MENU
klinika

Forum/ “Carnegie Europe”

A është kriza energjetike plagë e vetë-shkaktuar?

30.10.2021 - 10:48

“Carnegie Europe”

Evropa po përballet me një rritje të ndjeshme të çmimeve të gazit. Për të shmangur krizat e mëtejshme, Bashkimit Evropian duhet që ta përshpejtojë tranzicionin e tij drejt burimeve të rinovueshme, të zvogëlojë varësinë nga Rusia, dhe të formulojë një politikë koherente energjetike. Ja çmendojnë mbi situatën aktuale disa nga ekspertët më të njohur.

Kristine Berzina:Bashkëpunëtore dhe drejtuese e ekipit të gjeopolitikës në Aleancën për Mbrojtjen e Demokracisë në think-tankun “German Marshall Fund”:

Evropa i mësoi leksionet e krizave që shkaktuan ndërprerjet e furnizimit me gaz në vitet 2006 dhe 2009, dhe vendosi një sërë rregulloresh që e bëjnë sot të pamundur një ndërprerje të ngjashme të drejtpërdrejtë. Sot problemi nuk është ndërprerja e furnizimeve.

Përkundrazi, Evropa po vuan nga një rritje e çmimit të gazit dhe një rënie e sasisë së gazit që importon. Rusia ka mësuar se nuk mund ta luajë sërish lojën e viteve 2006 dhe 2009. Gjithsesi, Moska ka ende mjete të shumta në dispozicion që mund t’i përdorë për të ushtruar presion mbi Evropën, dhe për ta bërë njëherazi veten më të pasur.

Këtë vit, ashtu si në vitin 2009, vendet anëtare të BE-së duhet të pyesin veten se si unioni mund ta përdorë gazin rus pa rënë pre e një shantazhi energjitik. Evropa është duke importuar ende një sasi të konsiderueshme të gazit nga Rusia, që vitet e fundit zë rreth 40 për qind të nevojave në total.

Dhe ndërtimi i gazsjellësve të rinj si “Nord Stream 2” vetëm sa e forcon varësinë e Evropës nga energjia ruse. Atëherë, a është kriza energjetike e Evropës e vetë-shkaktuar prej saj? Po. Sepse në vend se t’i interpretonte krizat e 2006-ës dhe 2009-ës si shenja të nevojës për të reduktuar në mënyrë dramatike varësinë nga Rusia, Evropa ndryshoi vetëm rregulloret e saj.

Kjo bwri qw shtetet ta ndjenin se mund ta rrisnin pa problem varësinë e tyre ndaj gazit rus. Në rast se Evropa nuk distancohet gradualisht nga energjia ruse, kontinenti do të gjendet sërish në një pozicion të vështirë ekonomik dhe strategjik.

Elisabetta Cornago, bashkëpunëtore mbi politikat e energjisë dhe klimës në “Center for European Reforms”:

Paradoksalisht, faji kryesor i Evropës është se ndërsa ajo është e para në veprimetkundër ndryshimeve klimatike, përpjekjet e saj për de-karbonizimin e ekonomive janë aktualisht ende shumë të ngadalta për të mposhtur ritmin e ndryshimeve në dinamikën globale të sektorit energjitik.

Kjo e ka lënë Evropën shumë të ekspozuar ndaj rritjes aktuale të çmimit të energjisë. Zhvendosja nga qymyri tek gazi për prodhimin e energjisë elektrike, e vërejtur në dekadën e fundit në tregjet evropiane të energjisë, është një histori suksesi sa i përket reduktimit të emetimeve, e tejkaluar vetëm nga rritja e burimeve të rinovueshme.

Liberalizimi i tregjeve të gazit, u ka kursyer konsumatorëve evropianë pothuajse 60 miliardë euro në faturat e energjisë vetëm gjatë dekadës së fundit. E megjithatë, mbështetja e Evropës tek importet e gazit rus është rritur, gjë që ka edhe koston e saj gjeopolitike.

Ndërsa temperaturat ekstreme po bëhen gjithnjë e më të zakonshme, dhe kërkesa për energji në ekonomitë në zhvillim po rritet vazhdimisht, Evropës do t’i duhet gjithnjë e më shumë të konkurrojë me Azinë për gazin natyror – edhe pse ky i fundit shërben si një lëndë djegëse “tranzitore” për të hequr përfundimisht dorë nga qymyri si një lëndë djegëse.

Në një periudhë afatshkurtër, qeveritë duhet të ofrojnë subvencione në para për familjet dhe bizneset e cënueshme, në mënyrë që ata ta përballojnë rritjen e çmimeve. Por në terma afatgjatë, de-karbonizimi i sektorit të energjisë është strategjia më e mirë që Evropa të ulë çmimet e saj të energjisë dhe të përmirësojë sigurinë e vet energjetike.

Olivia Lazard, studiuese në “Carnegie Europe”:

Kriza energjitike buron nga faktorë strukturorë dhe konjukturorë. Sa i parket këtij të fundit, Evropa nuk mund ta parashikonte pandeminë dhe as efektet e saj mbi tregjet energjitike në mbarë botën. Ndërkohë lidhur me faktorin e parë, Evropa hyri në një boshllëk tranzicioni, duke zbuluar se sa miope kanë qenë shtetet anëtare.

Rritja e çmimeve ka ardhur pjesërisht nga pasja e një Sistemi të Tregtimit të Emisioneve (ETS) në Evropë, që ka filluar të funksionojë, duke e bërë më të kushtueshëm kalimin nga qymyri dhe burimet e tjera të energjisë fosile, tek burimet e rinovueshme të energjisë.

Ky është një tregues se politikat evropiane për veprimi klimatik po hyjnë në fuqi, dhe ky është një lajm i mirë, edhe pse si për ironi ETS nuk po çon ende në çmime shumë të larta të qymyrit.

Megjithatë, të pasurit e një ETS-je pjesërisht funksionale, që çon në reagime sociale dhe ekonomike për konsumatorët dhe prodhuesit evropianë, tregon se në planet e saj të tranzicionit gjatë dekadës së fundit,Evropës i mungonte largpamësia, gatishmëria dhe guximi.

Në rast se shtetet anëtare të unionit do të kishin investuar më herët dhe në mënyrë më aktive në burime të rinovueshme dhe më autonome të energjisë, përpara hyrjes në fuqi të ETS, ata do të kishin qenë në një pozicion më të mirë për të zbutur goditjet e lidhura me heqjen dorë nga karburantet fosile (nafta dhe qymyri), dhe për të gjeneruar një mbështetje më të madhe dhe demokratike për tranzicionin energjitik.

Parë nga ky këndvështrim, kriza energjetike është vërtetë një plagë e vetë-shkaktuar, dhe tregon atë që i mungon ende BE-së në tranzicionin e saj:një kapacitet strategjik, analitik dhe planifikues, që e vendos tranzicionin si faktorin përcaktues të politikës rajonale, të jashtme dhe të sigurisë të Evropës.

Me gjithë përpjekjet e saj për veprimin kundër ndryshimeve të klimës, BE-ja funksionon ende me një këndvështrim afatshkurtër, gjë që e çon atë nga kriza në krizë. Ndryshimet klimatike dhe tranzicionet ekologjike janë teste për qasjen dhe kapacitetin e rrezikut kolektiv të BE-së, për t’i shndërruar objektivat afatshkurtra dhe objektiva afatgjata që ecin në trajektore koherente.

Marco Siddi, studiues në Institutin Finlandez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare:

Disa faktorë e kanë shkaktuar krizën aktuale energjetike në Evropë:rritja e kërkesës globale për energji si rezultat i rimëkëmbjes ekonomike; rënia e përkohshme e prodhimit të energjisë së erës në Evropë; shitjet e kufizuara të gazit rus në tregun aziatik; furnizim i kufizuar me gaz nga Norvegjia për shkak të problemeve të mirëmbajtjes; si dhe konsumi më i lartë i gazit në fillim të vitit 2021 për shkak të motit të ftohtë.

Kjo e fundit çoi në çmime më të larta në pranverë dhe verë, të cilat nga ana e tyre i dekurajuan tregtarët të blinin gaz, për ta shitur atë më vonë gjatë vitit. Shpjegimet reduktuese që fokusohen vetëm tek një faktor, priren të jenë zakonisht më të thjeshta.

Nëse dikush analizon mangësitë e BE-së, bie në sy besimi i saj i tepruar tek tregjet dhe tek pretendimin se tregu i gazit është tanimë një treg blerësish. Ky besim e ka formësuar prej kohësh qëndrimin e BE-së ndaj sektorit të gazit dhe furnizuesve kryesorë të jashtëm. Megjithatë, do të ishte gabim të fajësohej – e lëre më pastaj të rishikohej – fokusi i BE-së mbi energjinë e rinovueshme:tranzicioni i energjisë mbetet një prioritet thelbësor për të shmangur ndryshimet klimatike katastrofike.

Për më tepër, përmirësimi i efikasitetit të energjisë, ndihmon në reduktimin e kërkesës për energji dhe rrjedhimisht nërritjen e çmimeve. Në periudha afatmesme dhe afatgjata, zbatimi i tranzicionit energjetik, mbetet garancia më e mirë për Evropën për të shmangur krizat e mëtejshme energjetike. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al