MENU
klinika

Ja çfarë duhet të bëjmë që të shndërrojmë trojet

Salihu: Medvegja, Mëmëdheu im

18.09.2021 - 16:43

Intervistë me z.Muharrem Salihun aktivistin e denjë për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, veçanarisht të shqiptarëve në komunën e Medvegjës.
Salihu është njëri ndër të paktët i cili çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginë në përgjithësi, në Medvegjë në veçanti e ka ngritur deri te instancat më të larta ndërkombëtare, sidomos në tryezat e Brukselit.

“Krahina shqiptare duhet të nxjerrë një elitë të re politike sa më parë, në të kundërtën jemi të mbaruar që të gjithë. Krahina jonë ka shumë kuadro të njohur edhe jashta rajonit por që nuk u jipet hapsirë. Sa më shumë tretemi, aq më shumë parti mahallash krijohen”

Z.Salihu ju qysh herët keni migruar në perëndim, atje keni arritur të krijoni një kapital të jashtëzakonshëm, një rreth njerzish kapitalist me renome ndërkombëtare, dhe për të qenë i sinqertë nuk keni qenë aspak i mvarur në mirëqenien apo suksesin biznesor nga Medvegja apo Lugina. Megjithatë juve u kthyet në Medvegjë, investuat, themeluat kompani. Cila është ajo gjëja më themelore që ju motivoi të ktheheni në Medvegjë?

Nga Medvegja isha i larguar vetëm fizikisht!. Asnjehërë nuk e kam harruar e lëre më tani kur ajo ka nevojë për ne, më shumë se kurrë më parë. Pse? Sepse Medvegja është mëmëdheu ynë. Ende e kam të gjallë vjershën e Çajupit:

Mëmëdhe quhetë toka
ku më ka rënurë koka,
ku kam dashur mëm’e atë,
ku më njeh dhe gur’ i thatë
ku kam pasurë shtëpinë,
ku kam njohur perëndinë,
stërgjyshët ku kanë qënë
dhe varret q’i kanë vënë,
ku jam rritur me thërrime
ku kam folur gjuhën time,
ku kam fis e ku kam farë,
ku kam qeshur, ku kam qarë,
ku rroj me gas e me shpres,
ku kam dëshirë të vdes.

Besoj se i kuptoni, motivet që më lidhin me Medvegjën, mëmëdheun tonë.

Mëse i bindur se Medvegjën nuk e gjetët sikurse e kishit paramenduar, por juve vazhduat që ti nxisni edhe të tjerët që ta ngrisin zërin më shumë se zakonisht për problemet me të cilat po ballafaqoheshin shqiptarët e komunës së Medvegjës. Sa gjetët përkrahje në këtë drejtim?

Me keqardhje e them se për gjendjen e krijuar në krahinën tonë shqiptare Preshevë Medvegjë dhe Bujanoc jemi vetë fajtorët “kryesor”. Nëse ne besojmë se serbët janë të vendosur të na largojnë, atëherë është pa kuptim të merremi me ta, por me vetën tonë! Ku kemi gabuar, dhe ku nuk duhet të gabojmë, ndërsa në kontekstin e përgjithshëm jemi më mirë se kurrë: kemi dy shtete që teorikisht mund të kujdesen për ne!

Nuk mundet dhe nuk duhet të presim me mirë nga ana e shtetit ku jetojme, ndonëse duhet t’i shfrytëzojmë hapësirat e lirisë brenda ligjeve në fuqi! Prandaj, në keto kushte është infantile të ushqejme pritshmeritë tona prej të tjerëve, kur dekada me radhe perfaqësohemi kryesisht nga perfaqësues oportunistë, të kushtëzuar, të varur, dhe shumë rralle nga individë te realizuar në jetën e tyre.

Më vjen rënd ta them por këtë e ilustron fakti qe 90 % e përfaqësuesve tanë politikë nuk janë interesuar për keto investime. Shpesh here nga Presheva dhe Bujanoci, kryesisht për interesa te tyre politike kan vizituar pushtetin Lokal ketu në Medvegjë, edhe pse aty nuk ka shqiptarë, por ata nuk kan gjetur forcë për të vizituar kompaninë tonë.

Është e kuptueshme se këto investime jan në kundershtim të plotë me politikat zhvillimore të pushtetit lokal dhe qëndror, dhe këtë e dija para se të vija këtu, mirëpo të pengohem apo të mos mbështetem nga të zgjedhurit shqiptarë, është pak si tepër! Në limite të mundesive që kishin, më kanë pënguar relativisht shumë.

Por, sot jam i lumtur që është krijuar një mundësi konkrete për të ofruar punë shumë familjeve tona.

Me padurim po presim tejkalimin e pandemisë e cila ka shkaktuar çrregullime të medha në nivel global, pra edhe në në Medvegjë.

Përveç pasivizimit, vendbanimet shqiptare në komunën e Medvegjës janë të prekur edhe nga mungesa e zhvillimit ekonomik, papunësia e sidmos mungesa e infrastrukturës. Sa është e vështirë që të realizohet ëndrrra e medvegjasve për kthim dhe gjallërim në atë pjesë të Luginës së Preshevës?

Si thashë më sipër, është pa kuptim të bëjmë përgjegjës serbët për fatin tonë, kur dihet se investimi i tyre historik është për të na larguar nga trojet tona. Ndaj them se fati i Medvegjës është i mvarur kryesisht nga politika jonë kombtare!

Politikat e ndryshme shtëterore që po bën Shqiperia apo Kosova, mund të jenë edhe të dobishme për njërën apo tjetrën por jo edhe për ne, në krahinen shqiptare të PMB-së. Nuk ka politika kombëtare të dizenjuara për ne, ndonëse Medvegja është interes kombtarë sepse sëbashku me Preshevën dhe Bujanocin janë muri mbrojtës i Kosovës.

Medvegja në veçanti duke qëndruar në linjë kufizuese toksore me komunen e Kamenicës, Prishtinës dhe Podujevës në një vijë lineare prej dhjetra kilometra gjatësi, por edhe për hirë të relievit që ka, është hapsirë e një rëndësie të veçantë.

Në keto dekada të fundit nuk është vërejtur ndonjë angazhim i theksuar nga ana e Republikës së Kosovës në këtë drejtim.

Përkundrazi shpesh herë ka qëndruar në anën e gabuar duke shikuar politikën “shtetrore” por jo edhe kombëtare!

Ka patur më shumë interesim për ne kur Kosova nuk ka qenë shtet, prej Presidentit Rugova se sa sot, me përjashtim të akteve të veçanta të solidaritetit të qeverisë Kurti, të cilat për shkak se nuk ishin të mirëmenduara, nuk prodhuan efektet e dëshiruara.

Është negociuar me Serbinë, por nuk janë mbajtur parasysh interesat tona.

Shembull:

*Marrëveshja e pikave kufitare të integruara, len Medvegjën pa një pikë të tillë dhe kështu bizneset e Medvegjës shkëputen fizikisht nga Kosova edhe pse janë vetëm 60 km larg nga Prishtina;

*Marveshja e lëvizjes së lirë, gjithashtu lehtëson qarkullimin në rajon, por nuk është konsideruar fakti se lëvizja është parapre të bëhet vetëm me Letër njoftim, ndërkohë që afro 8000 shqiptarë të pasivizuar jan pa letër njoftim dhe de facto ata nuk kanë mundësi të vizitojnë më shtëpinë e tyre, e sidomos ata nga perëndimi!

Kto janë marrëveshje të dëmshme për ne shqiptaret në Medvegjë por gjithesesi baza e një zhvillimi të shëndoshë Ekonomik mbetet Infrastruktura.

Mungon infrastruktura dhe këtë e dinë të gjithë!

Janë vetëm 37 km gjatësi që autostrada e ngelur në dalje të Prishtinës, të arrijë e deri në mes të Bajës dhe Medvegjës.

Për zhvillim ekonomik nevoiten edhe kuadro përveq infrastrukturës!

Kosova dhe Shqipëria dekada me radhë po stimulojnë largimin e kuadrove shqiptare nga krahina Jonë, duke siguruar vende të rezervuara për studentët nga kjo krahinë. Ndërsa botërisht është e ditur se diplomat e tyre nuk pranohen në Serbi, kto vazhdojne tutje.

Do të duhej, por nuk është vone edhe tani, që të ndajn fonde dhe ngrenë fakultete/universitet në krahinën shqiptare dhe kuadrot do te mbeteshin në vendlindjen e tyre!.

Z.Salihu, pavarësisht insistimit tuaj të pandërprerë, nuk është se dy qeveritë, ajo e Shqipërisë dhe Kosovës kanë bërë mjaftueshëm në zgjidhjen e problemeve të shqitarëve të Luginës së Preshevës.
Për të mos thënë se kohëve të fundit këto dy shtete na kanë parë edhe vetëm si objekt humanitar, duke investuar vetëm në raste kur përballemi me fatkeqësi natyrore. Cili është qëndrimi juaj lidhur me këtë?

Falë AFEDS, dhe një numri të madhë kuadrove vullnetare që aty gravitojnë, sot problemet e shqiptarëve në Serbi, jan të njohura nga qarqet më relevante te politikbërjes kombëtare, rajonale, kontinentale dhe boterore. Ne kemi arritur të investojmë Kongresin Amerikan; Parlamentin Europian i cili në raportin e tij të përvitshëm për Serbinë, flet për pasivizimin e adresave; OSBE-në, Komitetin Serb të Helsinkit; Parlamentin dhe qeverinë italiane, përveç atyre të Kosovës dhe Shqipërisë.

Takimi i ardheshem i dy qeverive shqiptare do të jetë një rast ku krahina shqiptare në Serbi do të duhej të ishte “kryefjala” e takimit. Pse? Sepse ne jemi në zgrip të ekzistencës sonë: politikat e pasivizimit, po largojnë dramatikisht gjithë shqiptarët, në fillim nga Medvegja, e më pas nga krejt 3 komunat.

Koha nuk pret më, o sot, ose kurrë. Reciprociteti real është i lidhur me njerëzit. Unë pres që Kosova ta ngrejë zërin në Bruksel dhe ka sinjale pozitive në këtë drejtim. Edhe opozita e Shqipërisë ka nisur të flasë për fatin tonë. Mirpo duhet bashkëpunim dhe qasje panshqiptare. Për këtë mbledhjet e dy qeverive, duhet të kenë një forum më të gjerë të aktorëve kombëtarë. Mes vedi, por dhe me qeveritë.

Forumi shqiptare per zhvillim ekonomik ne Serbi (AFEDS), është i gatshëm të jap kontributin e tij edhe në këtë rast!

A është mungesa e unitetit mes faktorit politik shqiptarë në Luginë të Preshevës dhe si do të duhet të dukej nëse vërtetë do të kishte unitet për zgjidhje të problemeve?

Po, ka mungesë apsolutë!

Krahina shqiptare duhet të nxjerrë një elitë të re politike sa më parë, në të kundërtën jemi të mbaruar që të gjithë. Krahina jonë ka shumë kuadro të njohur edhe jashta rajonit por që nuk u jipet hapsirë. Sa më shumë tretemi, aq më shumë parti mahallash krijohen.

Duhet urgjentisht komprimimi i këtyre subjekteve dhe nëse “liderët“ aktualë e pengojnë këtë, atëherë duhet një lëvizje e re që përfshinë dhe përfaqëson tërë krahinën, madje krejt shqiptarët në Serbi. Një e vetme!
Ne jemi në gjendje të jashtëzakonshme! Nuk e kemi luksin e pluralizmit Politik, aq më tepër në një shtet i cili nuk ka pluralizem por vetëm nacionalizem!

Sa është i gatshëm sipas jush Beogradi zyrtarë ti qaset zgjidhjes së problemeve në Luginë dhe a mund ta kushtëzojnë shqiptarët Qeverinë e Sërbisë në raport me BE-në?

Sfidoj cilin do intelektual i cili më jep një shembull kur Serbia u ka lejuar- dhuruar të drejta shqiptarëve! Ne duhet t’ia imponojmë me forcën tonë, brenda hapësirave ligjore dhe kushtetuese. Prandaj uniteti në nivel lokal është jetik për në dhe me pastaj inkuadrimi në një politikë kombëtare!

Duhet politikë kombëtare, që shfrytëzon iniciativat si Procesin e Berlinit dhe në këtë kuadër Ballkan Open, apo marrëdhëniet dypalëshe, për t’i bërë presion Serbisë.

Pluralizëm për shqiptarët do të thotë opportunitet individual, maximalisht oportunitet mahalle…

Një Trupë me tri koka, me rotacion dhe me individë me integritet është ajo që i nevoitet krahinave shqiptare në Serbi! Por duhet të përfshijmë të gjithë shqiptarët, jo vetëm ata të 3 komunave.

Z.Salihu ku i shihni shqiptarët e Luginës së Preshevës pas 10 viteve?

Nëse realizojmë me sa u tha më sipër, krahina shqiptare pas 10 viteve do të jetë njëra prej gjymtyrëve kryesore të tërësisë sonë kombëtare. Ka një pozicion gjeografik të shkëlqyer; kemi pasuri natyrore dhe njerëzore; kemi dy shtete kombëtare; kemi kuadro në diasporë dhe fuqi ekonomike gjithashtu. Pse të mos fitojmë këtë rol?

Nëse jo, më vjen keq, por do tretemi deri në zhdukje, duke u bërë një komunitet endacak rrugëve të botës, që mbajmë në ndonjë sirtar tapitë e tokave tona, apo fotografi nga vendlindja.
Kuadrot tona të famshme partiake do kenë ikur, pasi duke humbur përqindjet e popullsisë, në krye të komunave më në fund do të ketë vetëm serbë të financuar fuqishëm nga qendra. Më në fund, vetëm atëherë Serbia do të jetësojë politika zhvillimore për trojet tona, tashmë pa shqiptarë./ Lajmi.al

Dhjetëra sinjalizime për korrupsion dhe shpërdorim detyre

REL: Kurti erdhi në pushtet me premtimin për “duar të pastra”, por…

Nënshkrimi i marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës

Albin Kurti: Kur bëhemi bashkë, edhe punët janë më të mira

Rindezja e konfliktit me Kosovën dhe rindërtimi i qeverisë

Vuçiç po përpiqet të largojë vëmendjen nga protestat