Angela Merkel u bëri thirrje gjermanëve të dielën për të krijuar një të ardhme të përbashkët që mbështetet tek diversiteti, duke iu referuar vendimit të vitit 2015 për të pranuar 1 milion refugjatë që ishte një moment përcaktues gjatë detyrës së saj si kancelare.
Zonja Merkel u shfaq e prekur gjatë një fjalimi për 31 vjetorin e ribashkimit që mund të jetë i fundit përpara se ajo të japë dorëheqjen, edhe pse negociatat për të krijuar një koalicion të ri qeverisës pas zgjedhjeve të muajit të kaluar mund të kërkojnë disa muaj.
Ajo tha se liritë që erdhën me ribashkimin gjerman 31 vite më parë kishin sjellë “kaq shumë mundësi të reja” për njerëzit nga ish-lindja komuniste, ku ajo u rrit, ndërkohë që shumë prej tyre papritmas “e gjetën veten në një rrugë pa krye”.
Me një zë emocional, ajo kujtoi se si një gazetar kishte shkruar vitin e kaluar se ajo “nuk ishte një gjermane e vërtetë”, pasi u tha gazetarëve në vitin 2015 se “nëse duhet të fillojmë të kërkojmë falje” për një qëndrim miqësor gjatë krizës së refugjatëve, “atëherë ky nuk është vendi im”.
“A ka dy lloje gjermanësh dhe evropianësh – origjinali dhe të ardhurit, të cilëve u duhet të dëshmojnë sërish përkatësinë e tyre çdo ditë dhe mund të dështojnë në provim me një fjali, si ajo në një konferencë për shtyp?”, pyeti ajo.
Kriza e refugjatëve në vitin 2015, kur Kancelarja Merkel hapi dyert e Gjermanisë për rreth 1 milion emigrantë që largoheshin nga lufta dhe varfëria në Lindjen e Mesme, ishte akti më i diskutueshëm i kohës së saj në pushtet dhe nxiti rritjen e partisë të së djathtës ekstreme, Alternativës për Gjermaninë (AfD)./ VOA