Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin përfundoi udhëtimin e tij në Evropë të premten pas përfundimit të takimit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, i cili u përqendrua në çështjet që lidheshin me Kinën, Rusinë dhe Afganistanin.
Çështjet kryesore të diskutuara në takimin e minstrave të mbrojtjes të vendeve të NATO-s në Bruksel, ishin konfliktet e kaluara, ato të tanishme, mësimet e nxjerra në Afganistan, Rusia që prishi marrëdhëniet diplomatike me NATO-n këtë javë mes agresionit në krahun lindor të aleancës, dhe shqetësimet në rritje për një luftë të mundshme midis Kinës dhe Tajvanit.
“Askush, përfshirë Presidentin Biden nuk dëshiron që çështjet mes Kinës dhe Tajvanit të shpërthejnë, dhe nuk ka asnjë arsye që kjo të ndodhë”, tha Sekretari Austin.
Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin u tha gazetarëve të premten në Bruksel se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara në përpjekjet për të forcuar aftësitë mbrojtëse ushtarake të Tajvanit.
Ai gjithashtu riafirmoi mbështetjen e Amerikës për sovranitetin e aleatëve amerikanë që luftojnë agresionin rus.
Para takimit të NATO-s, zoti Austin vizitoi këtë javë Rumaninë, një aleat i NATO-s në kufi të Detit të Zi, si edhe Gjeorgjinë dhe Ukrainën, dy partnerë të pushtuar pjesërisht nga forcat ruse dhe ato të mbështetura nga Rusia.
Max Bergmann nga Qendra për Progresin Amerikan në Uashington thotë se ndalesat e Sekretarit Austin janë një shenjë se nuk pritet të ketë një ngrohje të marrëdhënieve me Rusinë.
“Unë mendoj se administrata e Presidentit Biden, ndoshta në fillim nuk ishte shumë e qartë dhe shkaktoi pak shqetësim në mesin e disa njerëzve në Evropën Lindore se nuk ishte shumë e përqendruar në çështjet e lidhura me Rusinë dhe shqetësimet e Evropës Lindore. Kjo vizitë tani i ka hequr këto shqetësime”, thotë ai.
Ky ishte takimi i parë i ministrave të mbrojtjes të NATO-s që nga tërheqja kaotike e trupave të koalicionit nga Afganistani, që u shoqëruara me kritika të shumta. Analisti Max Bergmann thotë se kjo ishte një “periudhë e errët” për aleancën e NATO–s.
“Unë mendoj se Afganistani ka qenë padyshim një çështje e debatueshme për aleancën. Evropianët menduan se nuk ishin konsultuar në mënyrë adekuate dhe ata menduan se ky ishte në një farë mënyre një vendim i njëanshëm i Presidentit Biden për t’u tërhequr”, thotë ai.
Veterani i luftës në Afganistan, Bradley Bowman, i cili tani punon në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, me qendër në Uashington, thotë se kjo çështje i hapi rrugën kritikave ndaj Shteteve të Bashkuara se ato nuk janë një partner i qëndrueshëm dhe i besueshëm.
“Nuk ka dyshim se reputacioni i Amerikës, si rezultat i vendimit të tmerrshëm të administratës së Presidentit Bidenit për t’u tërhequr nga Afganistani, është njollosur, në Evropë dhe në të gjithë botën”, tha ai.
Talebanët janë kthyer në pushtet. Disa përparime të fituara me një luftë intensive u gërryen. Dhe tani ka njoftime se qindra amerikanë dhe mijëra afganë që ishin partnerë të Shteteve të Bashkuara u lanë mprapa.
Sekretari Austin tha se Shtetet e Bashkuara kanë një “përgjegjësi morale” për të ndihmuar ata që kanë mbështetur Amerikën.
“Ne nuk kemi mbaruar, ne do të vazhdojmë punën tonë. Ne do të punojmë sa më shumë që të mundemi për të ndihmuar sa më shumë njerëz”, tha ai.
Aftësitë e Shteteve të Bashkuara për të evakuuar njerëz nga Afganistani janë kufizuar pas tërheqjes së trupave amerikane. Forcat ushtarake amerikane ndihmuan në evakuimin e më shumë se 100,000 njerëzve nga vendi i shkatërruar nga lufta gjatë dy javëve të fundit të gushtit.