MENU
klinika

Mes lidhjeve të tensionuara

Kina – SHBA, bisedimet mbi marrëdhëniet ushtarake

01.10.2021 - 08:44

Zyrtarët e mbrojtjes nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar dy ditë bisedime, një shenjë e vogël përparimi kjo ndërsa marrëdhëniet mes tyre kanë vazhduar të përkeqësohen.

Telekonferenca e sigurisë e mbajtur të martën dhe të mërkurën u drejtua nga general-majori Huang Xueping, zëvendës drejtor i Zyrës së Ushtrisë Çlirimtare të Popullit për Bashkëpunimin Ushtarak Ndërkombëtar dhe zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Mbrojtjes për Kinën Michael Chase.

Zëdhënësi i Ministrisë Kineze të Mbrojtjes Wu Qian tha të enjten se palët “shkëmbyen pikëpamje mbi marrëdhëniet midis dy vendeve dhe dy ushtrive dhe çështjet me interes të përbashkët”.

Megjithatë, ai fajësoi “provokimin dhe përpjekjet e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara për frenimin e Kinës”, për “vështirësitë dhe sfidat e konsiderueshme” midis dy ushtrive.

“Sovraniteti, dinjiteti dhe interesat kryesore të Kinës nuk përbëjnë shkelje,” tha Wu në konferencën mujore. “Në lidhje me marrëdhëniet mes dy forcave të armatosura, ne mirëpresim komunikimin dhe bashkëpunimin, ndërsa përballemi me dallime dhe kundërshtojmë presionin”.

Në një deklaratë të lëshuar në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes nënkolonel Martin Meiners tha, se takimi ishte “një komponent i rëndësishëm i përpjekjes së vazhdueshme të administratës Biden për të menaxhuar me përgjegjësi konkurrencën midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, duke mbajtur linja të hapura komunikimi”.

Gjatë bisedimeve, ai tha se të dy palët zhvilluan “një diskutim të sinqertë dhe të hapur për një sërë çështjesh”.

Marrëdhëniet midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara po përballen me acarimin më të rëndë në dekada lidhur me tregtinë, teknologjinë, të drejtat e njeriut dhe aktivitetet ushtarake kineze në Detin e Kinës Jugore, ku Pekini ka ndërtuar pista ajrore dhe infrastrukturë mbi ishujt e krijuar artificialisht.

Marrëdhëniet ushtarake janë karakterizuar nga mosbesim i thellë, me Shtetet e Bashkuara, që e akuzojnë Kinën për mungesë transparence, pasi ajo përmirëson masivisht aftësitë e Ushtrisë Popullore që shërben si krah ushtarak i Partisë Komuniste në pushtet.

Kina është zemëruar nga marina amerikane, që dërgoi anije pranë ishujve që ajo kontrollon, në ato që Uashingtoni i quan operacione të lira të lundrimi. Kina po ashtu anokohet për mbështetjen që SHBA i jep Tajvanit.

Presidenti Joe Biden ka mbajtur një linjë të ashpër ndaj Kinës, por ka kërkuar komunikim më të mirë me Pekinin. Bisedimet ushtarake besohet se shënojnë kontaktin e parë të drejtpërdrejtë të nivelit të lartë midis zyrtarëve të mbrojtjes nën administatën Biden.

Bisedimet gjithashtu pasojnë njoftimet se zyrtari më i lartë ushtarak amerikan, gjenerali i Mark Milley, i bëri një telefonatë homologut të tij kinez më 30 tetor dhe 8 janar për ta siguruar atë gjatë ditëve të fundit të administratës Trump.

Shefi i Shtatmadhorisë amerikane Mark Milley, tha të martën se telefonatat ishin në përgjigje të “informacioneve të shumta të zbulimit” se Kina ishte e shqetësuar për mundësinë e një sulmi amerikan. Ai tha se komunikime të tilla ushtarake janë kritike për të parandaluar luftën midis fuqive të mëdha, që zotërojnë armë bërthamore.

Kina nuk ka komentuar për telefonatat.