MENU
klinika

Erdogan dhe Johnson

Një dyshe e re e fuqisë globale?

21.10.2021 - 11:18

Nga Carolina Drüten & Gregor Schëung, Die Welt

Presidenca franceze thotë se “nuk mund ta kuptojë” përse Turqia e priti aq keq paktin e mbrojtjes që nënshkroi Franca kohët e fundit me Greqinë, pasi ai nuk synon aspak Ankaranë. Marrëveshja parashikon blerjen nga Greqia të pajisjeve ushtarake me vlerë miliarda euro, teksa të dyja vendet janë zotuar t’i vijnë në ndihmë njëra -tjetrës në rast se sulmohen.

Edhe pse Parisi e mohon, është e vështirë që marrëveshja të shihet si diçka tjetër përveçse si një mesazh, ndoshta edhe si një provokimi ndaj Turqisë. Zyrtarisht, qeveria turke është e treguar disi e përmbajtur, duke thënë se pakti nuk përfaqëson një kërcënim ushtarak për të.

Por simbolika është e qartë: me SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Australinë që njoftuan kohët e fundit nënshkrimin e paktit të sigurisë, AUKUS, Ankaraja druhet se BE-ja mund të jetë duke shtërnguar radhët kur bëhet fjalë për të gjitha çështjet ushtarake.

Turqia është ndjerë prej kohësh e mënjanuar dhe në qasje të kundërta me Bashkimin Evropian për një numër çështjesh. Megjithatë tani presidenti turk Erdogan e ka kthyer kokën tek një vend tjetër, që gjithashtu dëshiron të bëhet më i pavarur nga Evropa:Britania e Madhe. Qasja e Evropës ndaj sigurisë dhe mbrojtjes po ndryshon në mënyrë dramatike. Gjatë muajve të fundit, në kohën kur SHBA-ja po negocionte paktin AUKUA me Britaninë dhe Australinë pas shpinës së BE-së, u anulua marrëveshja midis Australisë dhe Francës me vlerë dhjetëra miliarda dollarë për shitjen e disa nëndetëseve.

Zyrtarisht, Turqia ka mbajtur një qëndrim të kujdesshëm ndaj këtij zhvillimi. Duke folur për gazetarët e huaj në Stamboll, këshilltari kryesor i Erdogan, Ibrahim Kalin, tha se vendi nuk ishte i përfshirë në AKUS, por Ankaraja shpreson që pakti nuk do të ketë ndonjë ndikim negativ tek NATO.

Megjithatë, marrëveshja në fjalë do të ketë një efekt domethënës në Turqi. “Para AUKUS, turqit mendonin se SHBA-ja do të pengonte BE-në të adoptonte një politikë mbrojtëse, e cila të ishte e pavarur nga NATO. Tani ata kanë frikë se Uashingtoni mund të bëjë lëshime për Francën, gjë që mund t’i ndryshojë gjërat”- thotë Sinan Genlgen, ekspert për Turqinë në think-tankun me qendër në Bruksel “Carnegie Europe”.

Dhe shqetësimet e Turqisë, mund të jenë të justifikuara. Kancelarja gjermane në ikje Angela Merkel, ka mbrojtur gjithmonë pasjen e një bashkëpunimi më të ngushtë me Turqinë, pjesërisht sepse ajo është një partnere e rëndësishme tregtare e Gjermanisë, dhe pjesërisht pasi ka një ndikim direkt mbi fluksin e emigrantëve nga Azia dhe Lindja e Mesme në Evropë.

Merkel i sabotoi vazhdimisht planet e Francës për një qasje më të rreptë të Brukselit ndaj Ankarasë, dhe nuk i mbështeti asnjëherë idetë e Emmanuel Macron për një autonomi më të madhe strategjike për vendet brenda BE-së. Por tani që po lë detyrën, Macron është i prirur që ta shfrytëzojë sa më shumë vakumin e pushtetit që do të lërë pas Merkel.

“Perspektiva e ndikimit në rritje të Francës, nuk është një lajm shumë i mirë për Turqinë”- thotë Ian Lesser, nënkryetar i grupit të ekspertëve në “German Marshall Fund”. Ankaraja ka frikë se pakti i mbrojtjes midis Francës dhe Greqisë, mund të jetë një shenjë e asaj që do të vijë më vonë.

Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme turke, marrëveshja synon pikërisht “Turqinë, vend anëtar të NATO-s”, dhe është e dëmshme për aleancën. Po ashtu analistët supozojnë se marrëveshja do të thotë se Franca i mbështet pretendimet e Greqisë për territore të caktuara në Mesdhe, të cilat sipas ligjit ndërkombëtar mbeten të diskutueshme, edhe për shkak të pretendimeve turke.

Parisi është një aleat i ngushtë i Athinës. Në verën e vitit 2020, Greqia dhe Turqia ishin gati në pragun e një konflikti ushtarak në Mesdheun Lindor. Që nga ajo kohë, Athina ka porositur 24 avionë luftarakë “Rafale” nga Franca, dhe pakti i ri përfshin marrëveshjen, sipas së cilës Franca do ta furnizojë Greqinë me 3 fregata të reja.

Nuk është hera e parë që Ankaraja ndihet e snobuar nga BE. Që kur Donald Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë, Turqia ka bërë një përpjekje të konsiderueshme për të përmirësuar marrëdhëniet me Brukselin. “Situata në Mesdheun Lindor është paqësore, dhe problemi i emigrantëve është nën kontroll. Tani është koha e duhur, që Evropa të bëjë diçka për Turqinë”- thotë Kalin

Dhe lista e dëshirave të Erdogan është e gjatë:lehtësimi i regjimit të vizave për qytetarët turq, ri-negocimi i marrëveshjes mbi refugjatët, dhënia e më shumë fondeve për Turqinë, teksa ajo vazhdon procesin e anëtarësimit në BE, dhe modernizimin e bashkimit doganor. Por në Bruksel nuk ka lëvizje për asnjë nga këto çështje.

Ata janë të lumtur ta lënë në pritje Erdoganin. Ndaj ky i fundit ka filluar të fokusohet diku tjetër. Në samitin e OKB-së në shtator, Erdogan zhvilloi një takim me kryeministrin britanik Boris Johnson. Kalin thotë se ai ishte një “takim shumë i mirë”, dhe se të dyja vendet janë “partnerë strategjikë, me një lidhje shumë të ngushtë midis tyre”.

Ai thotë se Londra dhe Ankaraja kanë në plan të punojnë më ngushtë me njëra-tjetrën në fushën e tregtisë, por me një fokus të veçantë tek mbrojtja. Dhe baza për bashkëpunim ishte krijuar. Britania e ka mbështetur vazhdimisht ambicien e Turqisë për t’iu bashkuar BE-së, dhe ofroi prova të miqësisë së saj edhe pas grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016.

Në dallim nga kryeqytetet e tjera evropiane, Londra reagoi shpejt, duke e quajtur grushtin

e shtetit një “sulm ndaj demokracisë turke”, dhe qeveria britanike nuk është në përgjithësi shumë kritike ndaj Turqisë. Në fund të vitit të kaluar, Johnson dhe Erdogan nënshkruan një marrëveshje të re të tregtisë së lirë, e cila do të rregullojë tregtinë midis dy vendeve pas Brexit.

Erdogan e ka quajtur atë “traktatin më të rëndësishëm për Turqinë, që nga marrëveshja doganore me BE-në e vitit 1995”. Pas Gjermanisë, Britania është tregu i dytë më i madh i eksporteve turke. “Turqia ka tani shansin të ndërtojë një partneritet të ri me Mbretërinë e Bashkuar, dhe duhet ta shfrytëzojë sa më shumë atë”-thotë ekonomisti turk Ali Kücükcolak nga Universiteti Tregtar i Stambollit.

Erdogan e di shumë mirë këtë gjë, pasi Turqia ka një nevojë emergjente për një nxitje të rritjes ekonomike. Inflacioni është aktualisht në nivelin alarmant 19 për qind, dhe vlera e monedhës kombëtare po bie vazhdimisht. Turqit po e ndiejnë ndikimin e krizës në jetën e tyre të përditshme:ushqimet dhe qiratë po bëhen gjithnjë e më të shtrenjta, ndërsa pagat mbeten të pandryshuara. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al