Nga Sergiy Makogon, Atlantic Council
Gazsjellësi “Nord Stream 2” nuk ka nisur ende nga puna, por kontrolli shantazhues i Kremlinit mbi furnizimet me energji, po ndihet tashmë në të gjithë Evropën. Çmimi i gazit vazhdon të kapë nivele rekord, dhe brenda 1 viti është rritur me mbi 600 për qind.
Ajo që po shohim aktualisht në Evropë, është një përsëritje e krizës energjitike që përjetoi Amerika në vitet 1970. Produkti është i ndryshëm, masat mbrojtëse janë më të forta, por dinamika bazë është e njëjtë.
Nuk ishte mungesa e cisternave të naftës, ajo që rriti çmimet e naftës së papërpunuar, dhe që shkaktoi një recesion të rëndë ekonomik në SHBA gati 50 vjet më parë, por vendimet e motivuara politikisht nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës për të reduktuar furnizimet.
Si një operator i transmetimit të gazit në Ukrainë, dhe një partner i besueshëm për Evropën, GTSOU ka ofruar në çdo ankand sasi të mëdha gazi, por Rusia ka dështuar vazhdimisht që t’i rezervojë ato. Më 15 shtator, Gazprom njoftoi se prodhimi i tij i gazit është rritur këtë vit me 19 për qind, por Evropa nuk ka parë asnjë rritje të furnizimeve të saj.
Pra për të qenë të qartë:nuk ka aspak ndonjë mungesë të kapacitetit transportues. Ndërsa Kremlini po mbron gazsjellësin “Nord Stream 2”, si një zgjidhje për problemet energjetike të Evropës, afro 2 herë më shumë gaz mund të transportohet nga Rusia në BE përmes Ukrainës.
E megjithatë, rrjeti i Ukrainës qëndron bosh, ndërsa Evropa nuk po mundet që të marrë të mjaftueshëm gaz. Në vitin 2019, Ukraina nënshkroi një kontratë 5-vjeçare me Gazprom për të transportuar vëllimet e para-dakordësuara të gazit, me kapacitete shtesë të ofruara në ankandet e përmuajshme.
Këto ankande janë provuar kohët e fundit si një mjet sinjalizimi unik për Rusinë. Sa herë që kundërshtohet oferta e Ukrainës për kapacitete shtesë të transportit, çmimet e gazit rriten në nivele të reja rekord. Në fakt, Gazprom po pretendon se nuk do të dërgojë më gaz në Evropë përmes Ukrainës.
Kushdo që pyet ende veten mbi origjinën e krizës aktuale të gazit në Evropë, duhet të ketë parasysh deklaratën e fundit të Kremlinit, që konfirmon se “vënia në punë e “Nord Stream 2” do të balancojë parametrat e çmimit të gazit natyror në Evropë”. Nëse kjo nuk është një përpjekje për ta shantazhuar Evropën, atëherë çfarë është?
Deklarata gjermano-amerikane e verës së këtij viti, e bëri të qartë se komuniteti transatlantik nuk do ta lejojë Rusinë që ta përdorë furnizimin me energji si një armë kundër Ukrainës në veçanti, apo Evropës në tërësi. Në një epokë të kërcënimeve hibride, është me shumë rëndësi të merren parasysh një sërë skenarësh, pas mbylljes dramatike të valvulave të gazit.
Para së gjithash, nuk duhet të ketë përjashtime nga paketa e tretë e energjisë për “Nord Stream 2”. Çdo përpjekje për të përmbysur procesin e certifikimit, do të jetë një shenjë e qartë e përdorimit të energjisë si një armë. Forca e Evropës buron nga sundimi i ligjit.
BE-ja do të jetë më e mbrojtur, nëse rregullat e tregut të gazit do të zbatohen në tërësinë e tyre në të gjitha rrugët e transportit transit të gazit. Rregullat e BE-së zbatohen edhe për Ukrainën, dhe kjo e bën më të besueshëm korridorin tranzit ukrainas.
Paketa e tretë e energjisë, është linja e parë e mbrojtjes së Evropës kundër manipulimit të çmimeve dhe abuzimeve të tjera. Tani është koha që ajo të nisë të përdoret. Së dyti, të gjithë bien dakord se transporti transit i gazit përmes Ukrainës duhet të vazhdojë. Por tani që është gati gazsjellësi “Turk Stream”, një pjesë e konsiderueshme e fluksit të gazit tashmë është devijuar nga Ukraina.
Nëse do të jetë në dispozicion një rrugë tjetër alternative, kompania ruse Gazprom do të jetë e lirë që ta përdorë këtë situatë të re kundër Ukrainës. Duke dërguar vëllime minimale të gazit një ditë, dhe vëllime maksimale ditën tjetër, Rusia mund ta bëjë të vështirë, në mos të pamundur që GTSOU të operojë me infrastrukturën që ka, dhe të përmbushë detyrimet tona në kufirin perëndimor të Ukrainës.
Marrëveshja ekzistuese do të vihet jo pak në rrezik. Për hir të Ukrainës dhe në interes të stabilitetit rajonal, komuniteti transatlantik duhet t’i kërkojë Rusisë garanci për ruajtjen e rrugëve të vjetra të tranzitit dhe për shlyerjen në kohë të pagesave.
Rezervimi i kapaciteteve transmetuese në të gjithë Evropën, të cilat mbeten më pas të papërdorura, përbën një kërcënim të mëtejshëm shtesë. Tregu i gazit në Evropë funksionon mirë kur nxitet nga interesat ekonomike. Asnjë tregtar racional, nuk do të ishte i interesuar të rezervonte kapacitetet e transitit, vetëm për t’i mbajtur tubacionet bosh.
Por nëse një lojtar i tregut është duke ndjekur qëllimet gjeopolitike, ka gjasa të krijohen kriza, të kufizohet qasja në treg, dhe të izolohet një vend nga burimet e furnizimit. Ndërkohë ne duhet të kemi kujdes nga “aksidentet misterioze”, që e dimë se kanë ndodhur në të kaluarën, siç ishte shpërthimi në gazsjellësin Turkmen në vitin 2009, dhe ai i 2006-ës në Gjeorgji.
Në kontekstin aktual, çdo ngjarje e tillë do të kishte një ndikim dramatik në çmimet e energjisë, dhe mund të shkaktonte thirrjet për “masa emergjente”. Për shembull, kjo mund të nxisë kërkesat për certifikimin e shpejtë të “Nord Stream 2” apo lëvizje të tjera, nga të cilat do të përfitonte Gazprom, por që do ta dobësonin sigurinë evropiane të energjisë.
Përdorimi i “Nord Stream 2” si një armë, nuk është më një skenar hipotetik. Ai është një proces i vazhdueshëm, i cili ka nisur që ditën kur filloi zbatimi i këtij projekti. Tani situata po përkeqësohet në mënyrë progresive, por askush nuk mund ta përcaktojë me saktësi një ngjarje të vetme dramatike, që do të duhet shkaktojë disa kundërmasa vendimtare.
Shumica e shteteve anëtare të BE-së e refuzojnë “Nord Stream 2”. Kohët e fundit, një grup ligjvënësish evropianë, i bënë thirrje Komisionit Evropian që të hetojë Gazprom për rolin e tij në rritjen aktuale të çmimit të gazit. Megjithatë këta faktorë, nuk janë të mjaftueshëm për të ndalur fushatën e presionit nga ana e Moskës.
Nevojitet urgjentisht një përgjigje më e fuqishme. Lejimi i përfundimit të “Nord Stream 2” ka qenë gjithnjë një ide e tmerrshme. Ta bësh këtë nën presionin e Kremlinit, do të krijonte një precedent të rrezikshëm përtej sferës së energjisë, dhe për të cilën në mënyrë të pashmangshme Gjermania dhe Evropa do të pendohen.