MENU
klinika

“50 mijë € për kokën e Kurtit”

Mesazhi kërcënues ndaj kryeministrit të Kosovës

28.10.2021 - 09:45

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë kërcënime për jetën. Mbrëmjen e djeshme Njësia Speciale u paraqit përballë banesës së Kurtit, për të rritur sigurinë te kryeministri dhe familja e tij. Mbrëmjen e djeshme nuk u bë e ditur se cili ishte ai person që kërcënoi kryeministrin, mirëpo ‘Gazeta Insajderi’ ka zbuluar një postim që është bërë në rrjetin social Facebook, ku ofrohen 50 mijë euro për këdo që e vret Kurtin.

Një person ka shkruar në grupin “Shes blej gjithçka”, në rrjetin social “Facebook”.

Në atë postim, thuhet se “Kurti duhet të vritet”, ndërsa si arsye përmendet rritja e çmimeve për produktet esenciale. Një kërcënim të tillë e kanë marrë seriozisht organet e sigurisë të cilat qëndruan në gatishmëri pranë banesës së Kurtit.

Postimi i bërë në këtë rrjet social tashmë është fshirë nga personat që e kanë shpërndarë. Ende nuk dihet nëse policia e Kosovës ka gjetur personin që bëri këtë kërkesë.

Deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli njëkohësisht nënkryetar i Komisionit për Çështjet e Sigurisë thotë se këto kërcënime nuk kanë lidhje me rrjetet sociale, ashtu siç kanë shkruar disa media kosovare.

Dugolli tha se nuk kanë informacione se kush e ka kërcënuar kryeministrin Albin Kurti.

“Nuk kemi ndonjë informacion për shkak se këto janë informacione që iu takojnë organeve të sigurisë të cilat besoj se janë në krye të detyrës. Përmes rrugëve operative me siguri që kanë marrë informacion dhe e kanë ngritur edhe nivelin e sigurisë. Kjo është detyrë ekskluzive e njësiteve të policisë dhe mbrojtjes së afërt të cilët në bazë të informacioneve e ngrisin shkallën e nivelit të sigurisë. Nuk kemi ende ndonjë informacion zyrtar se prej nga ka ardhur kërcënimi. Organet e sigurisë po e trajtojnë në mënyrë të duhur.

Kryeministri është mirë dhe po i kryen detyrat e veta, gjithashtu edhe organet e rendit po e kryejnë punën e tyre. Është çështje që po trajtohet dhe organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat e identifikimit, verifikimit dhe hetimit të saktë të asaj që ka ndodhur. Mos të harrojmë që kryeminsitri Kurti është kërcënuar edhe më herët dhe ka qenë në publik. T’ia lëmë organeve përgjegjëse që në momentin që ata konsiderojnë se duhet të ketë një informatë edhe për publikun me siguri se do të thuhet” – tha deputeti.

Në një intervistë për mediat, Dugolli nuk komentoi për largimin e pjesëtarëve të Njësisë Speciale të cilët ishin duke qëndruar në afërsi të shtëpisë së Kurti duke thënë se kjo është thjesht çështje operative.

“Unë këtu nuk do të lëshohesha në vlerësimin e kësaj situate më shumë për shkak se e kanë për detyrë të sigurojnë kryeministrin dhe qetësinë dhe të marrin hapat e duhur që të mos vijë deri te më e keqja. Sigurisht se kanë vlerësuar që për një kohë të caktuar të jenë derisa më pas sigurisht kanë ndërruar formën e vëzhgimit dhe monitorimit. Krejt këto janë çështje operative që i takojnë policisë”.

Nënkryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë ka hedhur poshtë mundësinë që kërcënimi të ketë lidhje me postimet në rrjete sociale ku kërkohet “vrasja e Albin Kurtit” për një shumë të caktuar parash e të cilat tashmë janë bërë virale.

“I kam parë ato në rrjete sociale. Mund t’iu siguroj se informata për kërcënim është zbuluar dhe ka shkuar nga rrugët operative të njësiteve dhe organeve të shtetit. Këto në rrjete sociale po mundohen në një formë të devalvojnë informatat dhe ngritjen e nivelit të sigurisë dhe nuk janë qëllimmira dhe nuk i kontribuojnë aspak zbardhjes së këtij rasti dhe hetimeve që po zhvillohen”, ka thënë Dugolli.

Dhjetëra sinjalizime për korrupsion dhe shpërdorim detyre

REL: Kurti erdhi në pushtet me premtimin për “duar të pastra”, por…

Nënshkrimi i marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës

Albin Kurti: Kur bëhemi bashkë, edhe punët janë më të mira

Rindezja e konfliktit me Kosovën dhe rindërtimi i qeverisë

Vuçiç po përpiqet të largojë vëmendjen nga protestat