Nga Khalid Al-Jaber, National Interest
Samiti i fundit i Bagdadit i gushtit të këtij viti, e vuri theksin tek vendosmëria e Irakut për të promovuar stabilitetin dhe paqen në Lindjen e Mesme, përmes lehtësimit të një dialogu më të madh midis vendeve të Azisë Perëndimore. Por ndoshta nuk është për t’u habitur, që samiti në vetvete nuk ishte një sukses i madh.
Edhe pse ai mund të ketë ulur disi “temperaturën” në rajon, nuk shënoi ndonjë përparim të ndjeshëm në marrëdhëniet midis Iranit dhe Arabisë Saudite, 2 vende që synonin të përfitonin më shumë nga ai samit. Gjithsesi, samiti pati rëndësinë e tij.
Pasi për herë të parë në historinë e dekadave të fundit, uli në një tryezë shumë grupe rivalësh – Arabinë Saudite dhe Iranin, Turqinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin dhe Egjiptin – për të zhvilluar bisedime për zgjidhjen paqësore të çështjeve shumë sfiduese me të cilat përballet rajoni.
Irakianët e organizuan atë samit në një kohë kur shumë qeveri në Lindjen e Mesme po tërhiqeshin nga pozicionet e tyre më maksimaliste të politikës së jashtme të epokës Trump dhe po përqafojnë qasje të reja në çështjet rajonale.
Ndërsa fërkimi ideologjik vazhdon që të nxisë tensionet midis shteteve të ndryshme në rajon, shumica e grupeve të rivalëve në Lindjen e Mesme po e shohin atë gjithnjë e më shumë si shërbim të interesave të tyre për të hapur më shumë linja dialogu.
Angazhimi diplomatik po zëvendëson ngadalë por me siguri qasjen e ashpër dhe luftën, siç u pa këtë vit në mbarë rajonin. Kjo tendencë nxitet kryesisht nga faktorët politikë në Shtetet e Bashkuara. Presidenca Trump ka përfunduar,si dhe nga veprimet e presidentit të ri Joe Biden, që është shfaqur më pak mbështetës dhe më shumë kritik ndaj regjimeve autoritare në rajon, dhe siç e kanë treguar ngjarjet e muajit të kaluar në Afganistan, shumë më pak i gatshëm të rrezikojë jetën e ushtarëve amerikanë për t’i mbrojtur këto vende.
Pazari klasik që mbështet praninë e Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme – garancitë e sigurisë, në këmbim të një furnizimi të lirë dhe të besueshëm me naftë – duket se ka pësuar një ndërprerje të papritur, dhe mungesa e SHBA-së i ka shqetësuar seriozisht disa shtete në Lindjen e Mesme në lidhje me marrëdhëniet e tyre me Shtetet e Bashkuara.
Në një kontrast të dukshëm me epokën Trump, kur Shtetet e Bashkuara u përkushtuan me vendosmëri (të paktën në retorikë) ndaj pazarit të vjetër, udhëheqësit e vendeve si Arabia Saudite nuk besojnë më se Uashingtoni do të vazhdojë ti mbështesë në të ardhmen.
Dhe kjo gjë e ka nxitur Riadin dhe kryeqytetet e tjera të Lindjes së Mesme të investojnë në përpjekjet për të përmirësuar lidhjet me fqinjët e tyre. Për më tepër, realitetet e reja ekonomike të krijuara nga pandemia e Covid-19, kanë bërë që më shumë shtete në rajon të dëshirojnë politika të jashtme më pak të kushtueshme, si dhe të kërkojnë mundësi të reja për bashkëpunim ekonomik me më shumë vende, përfshirë ato që ndodhen në kampin e kundërt të ndarjeve gjeopolitike dhe ideologjike.
Gjatë gjithë këtij viti, ka pasur një lehtësim në shkallë të ndryshme të tensioneve që gjallojnë si pasojë e rivalitetet e shumta të ndërlikuara e të gërshetuara të rajonit. Fakti që të gjitha këto shtete kishin përfaqësues në Samitin e Bagdadit, është një shenjë e mirë për vazhdimin e përpjekjeve që synojnë uljen e “temperaturave politike” në Lindjen e Mesme.
Arabia Saudite dhe Irani
Në prill të këtij viti, sauditët dhe iranianët nisën të angazhohen pa shumë bujë me njëri-tjetrin, përmes një serie bisedimesh të nivelit të ulët, që fillimisht u zhvilluan në Bagdad,
por që më vonë u zgjeruan në Katar dhe Oman.
Kur nisën këto bisedime në fillim të këtij viti, ishte hera e parë e një angazhim të vërtetë diplomatik midis dy vendeve, që kur i ndërprenë lidhjet diplomatike midis tyre në janarin e vitit 2016, duke përshkallëzuar në mënyrë dramatike tensionet gjeopolitike dhe sektare në Lindjen e Mesme.
Ekspertët kanë vënë në dukje se ishin sulmet ndaj kompanisë së naftës “Saudi Aramco” në shtator të vitit 2019, për të cilat fajtor dyshohet se është Irani pavarësisht mohimeve të këtij
të fundit, ato që e shtynë Riadin të arrinte në përfundimin se negociatat me Iranin do t’i përshtateshin më mirë interesave saudite sesa izolimi.
Edhe pse sauditët dhe iranianët nuk kanë arritur ende ndonjë përparim të madh që të prodhojë ndonjë nivel të ri të raporteve midis Riadit dhe Teheranit, fakti që të dyja palët po bisedojnë që nga prilli është një shenjë pozitive. Sigurisht, midis 2 vendeve janë krijuar nivele të larta mosbesimi, gjë që do ta bëjë të vështirë që bisedimet të çojnë shpejt në ndryshime thelbësore në mënyrën se si e shohin njëri-tjetrin dy regjimet.
Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe
Që nga nisja e Pranverës Arabe në vitin 2011, dhe sidomos pas përpjekjes së dështuar të grushtit të shtetit në Turqi në vitin 2016, marrëdhëniet midis Turqisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe janë përkeqësuar shumë. Ndërkohë,muajt e fundit të dyja palët kanë ndërmarrë hapa për të “ecur drejt pajtimit”.
Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe po ballafaqohen gjatë kësaj periudhe me sfida ekonomike, të cilat janë ndryshoret kryesore në këtë ekuacion. Turqit duan të përfitojnë nga rezultati i samitit Al-Ulas që u zhvillua në janar të këtij viti, për të thelluar marrëdhëniet ekonomike me shtetet e Gjirit Persik, që ishin në kampin e kundërt të bllokadës ndaj Katarit.
Në praktikë, kjo do të thotë të sjellë më shumë investime saudite dhe të emirateve në ekonominë turke, pikërisht në kohën kur ajo po vuan nga shumë probleme. Emiratet e Bashkuara Arabe janë të detyruara të përballen me atë që mund të bëhet një rend i ri gjeopolitik në rajonin e Gjirit, në të cilin Shtetet e Bashkuara janë shumë më pak të angazhuara për sigurinë e këtij rajoni, se sa kanë qenë në dekadat e fundit.
Brenda këtij konteksti, ndërsa Emiratet po përgatiten për “periudhën pas Shteteve të Bashkuara”, zyrtarët në Abu Dhabi duket se besojnë se zbutja e tensioneve me Turqinë, ashtu si edhe me Katarin dhe Iranin,është në interesin e Emirateve të Bashkuara.
Në fund të ditës, është e vështirë të imagjinohet se marrëdhënia Turqi-Emiratet e Bashkuara Arabe do të bëhet miqësore së shpejti. Qeveritë në Ankara dhe Abu Dhabi e shikojnë Lindjen e Mesme shumë ndryshe nga njëra-tjera, sidomos në lidhje me çështjet themelore lidhur me rolin e Islamit politik në botën arabe dhe myslimane.
Por në një epokë të re pajtimi në të gjithë rajonin, ka ndoshta një arsye të mirë për të shpresuar që turqit dhe emiratasit të përfitojnë nga më shumë mundësi për të vazhduar afrimin midis tyre gjatë pjesës së mbetur të këtij viti.
Egjipti dhe Katari
Ashtu si aleatët e saj të ngushtë të GCC, edhe Egjiptit i është dashur t’i përshtatet realitetit të ri me administratën Biden, si dhe me pasojat e tmerrshme ekonomike që solli Covid-19. Për pasojë, edhe Kajro e ka ri-kalibruar politikën e saj të jashtme. Shembulli kryesor është shkalla në të cilën Egjipti ka përmirësuar marrëdhëniet e tij me Katarin.
I shqetësuar për pasojat e presidencës Biden në marrëdhëniet SHBA-Egjipt, presidenti egjiptian Abdel Fattah El-Sisi po përdor një qasje pragmatike ndaj marrëdhënieve të tij me Uashingtonin në epokën post-Trump. Afrimi i Kajros me Dohan dhe bashkëpunimi me të për të ndërmjetësuar armëpushimin mes Hamasit-Izraelit në maj të këtij viti, kanë shërbyer për të përmirësuar reputacionin e El-Sisi tek Biden. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al