MENU
klinika

“Lufta e Re e Ftohtë”

Amerika, Kina dhe jehona e historisë

20.10.2021 - 13:47

Nga Hal Brands & John Lewis Gaddis, Foreign Affairs

Apo hyn bota në një Luftë të re të Ftohtë? Përgjigja jonë është po dhe jo. Por nëse nënkuptojmë një rivalitet ndërkombëtar të zgjatur në kohë, luftërat e ftohta në këtë kuptim janë po aq të vjetra sa vetë historia. Disa u bënë të nxehta, disa jo:asnjë ligjësi nuk e garanton rezultatin përfundimtar.

Jo, nëse nënkuptojmë Luftën e Ftohtë që kemi parë në shkuarën. Ajo u zhvillua në një kohë të caktuar (nga vitet 1945-1947, deri në vitet 1989-1991), midis kundërshtarëve të veçantë (Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Sovjetik dhe aleatëve të tyre përkatës), dhe për çështje të veçanta si (balancat e fuqive të pas Luftës së Dytë Botërore, përplasjet ideologjike, garat e armatimit).

Asnjëra nga ato çështje sot nuk duket aq e madhe, dhe aty ku duket se ekzistojnë paralele – bipolariteti në rritje, polemikat e intensifikuara, mprehja e dallimeve midis autokracive dhe demokracive – konteksti është krejt i ndryshëm.

Nuk është më i diskutueshëm fakti që Shtetet e Bashkuara dhe Kina, aleatë të heshtur gjatë gjysmës së fundit të Luftës së Ftohtë, po hyjnë tashmë në luftën e tyre të re të ftohtë. Presidenti kinez Xi Jinping e ka shpallur publikisht këtë gjë, dhe një konsensus i rrallë dypartiak në Shtetet e Bashkuara e ka pranuar sfidën.

Atëherë, çfarë mund të sugjerojnë garat e mëparshme – Lufta e Ftohtë e vetme dhe shumë luftëra të mëparshme të ftohta – për luftën që po shohim tani?Natyrisht e ardhmja, është më pak e njohur se e kaluara, por nuk është në të gjitha aspektet e panjohur. E para gjë e njohur është gjeografia. Zhvendosja kontinentale e fuqisë globale me siguri që do të ndryshojë me kalimin e kohës, por jo në kohën tonë.

Kina do të mbetet kryesisht një fuqi tokësore, e rrethuar nga një dilemë e lashtë. Nëse në kërkim të thellësisë së saj strategjike, ajo do të përpiqet ta zgjerojë perimetrin e saj, ka të ngjarë që të tejkalojë aftësitë e veta dhe të provokojë rezistencën e fqinjëve të shqetësuar.

Ndërkohë,Shtetet e Bashkuara përfitojnë nga kufijtë që i ka përcaktuar gjeografia. Kjo është arsyeja pse pas vitit 1815 Britania e Madhe, zgjodhi të mos e kundërshtonte përparësinë e pasardhësve të saj në Amerikën e Veriut.

Mbajtja e ushtrive 3.000 kilometra larg përtej oqeanit, do të ishte shumë e kushtueshme edhe për fuqinë më të madhe detare në botë. Gjeografia u dha amerikanëve një lloj hegjemonie hibride: kontrollin e një kontinenti dhe qasje të papenguar në dy oqeanet më të mëdhenj të botës, të cilët ata i lidhën shumë shpejt me një hekurudhë transkontinentale.

Kjo gjë udha mundësi amerikanëve të zhvillonin mjetet ushtarako-industriale me të cilat do të shpëtonin evropianët në Luftën e Parë Botërore, Luftën e Dytë Botërore dhe Luftën e Ftohtë.

Megjithatë, nga një strehë kaq e sigurt, amerikanët ndërmorën angazhime të atilla të frikshme? Ndoshta e panë vetën në pasqyrë dhe u trembën:shembulli i tyre, ai i një vendi që dominon një kontinent dhe qasjet e tij oqeanike. Paralajmërimi ishte përfundimi i hekurudhës trans-siberiane nga Rusia në vitin 1904, një projekt, rëndësia e të cilit u tejkalua shpejt nga lufta dhe revolucioni.

Por jo para se të shkaktonte paralajmërimin e fortë të gjeopolitikologut britanik Halford Mackinder se kontrolli “zemrës” së Euroazisë, mund të fuqizonte forma të reja dhe ambicioze globale të hegjemonisë hibride. Presidenti WoodrowWilson e njohu atë rrezik kur i shpalli luftë Gjermanisë perandorake në vitin 1917.

Presidenti Franklin Roosevelt e çoi argumentin një hap më tej në vitet 1940-1941, duke këmbëngulur më të drejtë se objektivi përfundimtar i Adolf Hitlerit ishin vetë Shtetet e Bashkuara. Prandaj, kur diplomati amerikan George Kennan bëri thirrje në vitin 1947 për të “frenuar” një aleat të guximshëm të Luftës së Dytë Botërore, Bashkimin Sovjetik, ai kishte baza të forta ku mund ta bazonte platformën e tij. Iniciativa e Brezit dhe Rrugës e Xi Jinngping ngjall shqetësime të ngjashme.

Ai do të ndërtojë një rrjet korridoresh hekurudhore dhe rrugore në të gjithë Euroazinë. Pra Kina po kërkon hegjemoni hibride në një shkallë të paparë. Dhe kjo na çon tek e panjohura jonë e parë: Çfarë mund të nënkuptojë kjo për Euroazinë dhe botën përtej?

Udhëheqësit e Kinës pas Luftës së Ftohtë, e kishin studiuar në detaje shembullin sovjetik, dhe u përpoqën të shmangnin përsëritjen e tij. Ata e shndërruan marksizmin në kapitalizëm konsumator, por pa lejuar në të njëjtën kohë demokracinë. Ndërkohë që sot Xi po e ndërpret qasjen me botën e jashtme, duke i sfiduar normat juridike ndërkombëtare

Këtu buron edhe panjohura jonë e dytë:Pse Xi po i anulon reformat dhe qasjen diplomatike, që mundësuan ngritjen e Kinës? Ndoshta ai ka frikë nga rreziqet e daljes në pension, edhe pse ato shtohen pas çdo rivali që ai burgos ose spastron. Ndoshta ai shqetësohet se rivalët gjithnjë e më armiqësorë ndërkombëtarë, nuk do t’i japin atij një kohë të pakufizuar për të arritur qëllimet e tij.

Ose mund të ndodhë që Xi të parashikojë një rend botëror, me autoritarizmin në thelbin e tij, dhe me Kinën në qendër. Demokracia në Amerikë ka boshllëqet e veta midis premtimeve dhe performancës, aq sa duket se ndonjëherë vuan nga paraliza e ngjashme me Brezhnev.

Por SHBA-ja dallon nga Kina në aspektin që mosbesimi ndaj autoritetit është i detyruar me kushtetutë. Ndarja e pushteteve siguron një qendër graviteti, në të cilën kombi mund të ri-ngrihet pas çfarëdolloj krize që mund të përjetojë. Autokracitë “vrapojnë” shpesh me “sprint”, por investitorët e zgjuar i vendosin paratë e tyre mbi “maratonën” e demokracive. Këtu buron edhe e panjohura jonë e tretë:A është e mundur që Xi të ndezë dhe fikë zemërimin e brendshëm, siç bëri Mao në mënyrë të përsëritur gjatë viteve të tij në pushtet?

Mao i dha me dinakëri regjimit të tij 100 vjet kohë për të rimarrë Tajvanin. Xi e ka përjashtuar mundësinë e kalimit të këtij problemi brez pas brezi, edhe pse nuk ka caktuar ende një datë për zgjidhjen e këtij problemi. Gjithsesi, retorika e tij gjithnjë e më agresive e shton rrezikun që çështja e Tajvanit të bëjë që një luftë e ftohtë Kinë-SHBA të bëhet e nxehtë, dhe kjo sepse Shtetet e Bashkuara e kanë lënë qëllimisht të paqartë politikën e tyre mbi Tajvanin.

Që të gjithë këto elementë evokojnë në mënyrë tmerruese rrugën sesi Evropa shkoi në Luftën e Parë Botërore në vitin 1914:një paqartësi e angazhimeve të fuqisë së madhe, e kombinuar me mungesën e de-përshkallëzimit të tensioneve. Gjysma e parë e shekullit XX nuk ofroi asnjë mbështetje ndaj idesë se rivalitetet e fuqive të mëdha mund të zgjidheshin në mënyrë paqësore.

“Një luftë e ardhshme me Rusinë sovjetike”, parashikoi diplomati amerikan Joseph Grew në vitin 1945, “është po aq i sigurt sa gjithçka tjetër që mund të jetë e sigurt në botë”. Atëherë çfarë i lejoi superfuqitë e Luftës së Ftohtë që ta shmangnin atë perspektivë, dhe sa të rëndësishme janë sot ato rrethana?

Një përgjigje është se vetë historia gjatë atyre viteve u bë një profeci. Duke pasur parasysh  që shumica e udhëheqësve kishin përjetuar një Luftë të Dytë Botërore, pak prej tyre ishin të etur të rrezikonin përfshirjen në një luftë të tretë. Një mënyrë e dytë përmes së cilës historianët e kanë shpjeguar “paqen e gjatë”, është se armët bërthamore e shtypën optimizmin se si mund të përfundojnë luftërat.

Edhe me përmirësimet e fundit, kinezët kanë më pak se 10 për qind të numrit të armëve bërthamore që zotërojnë së bashku Shtetet e Bashkuara dhe Rusia. A ka rëndësi kjo? Ne dyshojmë se jo, duke pasur parasysh atë që arriti Khrushchev në vitin 1962:pavarësisht një disavantazhi 9 me 1në armët bërthamore, ai e pengoi pushtimin e Kubës pas fiaskos së SHBA në Gjirin e Derrave.

Që atëherë, SHBA-ja ka jetuar ngjitur me anomalinë:një ishull komunist në mes të Detit të Karaibeve. Sot është edhe më pak e besueshme që Shtetet e Bashkuara të përdorin armë bërthamore për të mbrojtur Tajvanin, pasi ky ishull është më i rëndësishëm për Pekinin sesa Kuba apo Berlini për Moskën.

Megjithatë, kjo papranueshmëri mund ta bëjë Xi të besojë se mund ta pushtojë Tajvanin pa rrezikuar një përgjigje bërthamore nga ana e SHBA-së. Po pastaj çfarë? Çfarë do të bënte Xi me Tajvanin? Ishulli nuk është Hong Kongu, një qytet që kontrollohet lehtë. Dhe as Krimea, me një popullsi që kryesisht bie dakord me pushtuesin.

Testi përfundimtar për Shtetet e Bashkuara në garën e saj me Kinën:menaxhimi i durueshëm i kërcënimeve të brendshme ndaj demokracisë sonë, si dhe toleranca ndaj kontradiktave morale dhe gjeopolitike përmes të cilave diversiteti global mund të jetë më i mundur që të mbrohet.

*Marrë me shkurtime
**Shënim: Hal Brands, profesor i çështjeve globale në Universitetin John Hopkins. John Lewis Gaddis, profesor i historisë ushtarake dhe detare në Universitetin e Jeilit, SHBA.