Gucati e Haradinaj po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Shefja e Informimit dhe Komunikimit Publik në DhSK, Angela Griep, në konferencën për media të mbajtur më 30 shtator, ka bërë të ditur se në seancën e 7 tetorit kryetari i trupit gjykues do të bëj hapjen e gjykimit, do të kërkojë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) leximin e aktakuzës, e do të pyes të akuzuarit nëse i kanë kuptuar akuzat kundër tyre. Ajo deklaroi se Gucati e Haradinaj do të informohen nga kryetari i trupit gjykues për disa nga të drejtat dhe detyrimet e tyre gjatë gjykimit, e më pas do të vazhdohet me deklaratën hyrëse të prokurorisë.
Dëgjimi i dëshmitares së parë në këtë rast Griep ka thënë se pritet të nis më 18 tetor. E njëjta gjithashtu ka bërë të ditur se data e synuar që prokuroria të përfundojë paraqitjen e çështjes së saj është 9 nëntori. Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës, njofton “Betimi për Drejtësi”.
“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, -thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara. “Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së.”, -thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.