MENU
klinika

“Gracka” që ngritën rebelët

Si po vriten talebanët në luginën e pamposhtur?

03.09.2021 - 19:23

Talebanët morën pushtetin në Afganistan, por ende një krahinë e pamposhtur vijon që të bëjë rezistencë të fortë duke mos u dorëzuar. Bëhet fjalë për Luginën Panjshir. Rebelët e kësaj krahine të njohur si “luanët” e Panjshir, emër që e morën nga lideri i tyre që u vra nga Al Kaeda shumë vite më parë, shprehen se nuk do të dorëzohen përballë talebanëve.

Mijëra luftëtarë anti -talebanë raportohet se po luftojnë kundër militantëve në luginën me një hyrje të ngushtë pak më shumë se 48 kilometra nga kryeqyteti Kabul. Nuk është hera e parë që lugina dramatike dhe imponuese Panjshir ka qenë një pikë ndezjeje në historinë e trazuar të Afganistanit duke qenë një fortesë kundër forcave sovjetike në vitet 1980 dhe talebanëve për herë të parë në vitet ’90. Grupi që qëndron atje tani Fronti Kombëtar i Rezistencës së Afganistanit (NRF) kohët e fundit i kujtoi botës fuqinë e luginës.

“Ushtria e Kuqe [Sovjetikët], me fuqinë e saj, nuk ishte në gjendje të na mposhte … Dhe talebanët gjithashtu 25 vjet më parë … ata u përpoqën të merrnin luginën dhe ata dështuan, ata u përballën me një humbje dërrmuese” tha Ali Nazary, shefi i marrëdhënieve me jashtë me NRF, thotë për BBC.

Luftime të rënda janë raportuar mes talebanëve dhe luftëtarëve të rezistencës në Luginën Panjshir të Afganistanit. Fronti i Rezistencës Kombëtare, një grup multi-etnik i përbërë nga milicitë dhe ish-pjesëtarët e forcave afgane të sigurisë, është besnik ndaj qeverisë afgane të rrëzuar.

Panjshir është e vetmja provincë që nuk ka rënë në duart e grupit islamik dhe mijëra luftëtarë të opozitës besohet të jenë mbledhur atje. Është një distancë e shkurtër në veri të Kabulit dhe ka qenë tradicionalisht një qendër e rezistencës ndaj talebanëve.

Ish-nënkryetari i Afganistanit dhe presidenti i vetëshpallur në detyrë ka pohuar se luftëtarët talebanë po përdorin të rinjtë për të pastruar minat tokësore ndërsa përparojnë në Luginën Panjshir.