Ato kërcënojnë stabilitetin e Azisë Qendrore shumë më tepër se Evropën apo Amerikën. Tërheqja e Perëndimit nga ky rajon po e detyron Moskën dhe Pekinin të përfshihen më shumë në terren dhe ta bëjnë këtë përgjithmonë. Asnjë nga vendet nuk mund t’i shpëtojë afërsisë së tij gjeografike me Afganistanin.
Britmat e triumfit të armiqve të Perëndimit do të kalojnë. Le të propagandojnë Moska dhe Pekini një rend të ri botëror: një rend me qendra të ndryshme fuqie dhe zona ndikimi. Moska do të preferonte ta konsolidonte kontrollin e saj në Ukrainë, Bjellorusi dhe në ish-republikat sovjetike të Azisë Qendrore.
Pekini do të donte të parandalonte transportuesit e avionëve amerikanë të lundrojnë në Detin e Kinës Jugore dhe që Uashingtoni të mbrojë lirinë e Tajvanit. Por Perëndimi nuk do t’ua bëjë Pekinit dhe Moskës këtë favor!
Rendi liberal botëror, i bazuar në rregulla nuk ka marrë fund aspak. Idealet, vlerat që mbështet Perëndimi, të cilat i konsideron me të drejtë universale, ende vlejnë: dinjiteti i çdo njeriu, të drejtat e barabarta për burrat dhe gratë, liria e shprehjes, e drejta e mbledhjes, demokracia, respektimi i të drejtave të njeriut.
Vetëm për shkak se Perëndimi dështoi në Afganistan nuk do të thotë se këto vlera kanë humbur rëndësinë e tyre. Përkundrazi. Zhvillimi i mundshme trishtues dhe tragjik në Afganistan në muajt e ardhshëm do t’i tregojë botës se këto vlera janë ato të duhurat.
Të shmanget “shtrirja e tepërt”
Pretendimi i Moskës, se SHBA kanë dashur të dominojnë botën që nga fundi i Luftës së Ftohtë në vitin 1991 është një propagandë e nxitur nga Kremlini. Nuk është faji i Perëndimit që vendet e Evropës Lindore largohen nga Moska dhe ecin drejt botës së lirë. A ka në të vërtetë një vend të vetëm demokratik në Evropë me të cilin Rusia mban marrëdhënie miqësore? Dhe nëse jo, pse është kështu?
Perëndimi gjithashtu duhet t’i bëjë vetes pyetjen. Çfarë mund të bëjë për të shmangur atë që historianët e quajnë “shtrirje të tepërt” të sferës së tij të ndikimit, për të administruar më mirë me forcat e tij?
Edhe në mënyrë që të mbeten mjaft para për të forcuar mbrojtjen e tij. Sepse regjimet autoritare në Moskë, Pekin, Teheran dhe gjetkë kanë nevojë për armiq të jashtëm për të mbijetuar politikisht.
Vlerat për të cilat qëndrojnë SHBA dhe BE e ruajnë fuqinë e tyre rrezatuese globale: mirëqënia e Perëndimit, forca e tij ekonomike, mundësia që çdo qytetar të zhvillohet në liri dhe siguri do të vazhdojë të tërheqë njerëz – përfshirë miliona rusë dhe kinezë që po migrojnë atje.
Amerika dhe NATO-ja duhet të mësojnë nga gabimet e tyre. Ndërhyrjet ushtarake të 30 viteve të fundit nuk e kanë përmirësuar situatën praktikisht askund në mënyrë të qëndrueshme.
Aleanca mbrojtëse perëndimore duhet të përqëndrohet në detyrën e saj kryesore – mbrojtjen e territorit të vet. Atëherë fiaskoja në Hindukush mund të mos rezultojë e kotë.
DW