MENU
klinika

Vuçiç i habitur me Bosnjen

“Nuk e kuptoj pse e refuzoni Ballkanin e Hapur”

20.10.2021 - 21:16

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç tha një intervistë për median boshnjake “Dnevni Avaz”, ku shprehu habinë se përse boshnjakët po refuzojnë “Ballkanin e Hapur”.

Ai e cilësoi nismën si mjaft të rëndësishme për tregun ballkanas dhe ftoi edhe vendet e tjera që t’i bashkohen.

“Jemi duke punuar me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për një projekt që do t’i fshijë kufijtë për njerëzit në vitin 2023. Bosnja ka kufijtë e përcaktuar dhe të njohur ndërkombëtarisht. Kjo ka rëndësi. S’e kuptoj, ne kemi shumë boshnjakë në Serbi që do të duan të lëvizin lirshëm në Bosnje dhe Bosnja ka shumë serbë që do të duan të lëvizin lirshëm për në Beograd. Nga lëvizja e lirë përfitojnë të gjithë, përfitojnë ekonomitë tona”, tha ai.

Vuçiç tha se “Ballkani i Hapur” po sulmohet nga ekstremistët dhe me argumente të pabazuara.

“Gjithçka është se në Serbi na akuzojnë se Ballkani i Hapur është Shqipëria e Madhe, në Shqipëri thonë se është Serbia e Madhe. Nuk mund ta kuptojnë se ne duhet të lidhemi ekonomikisht së bashku, me të njëjtat taksa, dogana, politika ekonomike në mënyrë që të tërheqim sa më shumë investitorë në rajon”, tha ai.