MENU
klinika

Jeta po i rikthehet normalitetit

Vendet që po braktisin politikën “zero tolerancë”

22.09.2021 - 13:01

Vendet e Azisë Juglindore që ndoqën një politikë të tolerancës zero ndaj koronavirusit, ashtu si Shqipëria në valën e parë të pandemisë në 2020, tani po lehtësojnë ndjeshëm masat e tyre kufizuese, edhe pse jo në masën e lirisë absolute.

Sidoqoftë, nivelet e ulëta të vaksinimit dhe cilësia e dyshimtë e Sinovac, vaksinë e përdorur masivisht në këto shtete, janë shqetësuese për ekspertët, raporton abcnews.al.

Vende të tilla si Indonezia, Malajzia, Vietnami dhe Tajlanda tani po dalin nga muajt e shumtë nën masa strikte duke iu rikthyer normalitetit në përpjekje për të rivitalizuar ekonomitë e tyre pas 18 muajve të trazuar.

Mutacioni Delta pushtoi Indokinën në korrik dhe gusht, por tani qeveritë në rajon po përpiqen të rigjallërojnë ekonominë e tyre, veçanërisht turizmin, i cili është jetik për ta. Kështu ata rihapin vendet publike, por edhe kufijtë e tyre.

Vietnami po përgatitet të hapë ishullin Phu Quoc për turizëm, edhe pse në vendin e Azisë Juglindore vetëm 7% e popullsisë janë vaksinuar plotësisht. Në mënyrë të ngjashme, Tajlanda synon të lejojë në tetor hyrjen e turistëve të huaj në kryeqytetin Bangkok dhe destinacione të tjera kryesore. Vetëm 21% e tajlandezëve janë vaksinuar plotësisht.

Indonezia gjithashtu pritet të hapet për turizëm në tetor, me destinacione të tilla si Bali që të presë përsëri vizitorët e huaj, ndërsa fabrikat lejohen të kthehen në funksionimin e plotë – me vetëm 16% të popullsisë të vaksinuar.

Para këtyre përqindjeve, por edhe dyshimeve në lidhje me mbrojtjen e ofruar nga vaksina dominuese e dhënë në rajon, ajo Sinovac, ekspertët flasin se hapja në këto kushte në fakt është një recetë shkatërrimi. Ata parashikojnë një kulm të ri të rasteve dhe pamjaftueshmërinë e njësive të kujdesit intensiv.