Franca vijon të jetë “më e ashpër” kundër Britanisë së Madhe lidhur me kushtet e peshkimit të vendosura pas Brexit-it, pasi vendi refuzon të lejojë peshkatarët francezë të peshkojnë në ujërat britanike.
Së fundmi Franca publikoi një listë sanksionesh që mund të hyjnë në fuqi nga 2 nëntori nëse nuk është bërë përparim i mjaftueshëm në çështjen ne peshkimit me Britaninë.
Mbretëria e Bashkuar ka thënë se kërcënimet për të bllokuar anijet britanike nga portet franceze në një mosmarrëveshje mbi të drejtat e peshkimit janë një shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe marrëveshjeve tregtare.
Ndryshe mendojnë francezët. Duke e quajtur sjelljen e Britanisë jo korrekte, sipas tyre duhet të vuajë pasojat të përkthyera në masa strikte.
Franca mund të rrisë kontrollet kufitare për mallrat nga Britania, të parandalojë hyrjen e anijeve britanike të peshkimit në portet e caktuara franceze dhe të rrisë kontrollet për kamionët që vijnë nga dhe shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar, thanë në një deklaratë të përbashkët Ministria Detare dhe Çështjet Evropiane.
Ky ultimatum do të përfshijë:
Parandalimi i zbarkimit të anijeve britanike të peshkimit në porte
Rritja e kontrolleve kufitare dhe sanitare për mallrat e Mbretërisë së Bashkuar
Shtrëngimi i kontrolleve të sigurisë në anijet britanike
Rritja e kontrolleve për kamionët që shkojnë në dhe nga Mbretëria e Bashkuar
Franca tha se po përgatitet gjithashtu sanksione të mëtejshme, të cilat mund të përfshijnë ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike në Jersey, siç kërcënoi më parë.
Mosmarrëveshja përqendrohet në dhënien e licencave për të peshkuar në ujërat territoriale gjashtë deri në 12 milje detare larg brigjeve të Britanisë, si dhe në detet jashtë brigjeve të Jersey, një varësi e kurorës në Kanal. Tensionet bënë që Franca dhe Britania të dërgojnë anije detare në brigjet e Jersey në fillim të këtij viti.