MENU
klinika

Pasardhësi i Merkelit

Olaf Scholz: “Dua ta bëj botën një vend më të mirë”

04.10.2021 - 19:25

Spiegel International

Gjatë një interviste për “Der Spiegel”, Olaf Scholz, kandidati i Partisë Social Demokratike dhe pretendenti kryesor për t’u bërë kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, flet mbi planin e tij për të krijuar një qeveri të qëndrueshme, dhe zbulon atë që ka të përbashkët me Angela Merkel.

Zoti Scholz, cili është mesazhi pas rezultateve të zgjedhjeve federale gjermane?

Njerëzit kanë zgjedhur qartazi një qeveri të re. Ata duan një fillim të ri dhe një qeveri progresive. Ata kanë zgjedhur Partinë Social Demokratike, partinë më të fortë, dhe ata duan që unë të jem kancelari i ardhshëm.

Ju po thoni SE gjermanët votuan për një qeveri koalicioni “semafor”, pra midis SPD-së të qendrës së majtë, Partisë së Gjelbër dhe Partisë së Demokratëve të Lirë (FDP),që është ekonomikisht shumë liberale?

Me votat e tyre, gjermanët kanë forcuan 3 parti:SPD, të Gjelbrit dhe FDP. Ky është një mesazh që këto 3 parti të lëvizin për të formuar bashkë një qeveri.

Tani po flisni për një fillim të ri, por gjatë fushatës elektorale ju u paraqitët si garantues i vazhdimësisë dhe stabilitetit. Çfarë duan gjermanët: një fillim të ri apo stabilitet?

Njerëzit duan përparim. Të tria partitë i bashkon ideja e përparimit në shoqëri. Ato kanë ide të ndryshme por të mbivendosura në lidhje me këtë gjë. Idetë e SPD-së për përparimin kanë të bëjnë me modernizimin industrial, duke pasur parasysh ndryshimet klimatike të bëra nga njeriu, të cilat ne duam t’i ndalim.

Natyrisht, ndryshimi i klimës ka një rol të spikatur në narrativën e të Gjelbërve për progresin. Dhe FDP është e përqendruar në modernizimin teknologjik dhe të drejtat civile. Unë jam optimist se ne mund të jemi të suksesshëm në krijimin e një koalicioni “semafor”.

Angela Merkel u rizgjodh3 herë në detyrë, pasi elektorati mendonte se kancelarja po i shpëtonte ata nga sfidat e kohës sonë. A kanë frikë gjermanët nga ndryshimi?

Gjatë fushatës zgjedhore, unë kam folur vazhdimisht mbi mënyrën se si mund të krijojmë siguri me kalimin e kohës, pra mbi mënyrën se si mund të mbështeten njerëzit? Një udhëheqës duhet ta kuptojmë pse janë të shqetësuar njerëzit në vendet e pasura të Perëndimit.

Ata e dinë se në dallim nga disa dekada më parë, sot ka disa vende me aftësi industriale të ngjashme me tonat. Dhe kjo krijon një ndjenjë pasigurie.

Kjo është gjithashtu arsyeja pse partitë populiste të krahut të djathtë janë në rritje në shoqëritë e pasura të Evropës, kjo është arsyeja pse fitoi Donald Trump në SHBA,dhe pse në Britani pati një shumicë pro Brexit. Premtimi i tyre mashtrues, është se ne mund të rikthehemi pas tek e shkuara. Ndaj duhet të kemi një përgjigje për këtë gjë.

Dhe cila është ajo?

Ne duhet të modernizojmë industrinë gjermane, në mënyrë që të kemi ende punë të mira pas 10, 20 apo 30 vjetësh. Shumë gjermanë kanë frikë se në një moment, do të shohim me trishtim zhvillimin e kontinenteve të tjera. Votuesit duan që ne të merremi me sfidat që kemi përpara.

Kështu më thanë njerëzit në fabrikat e çelikut, kompanitë kimike, kompanitë e inxhinierisë mekanike dhe në industrinë e makinave. Gjermania duhet të guxojë që të hedhë që tani themelet teknologjike dhe industriale për të ardhmen. Dhe synimi është të jemi një vend i industrializuar neutral ndaj klimës në pak më pak se 25 vjet. Kjo gjë mund ta rikthejë sërish besimin e humbur.

Gjatë fushatës, ju e cilësuat veten si trashëgimtarin e vërtetë të Angela Merkel. Çfarë keni të përbashkët me kancelaren?

Zonja Merkel ka një rekord të suksesshëm. Madje edhe si një socialdemokrat, unë nuk e kam të vështirë ta pranoj këtë. Tek e fundit, ne ishim pjesë e koalicionit në 3 nga 4 qeveritë e Merkel dhe arritëm të çojmë përpara shumë gjëra që ishin të rëndësishme për ne.

Merkel dhe unë e dimë se politika ka nevojë për liderë këmbëngulës.

Se në politikë ti duhet të luftosh fort dhe për një kohë të gjatë për gjërat që janë të rëndësishme. Në një vend federal si Gjermania, në Evropë dhe në botë, duhet të koordinohesh dhe harmonizosh me shumë veprime. Unë e nisa këtë proces,me marrëveshjen për një taksë minimale globale 3 vjet më parë, dhe sot 130 vende të botës janë zotuar për ta arritur këtë gjë. Kjo nuk do të ishte e mundur pa këmbëngulje.

Për momentin, ju nuk po merrni pjesë në negociatat fillestare për të formuar qeverinë e re. FDP dhe të Gjelbrit duket se duan që ta zgjidhin këtë çështje mes tyre...

Mendoj se është e drejtë që ata të bisedojnë në fillim midis tyre. Kjo është pasojë e përvojës së 4 viteve më parë, dhe mund të jetë një gjë e mirë vetëm kur bëhet fjalë për besimin reciprok dhe formimin e një qeverie të mirë.

Ju flisni për një projekt të përbashkët për progresin, por realiteti është se ka qasje të kundërta. FDP-ja dëshiron që ta mbajë shtetin sa më larg jetës së njerëzve, dhe është më e fokusuar në treg. SPD dhe të Gjelbrit janë më statiste dhe duan një shtet të fortë. Si do t’i përshtatni bashkë këto interesa konkurruese?

Unë kam ide specifike se si mund të përshtaten ato. As SPD dhe as të Gjelbrit nuk e shohin veten si statist. Nuk do të ishte diçka e zgjuar të flisnim që tani për ndonjë vijë të kuqe. Edhe nga pika të ndryshme fillestare, duhet të jetë e mundur të arrihet në fund një mirëkuptim.

Partia që dëshiron të zgjedhë kancelarin e ardhshëm u zgjodh me vetëm 25.7 për qind të votave, gjë që nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e Gjermanisë…

Në Finlandë, një kryeministër po qeveris me vetëm 17.7 për qind të votave.

Ndërkohë, ju keni një grup parlamentar që ka lëvizur më shumë në të majtë dhe një koalicion tre-partiak me të cilin do të duhet të bashkë-qeverisni. Në këto kushte do të ishit kancelari më i dobët që ka pasur ndonjëherë vendi…

Jo, nuk do të ndodhë kështu.

Cili është burimi i optimizmit tuaj?

Unë kam synime ambicioze për vendin. Dhe do ta përdor të gjithë fuqinë që kam për të siguruar arritjen e tyre.

Dhe kjo gjë kërkon një pushtet me baza të forta…

Nuk mjafton vetëm politika e pushtetit. Ajo nuk vlen në rast se nuk synon të bësh diçka me rëndësi. Unë u bëra politikan sepse dua ta bëj botën një vend më të mirë.

A është një mundësi realiste koalicioni “Xhamajka”, pra mes CDU, FDP dhe të Gjelbërve një mundësi realiste?

Rezultati i zgjedhjeve është i qartë. CDU dhe CSU pësuan një humbje historike dhe janë votuar të qëndrojnë në opozitë. Në çdo sondazh ka qenë e qartë se njerëzit nuk duan që CDU-ja të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme.

 

Marrë me shkurtime